Nxitja e kreativitetit te fëmijët

Përgatiti: Arsim Murseli

Çdo fëmijë lind me imagjinatë. Me kalimin e kohë, prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes dhe të shoqërisë ia ushqejnë atë dhe për më tepër marrin pjesë në mendimet dhe veprat kreative të tyre. Shënohet që Ajnshtajni të ketë thënë se “imagjinata është më e rëndësishme se dija.” Ajo e kultivon zhvillimin kognitiv dhe social të fëmijës. Prindërit që në momentin që sjellin në fëmijë në këtë jetë hartojnë pritje të mëdha për të. Ata janë të përkushtuar që ta ngrehin atë deri në pikën më të lartë të mundësive intelektuale, sociale dhe emocionale të tij. Në edukimin fillor të fëmijës, shkathtësitë e mendimit kritik dhe aftësitë kreative të zgjidhjes së problemeve duhet të jenë qëllime të zhvillimit të fëmijës. Fantazia, të provuarit e mënyrave të reja dhe eksperimenti ndihmojnë në zhvillimin e mendimit kritik tek fëmijët si dhe ngjizin te ata idenë e zgjidhjes së problemeve në mënyrë kreative.

Por ç’është në fakt kreativiteti? Në morinë e përkufizimeve që janë dhënë përkitazi me të, ne do të mjaftoheshim me atë se kreativiteti është forma e shndërrimit të fantazive dhe ideve të reja në realitet. Kreativiteti karakterizohet me aftësinë e të perceptuarit të botës në mënyra të reja, gjetjen e modeleve e motiveve të fshehura, lidhjen ndërmjet fenomeneve që në shikim të parë duken të largëta nga njëri-tjetri dhe në fund me nxjerrjen e zgjidhjeve. Kreativiteti përfshin dy procese: mendimin dhe prodhimin.

Kreativiteti është më shumë se një vepër unike e artit apo një ide origjinale. Prandaj, është e rëndësishme që prindërit të gjejnë kohë për të luajtur me ta, që t’u ndihmojnë t’i shohin dhe t’i mendojnë gjërat në mënyra të reja dhe të pazakonshme ashtu që t’i shndërrojnë aktivitetet e zakonshme në ato që nxisin krijimtarinë.

Psikogolët përmendin mënyra të shumta përmes të cilave mund të nxitet kreativiteti te fëmijët, por ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre:

Natyra

Dobitë e natyrës në zhvillimin e fëmijës janë të shumta. Natyra ndryshon në vazhdimësi dhe ky fakt ofron mundësi të pafundme për të zbuluar, për të krijuar dhe për të zgjidhur probleme. Ajo i frymëzon fëmijët që të mendojnë, të bëjnë pyetje, të ngrehin supozime, dhe të gjitha këto ushqejnë kreativitetin tek ata. Fëmijët mund të bëjnë forma të interesante nga bora, gjethet, etj. ashtu siç mund të vizatojnë në rërë apo thjesht mund të shtrihen në tokë dhe të sodisin qiellin e kaltër apo yjet gjatë natës.

Rolet

Të luajturit e ndonjë roli, arti dramatik dhe ai imagjinar i nxisin fëmijët që të përdorin imagjinatën e tyre, të shohin përmes perspektivave të të tjerëve dhe të eksplorojnë ndjenjat e tyre duke promovuar kreativitetin. Nxirrni fëmijët në oborrin e shtëpisë dhe luani me ta gjoja se jeni piratë dhe po kërkoni thesarin e fshehur. Sigurojini atyre kostume, enë dhe gjësendet të tjera për të bërë goditje ose mjete të tjera për lojë dhe kështu nxisni ata të luajnë lirshëm me ju në një aktivitet të pastrukturuar. Frymëzoni fëmijët për nxjerrë në pah ndjenjat e tyre përmes një shfaqjeje të kukullave ose vëni në skenë ngjarje të zakonshme. Po ashtu ju mund t’i shkëmbeni rolet në mënyrë që fëmijët të bëhen prindër dhe ju të hiqeni si fëmijë.

