Kjo pure është e pasur me fibra nga tërshëra dhe është e përshtatshme për vaktin e mëngjesit ose të darkës, për vogëlushit tuaj. Përmban vitaminën C, K, E, B6, zink, bakër, kalium, hekur, magnez, dhe proteina. Mjedrat përmbajnë dhe antioksiduesit alfa dhe beta-karotën.
Kjo pure i ka të gjitha, nga vlerat ushqyese, thjeshtësinë për tu përgatitur dhe për më tepër fëmijët mund ta konsumojnë lehtësisht.
Përbërësit:
¼ filxhani me tërshërë të thatë;
Një grusht mjedra;
½ banane;
½ filxhani me ujë, qumësht gjiri ose formule (unë zakonisht tërshërën e ziej me ujë).
Kombinimi trio i produkteve fillohet nga 8+.
Përgatitja:
- E vendosni tërshërën dhe qumështin (ujin) në një tenxhere dhe zieni në zjarr të ngadaltë për 10 minuta duke i përzier shpesh.
- E hiqni nga zierja dhe e leni pak sa të ftohet.
- Shtoni bananen dhe mjedrat.
- Në fund i kaloni të gjithë përbërësit në një blender me fuqi të lartë për 1 minutë.
- Tashmë pureja është gati për tu konsumuar.
Detajet:
Koha e përgatitjes së puresë është 3 minuta.
Koha e gatimit është 10 minuta.
Përbërësit e lejuar për bebe 6+ dhe 7+ mirëpo kombinimi trio i produkteve fillohet nga 8+.
I bëftë mirë bebit.
Përgatiti: Blerta Kryeziu Thaqi / Familjadheshendeti.com