Nga Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
subspecialist Dietolog-Nutricionist
Kur një fëmijë quhet obez?
Cilat janë arsyet e mbipeshës tek fëmijët?
A mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore mbipesha tek fëmijët?
Gjidhënia dhe mbipesha ndërlidhja në mes tyre?
Fëmijët mbipeshë më nuk janë një gjë e jashtëzakonshme tek ne. Mjafton një shëtitje në qendrat tregtare apo në qendër të qytetit dhe do shikosh përplot fëmijë me mbipeshë. Dëshira e prindërve për t’i ushqyer pa kontroll dhe me ushqime të dëmshme, është kthyer në një rutinë duke shkaktuar mbipeshë që në moshë të vogël. Në disa familje tona, pesha e tepërt tek fëmijët kuptohet edhe si mburrje dhe për shëndetin e plotë që gëzon fëmija. Në shoqërinë tonë ende “mendohet” se fëmija sa më i shëndoshë të jetë, aq më i shëndetshëm është ai. Shpeshherë dëgjojmë komente nga më të ndryshmet: “shpirti i mamit sa i shëndoshë që është”, “ky është shëndeti i familjes sonë”, “le të hajë sa të dojë se e tëra i bëhet shëndet”.
Të dhënat e fundit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, kanë dalë në përfundimin se rreth 22 për qind e fëmijëve në Shqipëri janë mbipeshë dhe obezë. Edhe në Kosovë qëndron realiteti i njëjtë, për të mos thënë që shifrat mund të jenë edhe më alarmuese.
Kur një fëmijë quhet obez?
Një fëmijë quhet obez kur ai është mbi peshën e tij normale. Parametri që matë këtë peshë, quhet indeksi i masës trupore (BMI) dhe matet me peshën e individit, pjesëtuar me gjatësinë e tij në fuqi të dytë. Nëse BMI-ja e një fëmije është 30 kg/m2 më e madhe se norma e tij, ai quhet obez.
Mbipesha tek fëmijët, cilat janë shkaqet e saj….?
Mbipesha tek fëmijët lidhet në mënyrë direkte me mirëqenien e shoqërisë ose me ndryshimin tradicional të jetesës dhe të ushqyerit tonë.
Shkurtimi i periudhës se gjidhenjes është nisja me e keqe e mundshme dhe ndikon në shfaqjen e mbipeshës tek fëmijët e vegjël.
Duke shkurtuar periudhën e gjidhënjes vije deri të vonimi i formimit të mekanizmit të rregullimit të ndjenjës së urisë dhe ngopjes përkatësisht kontrollit të apetitit.
Këtu ndodhë gabimi i parë i cili më vonë kushton shumë, qoftë më mbipeshë por edhe më një sërë çrregullimesh tjera.
Mbipesha në shumicën e rasteve ndodh tek fëmijët, të cilëve prindërit ua plotësojnë të gjitha tekat dhe e kanë të vështirë t’u thonë jo.
Hyrja e internetit në çdo shtëpi, ka pasivizuar tërësisht të rinjtë të cilët kalojnë orë të tëra pa u ngritur nga ulëset e tyre.
Tradita e marrjes së parave në shkollë, ka ndikuar dukshëm në shtimin e obezitetit te fëmijët. Shumica e fëmijëve që marrin një sasi të hollash dhe vetë ushqehen, shumicën e rasteve zgjedhin hamburger ose pica duke i shoqëruar me pije të gazuara. Kjo traditë tani ka kaluar në rutinë mjaft të rrezikshme për këtë moshë.
Pasoja shëndetësore tek fëmijët me mbipeshë?
Obeziteti tek fëmijët por edhe në të gjitha moshat, sot konsiderohet një faktor i madh rreziku për shëndetin duke rritur propabilitetin e sëmundjeve të ndryshme dhe duke ulur jetëgjatësinë e një individi.
- Shqetësimet për shëndetin janë të shumta:
- Rritet rreziku potencial për sëmundje kardiovaskulare (koronarna, infarkti …);
- Rritet rreziku potencial për sëmundje malinje;
- Rrezik potencial për rritje të tensionit arterial;
- Diabeti;
- Rriten mundësitë reale për probleme të traktit respirator;
- Çrregullime të gjumit;
- Probleme psikologjike dhe sociale;
- Depresion, anksiozitetit e deri tek hapat suicidal (vetëvrasës).
Pasojat psikologjike?
Përveç problemeve shëndetësore, disa nga pasojat e obezitetit lidhen me problemet psiko-emocionale që kanë fëmijët obezë, si kompleksi i inferioritetit dhe në raste më të rënda, depresioni (sidomos te femrat). Në disa raste klinike që i trajtoj te këto mosha, sidomos te adoleshentët shihen qartë shenjat e depresionit si: mbyllja në vetvete, largim nga shoqërimi me të tjerët, pesimizmi, ngecje në sukseset në shkollë apo angazhime tjera. Raste më të rralla takoj edhe tentime për vetëvrasje, sidomos në moshën e adoleshencës.
Si ta ndihmojmë një fëmijë me mbipeshë?
