Nga Blerta Kryeziu-Thaqi – Kimiste
Cilat elemente kimike i përmban majdanozi?
Çfarë ndikimi kanë në organizmëm?
Majdanozi është bimë e pasur me shumë elemente kryesore, që drejtpërdrejt ndikojnë në organizmin e njeriut.
Ai është një bimë, që ka në përbërje kalium, kalcium, fosfor, hekur, magnez, mangan, bakër dhe mikroelemente të tjera kimike të rëndësishme për organizmin.
Majdanozi në përmbajtjen e tij ka dhe apioli dhe miristicina, që ndikojnë në rrjedhjen e urinës, duke bërë që të largohen infeksionet nga kanali urinar. Flavonoidet, me të cilat është i pasur majdanozi, ndikojnë si antioksidues, e pos tyre, majdanoz është i pasur edhe me vitamina A dhe C.
Përdorimi i majdanozit në ushqim bënë të mundur që të furnizohet trupi me antioksidantë. Antioksidantët janë përbërës që reduktojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira në trup. Këto të fundit janë molekula të përfshira në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, disa llojeve të kancereve dhe sëmundjeve të tjera që lidhen me plakjen e organizmit. Mendohet se majdanozi i freskët ka veti antioksidante ndonjëherë edhe më të lartë se disa fruta dhe perime. Konkretisht elementët antioksidantë të majdanozit janë apigenina, luteina dhe beta-karotina.
- Majdanozi i dehidratuar është një burim i mirë hekuri. Çdo qelizë e trupit përmban hekur, një mineral themelor për transportimin e oksigjenit dhe formimin e rruazave të kuqe të gjakut. Ai luan gjithashtu rol në prodhimin e qelizave, hormoneve dhe neurotransmetuesve të rinj. Asimilimi i hekurit të majdanozit favorizohet nga prania e vitaminës C.
- Majdanozi është i pasur në vitaminë C, një vitaminë që përveç efekteve antioksidante, ndikon në shëndetin e kockave, kartilagjeve, dhëmbëve dhe mishit të dhëmbëve. Për më tepër, ajo mbron edhe ndaj infeksioneve.
- Majdanozi i dehidratuar është i pasur me magnez, i cili ndihmon në shumë procese metabolike dhe në parandalimin e dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira.
- Majdanozi njihet gjithashtu edhe për efektin e tij kundër erës së keqe.
- Ai zbukuron gatimet me elegancë dhe finesë, praktikisht në të gjitha recetat me kripë mund të hidhet pak majdanoz, ai është plot shije dhe është një bimë me vlera të veçanta antioksidante.
Gjysmë filxhani majdanoz i freskët është një burim i mirë beta-karotine, folati dhe hekuri si dhe një burim i shkëlqyer vitamine C, ndërsa një filxhan majdanoz e furnizon organizmin me 90 mgr kalcium ose 9% të nevojave ditore.
Çaji i bërë nga majdanozi përdoret për të rregulluar ciklin menstrual dhe konsiderohet se ndihmon në normalitetin e mitrës pas lindjes.
Çaji i majdanozit parandalon indet nga thithja e kripës, që ndihmon veshkat dhe mëlçinë. Kjo pije rekomandohet në rastet e infeksioneve të fshikëzës dhe shfaqjen e gurëve të veshkave. Përmban një sasi të madhe të acidit folik./Familjadheshendeti.com