Pesë mënyra për të kultivuar marrëdhëniet midis babait dhe fëmijës

Vendosja e një ekuilibri midis jetës familjare dhe çdo gjëje tjetër që e përbën jetën tuaj të përditshme mund të jetë një sfidë, por nuk është mision i pamundur. Nëse doni të jeni pjesëmarrës në jetën e fëmijës suaj, të përfshiheni në rritjen e tij dhe të ndërtoni një lidhje të fortë dhe të ngushtë me të, këshillat në vijim mund t’ju ndihmojnë në realizimin e këtij synimi.

Lajmi i mirë është se përkujdesja e babait për fëmijët dhe prania e tij në jetën e tyre, sjell shumë përfitime si për baballarët ashtu edhe për fëmijët.

  1. Përfshihuni në ritualet e mbrëmjes

Koha para gjumit është ideale për krijimin e rutinave që do ta bëjnë më të lehtë lidhjen me fëmijën tuaj. Ju mund ta pastroni bebin tuaj të vogël, herë pas here t’i ndihmoni të relaksohet përmes një masazhi për foshnja, ta shetisni nëpër shtëpi duke e mbajtur në krah ndërkohë që i flisni me një ton të butë dhe të qetë se si keni kaluar ditën tuaj, ose mund ta përkundni dhe t’i këndoni ndonjë ninullë. Gjithashtu mund t’i lexoni ndonjë tregim për natë të mirë duke improvizuar zëra të ndryshëm nga personazhe të ndryshme libri ose filmi të animuar. Shpikni ndonjë lojë zbavitëse ose aktivitet që do të jetë rutinë e zakonshme çdo natë.

  1. Mos harroni të mbani kontakt fizik

Kontakti fizik ju mundëson lidhjen tuaj me të dhe me këtë i bëni me dije për praninë tuaj. Ndonjëherë baballarët harrojnë se edhe një përqafim sado i thjeshtë ka efekt shërues dhe thellon ndjenjën e lidhjes, si për babanë ashtu edhe për fëmijën. Kurdo që mundeni, kaloni pak kohë në përqafime dhe puthje me fëmijën tuaj.

  1. Flisni me ta

Edhe kur nuk keni shumë mundësi, ndani sado pak kohë për të biseduar me fëmijët tuaj. Ndërsa fëmija rritet, komunikimi është shumë i rëndësishëm për kontinuitetin e përfshirjes tuaj në jetën e fëmijës. Ndarja e mendimeve, ngjarjeve dhe ndjenjave ushqen marrëdhënien që keni me fëmijën tuaj dhe ju mundëson që ta njihni më mirë fëmijën tuaj.

Ju mund të flisni edhe me bebin tuaj. Ai/ajo do të kënaqet me tonin e zërit tuaj dhe komunikimi me të do të inkurajojë zhvillimin e të folurit tek fëmija juaj.

  1. Përfshihuni në aktivitete fizike me ta

Aktivitetet e përbashkëta fizike nxisin lidhjen dhe afërsinë midis babait dhe fëmijës. Ndarja e dashurisë dhe pasionit për të njëjtin sport dhe të marruarit me të, dalja për të shëtitur, loja me top në park, ngasja e biçikletës së bashku, janë vetëm disa nga aktivitetet që mund të jenë të përbashkëta. Gjeni një hobi në të cilin kënaqeni ju dhe fëmija juaj, dhe ndani një kohë gjatë ditës të cilën do ta kaloni së bashku.

  1. Përfshini fëmijën tuaj në aktivitetet e përditshme

Edhe detyrat më të zakonshme në shtëpi mund të shndërrohen në një aktivitet të përbashkët dhe të kenë mundësinë për të krijuar një lidhje mes babait dhe fëmijës. Krahas faktit se fëmija do të fitojë shkathtësi të reja, përmes lojës ai do të ndihet i dobishëm dhe i rëndësishëm dhe kjo do ta forcojë besimin e tij. Babai me shembullin e tij i përçon mesazh fëmijës se të gjithë anëtarët e familjes janë të përfshirë në mënyrë të barabartë në punët e shtëpisë, që është një mësim i rëndësishëm jetësor./Familjadheshendeti.com