Nëse keni një fëmijë mbipeshë, është e rëndësishme ti tregoni që e doni atë ashtu siç është dhe do ta mbështesni në çdo gjë. Duhet të kuptoni se procesi i humbjes në peshë është mjaft i vështirë dhe kërkon kohë dhe mund. Nuk do jetë e lehtë t’i ndërroni veset që mund të ketë krijuar në mënyrën e jetesës. Është mjaftë e vështirë të luftoni kundrejt dashurisë që fëmija juaj gëzon për çokollata apo ëmbëlsirat në përgjithësi.
Nuk ka zgjidhje me shkop magjik dhe dieta të shpejta, por konsultim të ngushtë me pediatrin tuaj për të parë gjendjen e përgjithshme dhe evituar shkaqet organike. Pediatri pas shikimit të përgjithshëm të gjendjes dhe analizave laboratorike, do e vlerësoj nevojën e fëmijës për trajtim subspecialistik –dietologjik. Nga konsultimi me mjek -dietolog do keni një plan të detajuar me hapat dhe synimet për humbje peshe në mënyrë të shëndetshme dhe pa pasoja për fëmijën tuaj.
Hapat që duhet të ndërmerren janë:
Gjidhënja për një kohë të gjatë
- Hulumtimet më të fundit kanë treguar se gjidhënja për një kohë të gjatë mund të ketë një rol të madh në parandalimin e obezitetit tek fëmijët. Sa më gjatë që fëmijët janë në procesin e gjidhënjes, mundësitë që do të jenë mbipeshë në të ardhmen janë më të ulëta.
Është shumë e mundur që gjidhënja të luajë rol në formimin e mekanizmit të rregullimit të ndjenjës së urisë dhe ngopjes përkatësisht kontrollit të oreksit.
2. Disa substanca në qumështin e nënës ndikojnë direkt në rregullimin e metabolizmit të përgjithshëm dhe luajnë rol në prevenimin e mbipeshës.
3. Prindërit duhet të fokusohen në një ndryshim të ngadaltë të zakoneve të ushqyerjes në gjithë familjen. Duke përfshirë gjithë familjen, çdo pjesëtar mëson zakonet e shëndetshme dhe fëmija mbipeshë nuk ndihet i mënjanuar me dieta dhe rregulla të krijuara veçanërisht për të. Mjeku dijetolog mund te ju ofroj një plan të detajuar me hapat përkatës. Është shumë e rëndësishme të flisni me fëmijën rreth peshës së tij, duke lejuar të ndajë me ju shqetësimet që ka. Komunikoni haptazi dhe bëhuni miq më fëmijën tënd. Edukimi i fëmijëve dhe konsumimi i ushqimit të shëndetshëm, mbetet një sfidë që prindërit nuk mund ta anashkalojnë në emër të dashurisë dhe dhembshurisë për fëmijën
4. Mos e tejkaloni asnjëherë mëngjesin për fëmijën tuaj. Një ditë e re, duhet të fillojë gjithmonë me ngrënien e mëngjesit. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Pas gjumit te natës, mëngjesi është mjet i përsosur për të filluar metabolizmin dhe sigurimin e energjisë për vijueshmërinë normale të ditës. Hapi i parë për një jetë të shëndetshme dhe për humbje në peshë, është ngrënia e mëngjesit çdo ditë.
5. Shpeshtojeni përdorimin e frutave dhe perimeve të freskëta. Këto sigurojnë një përqendrim të lartë të fibrave, fitonutrientëve, vitaminave, minerale, janë antioksidantë të fuqishëm si dhe reduktojnë efektin e dëmshëm të radikaleve të lira në trupin tonë.
6. Jepni fëmijës tuaj edhe vakte të ndërmjetme. Një plan dietologjik me tre vakte kryesore dhe dy të ndërmjetme, është një alternativë shumë e suksesshme për shëndetin tuaj.
7 Aktivitet fizik te vazhdueshëm. Është e nevojshme që së bashku me fëmijën tuaj të ecni 40 – 60 minuta çdo ditë. Ndihmojeni e nxiteni në lojëra që kan nevojë për aktivitet fizik çdo ditë.
8. Nxiteni fëmijën tuaj të përdorë sasi të mjaftueshme uji 1 -1.5 litra në 24 orë. Evitoni në mënyrë absolute pijet e gazuara dhe lëngjet e gatshme, pasi që përmbajnë sasi te mëdha sheqeri. Mund të përdorni çaja të ndryshme por pa sheqer.
9. Evitoni përdorimin e miellit të bardhë, ëmbëlsirave dhe sheqerit të rafinuar. Përdorni më shpesh e mishin e bardhë, e sidomos shtojeni përdorimin e mishit të peshkut së paku 2 herë në javë.
10. Koha e shkuarjes në gjumë le të jetë e rregullt dhe ia mundësoni fëmijës të ketë së paku 8 -9 orë gjumë. Ia kufizoni kohën që fëmija mund të kalojë pranë internetit ose në teknologjisë informative
11. Kontrollojeni se çfarë ka blerë fëmija i juaj me ato para që ju i ofroni për shkollë. Më së miri do ishte që të bëhej traditë, që t’i jepen fëmijës pemë dhe perime në shkollë./FamiljadheShëndeti