Të kanë ngelur edhe dy ditë jetë… !

Nga Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog –Nutricionist

A ka të drejtë mjeku të percaktoj ditën apo orën e vdekjes së një pacienti ?

A ndodhin mrekullitë në mjekësi ?


Mjeku, simbol i shpresës

Mjeku zë një vend të rëndësishëm sot në shoqerinë shqiptare. Mjeku dhe personeli mjekësor, sot janë kategoria më e respektuar e pothuajse çdo familjeje. Mjeku sot në shoqërinë shqiptare është simbol i shpresës, simbol i njeriut që ndihmon dhe simbol i optimizmit në raste sëmundjeje e fatkeqësie.

Mjeku do të duhej të ishte një humanist i pa shoq dhe tërë veprimtarinë e tij të përqendrojë në shërbim ndaj njerëzve (të sëmurëve) në çdo kohë dhe vend, kudo dhe kushdo çoftë ai.

Është prkufizim shumë domethënës përkufizimi i Hipokratit tani e shumë shekuj më radhë:” Në çastin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor, premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruajë mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim, do të jetë brenga ime më e madhe “. Ky përkufizim shënon edhe bazament nga ku nisen shumë parime në fushën e mjekësisë. Ky përkufizim përcakton qartë që shëndeti i pacientit do të jetë brenga më e madhe për çdo profesionist mjekësor dhe kjo nuk është pak.

A janë mjekët tanë heronjtë e heshtur të këtij vendi ?

Është thënë me të drejtë se mjekët tanë janë heronjtë e heshtur të këtij vendi, pasi heroizmat e tyre pak raste shfaqen e pak raste kemi kur transmetohet gëzimi i një familje të thjeshtë, kur i shërohet prindi, nuk ka gazeta që shkruajnë për lumturinë e një nëne kur mban në duar foshnjën e porsalindur pas shumë e shumë peripecive, nuk ka gazetë që shkruan kur një fëmijë shpëton pas një operimi të sukseshëm dhe çfarë gëzimi është për tërë familjen dhe tërë këto vijnë në saje të punës së shkëlqyer të një stafi mjekësor të përkushtuar.

Bluzat e bardha ngelen heronjtë e heshtur, pavarësisht kushteve mizerabël që ofrojnë shtetet tona, ku mungon infrastruktura mjekësore, mungesës së pajisjeve mjekësore, medikamenteve (madje edhe atyre bazë), pagës së ulët dhe njëqind problemeve tjera, bluzat e bardha e meritojnë të quhen “Heronjë të heshtur.” Për punën që ofrojne per cdo dite në institucionet tona mjekësore.

A ka te drejte mjeku te percaktoj diten apo oren e vdekjes se nje pacienti ?

Mjeku gjatë punës së tij të përditshme shpesh ndodhet në situata kur humbet pacientët si pasojë e sëmundjeve apo komplikimeve gjatë shërimit. Janë shumë gjendje mjekësore posaqërisht të sëmundjet malinje që mjekët nguten ose me mirë të themi edhe gabojnë në përcaktimin e kohës së vdekjes.

Jo pak raste dëgjojmë se mjeku u ka thënë dërgojeni në shtëpi se nuk ka jetë pos edhe dy ditë, ose nuk shpëtim etj etj.

Ka raste edhe më të rënda që i thon :“ dërgojeni në shtepi se ka jetë vetëm edhe pak orë ” A ka drejtë një mjek të zhvillojë një komunikim të tillë me prindërit apo me pacientin ? Jo, në asnjë mënyrë, jo asnjëherë. Një bisedë e tillë, sidomos duke precizuar saktë diten e orën e vdekjes është jo profesionale, jo njerëzore, jo etike jo humane, shkatërruese për pacientin e familjarët.

Nuk ka më e rëndë sesa ti humbasësh shpresën një pacionti apo familjarëve. Nuk ka më e rëndë dhe me joprefesionale sesa ti rrënosh optimizmin dhe përpjekjet për shërim te pacienti dhe familjarët.

