Nga Dr. Valbona Hysenaj Miftari
Specializante e vitit te gjashtë dhe të fundit të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër.
Në shoqërinë tonë nuk është lehtë të kesh pikëpamje të ndryshme nga familja, shoqëria apo rrethi ku jeton.
Shembull konkret; bindjet e ndryshme politike gjegjësisht orientimet e kundërta partiake shpijnë deri në urrejtje patologjike, e cila përcillet me kritika të rënda, përbuzje e deri në linqim. Nga kjo e keqe e panevojshme nganjëherë nuk kursehen as anëtarët e një familjeje.
Pra mendimet e ndryshme të çfarëdo natyre qofshin tek ne shpesh çojnë në konflikte serioze, sepse njerëzit tanë tentojnë gjithmonë që mendimet e veta t’ia imponojnë tjetrit në stilin “unë kam të drejtë”, madje acarohen e flasin me zë të lartë e ka edhe plot që bëhen agresiv kur dikush nuk pajtohet me ta, e mos të flas për gjuhën banale që e hasim në rrjetet sociale si dhe gjuhën denigruese e sjelljet vulgare të disa deputetëve tanë e cila kapërcen çdo normë morale.
Shpesh pyes veten, kur do t’mësohemi t’i pranojmë mendimet e të tjerëve, kur ato mund të jenë vërtet shumë konstruktive, kur ato mund t’i japin jetës sonë një kaheje tejet pozitive.
Vetëm kur jemi të hapur ndaj mendimeve të ndryshme do të jemi në gjendje ta zgjerojmë horizontin tonë si dhe t’i shohim gjërat nga perspektiva të ndryshme. Personalisht më brengos tej mase trendi i tanishëm i komunikimit.
Shpresoj që në ardhmen ta zhvillojmë një tolerancë të mirëfilltë komunikimi pa marrë parasysh divergjencën e mendimeve. Shpresoj t’i korrigjojmë dhe eliminojmë këto tipare gjenetike patriarkale të kombinuara me shprehi devijante narcistike që po na kushtojnë shtrenjtë.
Komunikimi i shëndoshë në përgjithësi shpie në gëzim, motivim, pjekuri, vetëvlerësim pozitiv, vlerësim pozitiv nga njerëzit tjerë, njohjen më të mirë të vetvetes si dhe në zbulimin që në ty fshihet një diamant që shëndrin rrugën e humbur të dikujt. Pas një komunikimi të suksesshëm secili ndjehet mirë.
Komunikimi i mirëfilltë me njerëzit përreth është bazamenti i një jete kualitative, është çelësi i suksesit dhe lumturisë.
Është sikur trëndafili petalet e të cilit lëshojnë aromë të këndshme dhe sythat e të cilit shumëzohen pa pra. Andaj të tregojmë edukatë në komunikim ia vlen shumë, ngase do të shijojmë gjithnjë aromën e ëmbël të harmonisë dhe qetësisë shpirtërore…/FamiljadheShëndeti