Nga Adelina Kurtolli
FAMILJA: Lauraceae
GJINIA: Cinnamomum
LLOJI: Cinnamomum zeylanicum
Cinnamomum zeylanicum është bimë shumëvjeçare tropikale. Duri i saj është 10-15m i lartë, me lëvore të ngjeshur e të rrudhur. Gjethet i ka vezake të zgjatura. Lulesa cimë përbëhet nga lule të rregullta, shtrati i të cilave ka formë kupe, në buzët e të cilit ngjiten pjesët e rrethlules dhe thekët; në fund të kupës gjendet vezorja.[1]
Kjo specie e ka origjinën nga India Perëndimore dhe Sri Lanka (Ceiloni), por është përshtatur në shumë vende tropikale (Madagaskar, Malejzi, Antile etj.). Plantacionet e Sri Lankës janë më të famshmit.[1]
Kanella është përdorur që nga kohërat antike për arsye të ndryshme[2]. Në mjekësinë tradicionale kineze është përdorur si ilaç për sëmundjet respiratore, digjestive dhe gjinekologjike[3]. Në Egjiptin e vjetër u përdor si aromatizues në pije, u përdor edhe për balsamim dhe poashtu për qëllime mjekësore[2]. Në Evropën mesjetare, kanella ka pasur përdorim të rëndomtë në kuzhinë [2].
Droga përbëhet nga pjesa e brendshme e lëvores së trungut të prerë të bimës[4]. Ajo ka copa të holla, të përkulura në formë tubi, me ngjyrë kafe të hapur, nga jashtë të vijëzuara [5].
Ka erë të fortë karakteristike, aromatike të këndshme dhe shije të ëmbël djegëse[5].
Cinnamomum zeylanicum ka një përbërje të larmishme kimike, ajo përmban[2][4][6]:
- Vajra të avullueshme: cinamaldehid, eugenol dhe acid trans-cinamik;
- Komponime fenolike: tanin, katekin dhe proantocianidin;
- Monoterpene dhe seskviterpene.
- Përbërës të tjerë: oksalat kalciumi, mucilagje, rrëshira, sheqerna etj.
Përbërësit e shumtë aktiv farmakologjik i mundësojnë kësaj bime të ketë efekte të ndryshme terapeutike, si[2][4][6]:
- Antibakterial dhe fungicidal
Në disa studime të bëra in vitro kanella ka shfaqur efekt kundër një vargu të gjerë të baktereve dhe kërpudhave duke përfshirë Bacillus subtilis dhe Salmonella enterica. - Karminativ
Vaji esencial i kanellës zvogëlon kontraksionin e muskujve të lëmuar dhe gjithashtu pakëson gazrat e stomakut. - Ndikon në ndjeshmërinë e insulinës, lipideve dhe glukozes në gjak.
Megjithatë ekziston evidencë e përzier për përdorimin e saj në trajtimin e diabetit. - Veprimet tjera: antioksidant, antiinflamator, antipiretik, anestetik, oreksigjenik, antidiarreik etj.
Ekstrakti i kanellës mund të shfaq interaksion me medikamentet antidiabetike apo antikoagulante.[6]
Përdorimi i kanellës gjatë shtatëzanisë nuk paraqet rrezik nëse doza nuk e tejkalon sasinë që përdoret në ushqim.[2][4]
Kur kanella gëlltitet nga goja tolerohet mirë, por kur aplikohet lokalisht mund të shkaktojë reaksione alergjike[2]. Njihet edhe si irritues i lëkures[4].
Përdoret si pluhur, çaj, kapsulë, vaj apo ekstrakt i lëngët.[6]
___________________
Referencat:
- Mersinllari M. Botanika – Sistematika. Tiranë; 2001.
- Brown L, Cohen M. Herbs & Natural Supplements. An Evidence-based Guide. 2nd
- Ranasinghe P, Pigera S, Premakumara GA, Galappaththy P, Constantine GR, Katulanda P. Medicinal properties of ‘true’ cinnamon (Cinnamomum zeylanicum): a systematic review.BMC Complement Altern Med. 2013;13:275. doi: 10.1186/1472-6882-13-275. [PubMed] [Cross Ref]
- Barnes J, Anderson L, Phillipson J.D. Herbal Medicines: A Guide for Health-Care Professionals. 3rd
- Papajani V, Sima Z. Analiza morfologo-anatomike e drogave bimore mjekësore dhe atlasi mikroskopik. Tiranë; 2007.
- https://nccih.nih.gov/health/cinnamon [updated: April 2012]