Çrregullimi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes dhe hiperaktivitetit – ADHD

ADHD-ja karakterizohet nga mungesa e vëmendjes, aktivitet i tepruar dhe impulsivitetit.

Pavëmendja i referohet stilit të sjelljes, përfshirë çorganizimin dhe mungesën e vazhdimësisë së vëmendjes në më tepër sesa një proces psikik. Paraqitja e pavëmendjes, merr forma të ndryshme në mosha të ndryshme dhe ndikimi i saj ndryshon sipas kërkesës që bën ambienti për vëmendje.
Aftësia për të patur vëmendje dhe për t’u përqendruar është mjaft e dëmtuar. Kohëzgjatja e vëmendjes së fëmijës mund të jetë e shkurtër 2-3 sekonda në ADHD-në e rëndë, 2-3 minuta në format e moderuara të çrregullimit ose më e gjatë se kaq pas ushtrimit të shkallëzuar të saj.

Aktiviteti i tepruar i referohet thjesht një shtimi të lëvizjeve. Shpesh është problemi më madhor në fëmijërinë e hershme.

Fëmija nuk mund të qëndrojë në karrige dhe përdridhet e vërtitet, ndërsa përpiqet të qëndrojë ulur.

Tiparet e aktivitetit të tepruar janë statistikisht të lidhura ngushtë me impulsivitetin dhe shpesh futen brenda një termi atë të “hiperaktivitetit”.

Impulsiviteti nënkupton të vepruarit pa u menduar. Fëmijët me ADHD shpesh nuk mendojnë përpara se të veprojnë dhe mund të mos e perceptojnë rrezikun duke u përfshirë në veprime impulsive, si të vrapuarit në rrugë ose të kërcyerit nga objekte të larta. Ky është shpesh një aspekt që i fut të rinjtë në telashe ose i irriton njerëzit tjerë.

Sigurisht që edhe tek fëmijët e zakonshëm mund të vihen re pavëmendja, aktiviteti i shtuar dhe impulsiviteti. Identifikimi diagnostik duhet të bëhet bazuar në shkallën, ashpërsinë dhe qëndrueshmërinë e sjelljeve si dhe në ndikimin që ato kan në përshtatjen sociale.

Pasqyra klinike

ADHD-ja zakonisht identifikohet dhe diagnostikohet kur fëmija fillon parashkolloren ose shkollën, ndonëse mjaft prindër tregojnë se problemet kanë filluar në moshë më të hershme.

Foshnjat me ADHD shpesh janë të grindur dhe kanë modele të këqija gjumi.

Në moshën e fëmijërisë ata përshkruhen si “gjithmonë në lëvizje” dhe “fusin hundët kudo”. Lëvizin para e prapa, hidhen dhe ngjiten mbi mobilje, vrapojnë nëpër shtëpi… Prindërit e kanë vështirë të dallojnë sjelljen normale dhe aktive nga sjellja e ekzagjeruar dhe hiperaktive.

Në moshën shkollore simptomat e ADHD-së fillojnë të ndërhyjnë dukshëm në sjellje dhe në mbarëvajtjen shkollore. Fëmija vazhdimisht lëviz, zbret e ngjitet në karrige dhe bën zhurmë me lapsin apo objekte tjera. Zhurmat ambientale normale si kolla e dikujt i tërheqin vëmendjen fëmijës. Ai nuk është në gjendje të dëgjojë porositë apo të përfundojë detyrat, ai shpesh bën gabime nga shpejtësia pasin që nuk pret të përfundojë pyetja ai jep përgjigjen. Formimi i marrëdhënieve shoqërore të mira është i vështirë për shkak se fëmija nuk mund të zhvillojë lojë bashkëpunuese ose nuk pret dot radhën dhe vazhdimisht ndërpret të tjerët. Studimet tregojnë se mësuesit dhe shokët i izolojnë këta fëmijë dhe i perceptojnë si më tepër agresiv dhe më pak të pëlqyeshëm duke i përjashtuar nga aktivitetet.

Në adoleshencë 2/3 e fëmijëve të diagnostikuar me ADHD vazhdojnë të kenë probleme. Sjellje impulsive, sjellje me rrezik (përdorimi i alkoolit dhe drogës, zënka etj.)

Studimet tregojnë se: 

ADHD prek rreth 5 për qind të fëmijëve të moshës shkollore;

Raporti djem/vajza është 3:1, çrregullim më i zakonshëm tek meshkujt.

Ndonëse ka mjaft studime kërkimore, shkaqet përfundimtare të ADHD-së mbeten të panjohura.
Të folurit është i padëmtuar, por fëmija nuk mund të jetë pjesë e bisedës (ai ndërpret ose i del përgjigja përpara pyetjes dhe dështon të ketë vëmendje në atë që i është thënë).

Trajtimi

ADHD- ja është kronike dhe qëllimet e trajtimit përfshijnë menaxhimin e simptomave, uljen e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit dhe rritjen e vëmendjes së fëmijës, në mënyrë që ai të rritet e të zhvillohet normalisht.

Trajtimi më efektiv është ndërhyrja bihejviorale, psikosociale dhe edukative.

Në shoqatën “Savant”, ekipi profesional i përbërë nga psikolog, defektolog, logoped dhe neuropsikiatër ka arritur rezultate të shkëlqyeshme në trajtimin e këtij çrregullimi dhe këtë e dëshmojnë prindërit dhe dëftesat shkollore të fëmijëve.

Përshtati: Mr. Atixhe Sefa – Psikologe /Familjadheshendeti.com