Art aty për aty

Ashtu siç kreativiteti e frymëzon artin, aktivitetet artistike mund të frymëzojnë aftësitë krijuese të të menduarit. Në vend se të angazhoni fëmijët në aktivitete të strukturuara artistike me objektiva qartë të përcaktuara, jepjuani atyre mundësinë që të jenë spontanë dhe të vendosin vet ata se si do të shkojnë këto aktivitete. Sigurojini fëmijëve aso materialesh që mund të përdoren në mënyra të ndryshme. Për shembull, kavanoza të bojërave me tempera, lloje të ndryshme të letrave, furça, sfungjer të lagur dhe të tharë, pupla dhe mjete të tjera ose materiale zbukuruese dhe më pas lini që të vendosin se çfarë punime do të bëjnë me materialet që u keni dhënë në zotërim. Për shembull, Jona mund të përdorë disa gjethe të forta, si mjet për ta bojatisur posterin, përderisa Lumi mund të vendosë që ta përdorë bojën si një ngjitës për ngjitjen e gjetheve mbi letrën e kuzhinës. Inkurajimi i fëmijëve për të qenë spontan dhe vetë-drejtues në këto mënyra inkurajon kreativitetin te fëmijët e të gjitha moshave.

Aktivitete ‘jashtë kutisë’

Krijoni lojëra të atilla ashtu që t’i inkurajojnë ata të mendojnë ‘jashtë kutisë’. Kështu ata do të shohin botën nga një këndvështrim tjetër dhe do të shprehin ndjenjat e tyre përmes lëvizjeve dhe veprimeve. Loja klasike ‘qëllo se kush/çfarë është’ i sfidon fëmijët për të përfaqësuar dhe interpretuar njerëz, vende dhe gjëra të ndryshme në mënyra të reja dhe unike. Ide tjetër është t’i vëni fëmijët në një rreth dhe t’u jepni nga një biskotë në formë kafshe. Më pas sfidoni ata që pas ngrënies së saj të “bëhen” kafshë për nja dy minuta, duke adaptuar sjelljet, karakteristikat dhe tiparet e saj. Gjë tjetër që mund të bëni me ta është edhe të lexoni një tregim me zë të lartë dhe t’u kërkoni atyre që të veprojnë varësisht prej ngjarjes që shtjellohet. Në këtë mënyrë do t’ua përforconi aftësinë e të kuptuarit.

Pyetjet imagjinare

Pyetjet kreative i inkurajojnë fëmijët që të mendojnë për gjërat në mënyra të reja dhe të pazakonta. Kështu, shfletojeni një libër me ilustrime së bashku me ta dhe bëjini atyre pyetje të hapura, të tilla si: “çfarë janë duke bërë këta njerëz në këtë fotografi?” ose “si mendoni se do të ndjeheshit po të ishit flutur?”. E tërë kjo bëhet për t’ua lehtësuar aftësitë krijuese të të menduarit. Luani me një lojë ‘me të qëlluar’ duke u kërkuar atyre që të mbyllin sytë dhe të identifikojnë sendet përmes erës, shijes apo prekjes. Ngjashëm mund t’i përfshini ata në gatimin e ndonjë ushqimi duke ua marrë në konsideratë ndryshimet e tyre të recetës. Nëse veç vendosni të bëni gurabije, ju mund t’i pyesni fëmijët se: “çfarë mund të shtojmë ashtu që gurabijet të shijojnë më ëmbël?” apo “çfarë do t’u jepte gurabijeve një ngjyrë tjetër?”

Kufizojeni kohën para ‘ekraneve’

Të qenit prind në kohë dixhitale nuk është aspak e lehtë. Kjo për faktin se vet prindërit kanë pranuar të jenë viktima të teknologjisë së kohës. Televizioni, filmat, kompjuteri, telefoni, tableti, video-lojërat, etj. sot konsiderohen si ‘vrasësit’ më të mëdhenj të kreativitetit të fëmijëve. Fokusi te ‘ekranet’ është mënyrë pasive e mësimit nga fëmijët. Shpëtimi nga kjo duhet kërkuar në ndryshimin e prindërve si model. Aq sa është e turpshme, po aq është e kotë që t’u kërkosh fëmijëve që të abstenojnë nga ‘ekranet’ përderisa vet ata nuk i lëshojnë kurrë nga dora. Prandaj, kufizimi duhet të vlejë së pari për ta. Më pas alternativë do të duhej të ishte nxitja e fëmijëve për të krijuar gjëra të reja dhe ndryshe. Angazhimi i fëmijëve në metoda kinestetike, duke i futur në funksion të gjitha shqisat do t’u hapte atyre mendjen dhe horizontet për ta parë botën në ngjyrat e origjinale dhe të pafundme të saj./Familjadheshendeti