Mjeku nuk do duhej kurrë të zhvillonte rolin e një të gjithëdituri dhe të përcakton vdekjen dhe orën se kur do të ndodhë dhe në këtë mënyrë të vras edhe atë pak shpresë e buzëqeshje që mund të ketë ngelur në jetën e një pacienti e familjarëve apo të dashurve që e rrethojnë.

Është e pafalshme ti shkatërroni orët, ditët apo edhe javët e mbetura.

E vërteta ska nevoj të mos i thuhet por e verteta nuk ekziston në përcaktimin e sakte të momentit te vdekjes të cilin moment as mjeku nuk mund të dije .

A ndodhin mrekullitë në mjekësi?

Si mjek jam dëshmitar i mjaft mrekullive apo të papriturave në shërimin e pacientëve, posaqërisht ata me sëmundje malinje. Ka mjaft raste kur jemi optimistë, por fatkeqësisht pacientët përfundojnë me vdekje siç ka edhe raste kur përkundër të gjitha rrethanave të disfavorshme, fëmija mbijeton dhe jeta e tij të bën të mendosh se nuk jemi ne ata që përcaktojmë momentin e vdekjes dhe as që duhet të pretendojmë diç të tillë.

Kam qenë dëshmitar kur fëmija është lëshuar për trajtim paliativ pasi vdekja ishte e sigurtë, por rrethanat ndryshuan shpejtë, ai fëmijë sot jeton, frymon, buzëqeshë e vazhdon rritja (të mos keqkuptohemi ndodhë rrallë diçka e tillë, por ama ndodhë mund të ndodhë ), ai fëmijë jeton dhe është shembulli më i mirë për të na treguar se duhet të jemi shumë shumë të kujdeshëm në përcaktimin e momenteve të vdekjes. Secili nga personeli mjekësor ka përjetuar raste të tilla dhe e tërë kjo e bën të domosdoshme që mjeku kurrë të mos marrë kompetenca të tilla.

Mund të flas për prognozën në vija të përgjithshme, por kurrë nuk duhet të harroj një shprehje për fund: “ne flasim në bazë të përvojes dhe asaj që kemi kaluar pa harruar se Zoti ka në dorë jetën e fëmijës tuaj dhe është Ai që përcakton vdekjen dhe momentin kur do të ndodhë. Ne do bëjmë tërë atë që kemi në dorë, që të kemi sukses në mjekimin e nevojshëm. Pra, roli i mjekut është ti japë siguri familjarëve e pacientit se do të bëjë të pamundurën në shërimin e suksesshëm.”

Nga përvoja ime

Para tre dite në repartin tim pranova një vajzë 4 vjeçare e cila u diagnostikua me Leukemi. Ishte fëmija i vetëm i dy prindërve pas 15 vite pritjeje. Diagnoza ishte fundi i botës për ta. Pas bisedës intenzive dhe pasi ju spjeguan të gjithë dhe mundësitë e mëdha për shërimin e vajzës, ajo të nesërmen mu drejtua me këto fjalë :

Doktor kur kuptova se vajza ime kishte Leukemi,mu duk se e pashë të vdekur. E çmoj pa masë sigurinë që më ofruat, fjalët që mi thatë në ato momente. E çmoj se nuk më paragjykuat e as nuk u morët me mundësinë e vdekjes së saj. E çmoj se më ofruat optimizëm dhe sot më e sigurtë se kurrë po ju drejtohem se do luftojmë së bashku, do jemi së bashku për të shëruar sepse Zoti e ka në dorë jetën e saj, e ne do të bëjmë punën tonë.

Unë buzëqesha dhe i thashë se është kjo që pres nga ju si prindër. Dhe ky qëndrim me optimizëm do të shtojë edhe më shumë vet prognozën e shërimit, do shtojë edhe më shumë gjasat për shërim të sukseshëm. Nga ajo ditë, çdo mëngjes atë nënë e shoh të buzëqeshur, më optimizëm, me kurajo. Asaj ju rikthye shpresa, ajo besoj dhe zgjodhi të luftojë drejt shërimit. Zgjodhëm edhe ne dhe beteja vazhdon. Buzëqeshja e vajzës së vogël është oguri më i mirë për fundin që na pret. Ajo buzëqeshje ndodhi pas buzëqeshjes së nënës së saj.

/Familjadheshendeti.com