Nga Dr.Gojart Pllana Spz. i Kardiologjise me Angiologji
Qendra Klinike Universitare e Kosoves/ Klinika e Kardiologjise
SI TË KUJDESEMI PËR DËMET E SHKAKTUARA NGA YNDYRNAT E LARTA NË GJAK!?
Kolesteroli është një substancë natyrale që prodhohet nga vetë organizmi i njeriut. Pjesa më e madhe e kolesterolit në gjakun tonë (rreth 75%) prodhohet në mëlçi dhe pjesa e mbetur (rreth 25%) vjen nga ushqimet që konsumojmë çdo ditë. Të gjithë e dimë se nivelet e larta të kolesterolit në gjak nuk janë të mira për shëndetin, nga ana tjetër, nivelet e duhura të tij, në fakt luajnë një rol jetik për mbrojtjen e qelizave dhe prodhimin e hormoneve. Studimet referojnë se rreth 1/3 e të rriturve kanë nivele të larta të kolesterolit në gjak.
Zakonisht niveli i lartë i atyre që konsiderohen ndryshe edhe si yndyra, nuk shkakton asnjë simptomë klinike, madje edhe kur nivelet e tij janë shumë herë më të larta se sa ato normale, çka në të shumtën e rasteve vonon edhe diagnostikimin e problemeve shëndetësore që shkaktojnë tek pacienti.
Çfarë shkakton prania e nivelit të lartë të yndyrave në gjak?
Prania e yndyrave të larta në gjak shkakton forcim (humb elasticitetin) të arterieve deri në bllokim të tyre. Kjo e kufizon rrjedhjen normale të gjakut nëpër arterie dhe mund të çojë në probleme të tilla serioze siç janë:
- Sulmi ne zemër dhe/ose
- Goditja ne tru.
Shoqata Amerikane e Sëmundjeve të Zemrës (AHA), rekomandon të gjithë të rriturit mbi moshën 20 vjeç të kontrollojnë te pakten çdo dy vite, nivelin e kolesterolit, ndërsa mbi moshën 40 vjeqare një herë në gjashtë muaj deri në një vit.
Si duhet të jetë niveli i yndyrave në gjak?
Matja e vlerave të kolesterolit bëhet nëpërmjet një testi të gjakut, i cili mat tri gjëra: HDL kolesterolin (kolesteroli i mirë ), LDL (kolesteroli i keq) dhe trigliceridet. LDL kolesteroli (lipoproteinë e kolesterolit me densitet të ulët) është lloji që ka tendencë për t’u depozituar në muret e arterieve. Qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) duke u kombinuar me LDL kolesterolin formojnë pllakëza, të cilat vendosen në arterie të ndryshme duke i ngushtuar ato, dhe duke kufizuar për pasojë rrjedhjen e gjakut. Niveli optimal i LDL kolesterolit për shumicën e njerëzve është 100mg/dL (2.59 mmol/l), ose më e ulët. Nëse vuani nga sëmundje të zemrës ju duhet të përpiqeni që nivelet e LDL të jenë 70 mg/dL (1.81 mmol/l), ose më poshtë. Po jo i gjithë kolesteroli është i keq. HDL kolesteroli, konsiderohet si i “mirë” sepse në fakt, luan rol për të mbajtur nivelet e kolesterolit të keq. Sa më i lartë të jetë HDL , më mirë është. Nivelet e HDL mbi 60 mg/dL (1.55 mmol/l) mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës. Nga ana tjetër nivelet e HDL nën 40 mg/dL (1.04 mmol/l) janë konsideruar si një faktor me rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.
Si duhet të jetë niveli i triglicerideve në gjak?
Trigliceridet janë një lloj i yndyrave që gjenden në gjak, nivelet optimale të të cilave janë 150 mg/dL (1.7 mmol/l). Nivele më të larta sesa kaq, mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës dhe sindroma metabolike. Ndër faktorë rreziku për nivele të larta të triglicerideve përmendim:
- Obezitetin,
- Diabetin,
- Duhanpirjen,
- Përdorimin e alkoolit,
- Jeta sedentare dhe
- Mungesa e aktivitetit fizik.
Çfarë mund të themi në lidhje me kolesterolin që marrim nëpërmjet ushqimit ?
Kolesteroli që marrim me ushqimin nuk është i njëjtë me kolesterolin e gjakut tonë. Për shumicën e njerëzve kolesteroli ushqimor ka një efekt minimal në nivelin e kolesterolit të gjakut. Megjithatë, rreth 30% e njerëzve i përgjigjen (reagojnë) niveleve të kolesterolit ushqimor. Prandaj këta persona duhet të shmangin ushqime me përqindje të lartë yndyrore të tilla si:
- Vaji,
- Mishi i kuq,
- Produkte të qumështit,
- Vezët, si edhe
- Ushqimet e shpejta (fastfood).
Për shumë persona, ushqimet me përmbajtje të lartë të yndyrave nuk janë shkaku i vetëm për nivelet e larta të kolesterolit në gjak. Tek këta persona ndikon edhe gjenetika, e cila përbën arsyen kryesore. Kjo njihet shpesh edhe me emrin hiperkolesterol
Kush rrezikon më tepër nga niveli i lartë i yndyrave në gjak?
Nga pikëpamja gjinore gratë janë më të predispozuara, në mënyrë të veçantë në periudhën e menopauzës. Në këtë rast ndihmon niveli i estrogenit, i cili ulet shumë në periudhën e menopauzës. Prandaj gratë gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që të ushqehen në mënyrë sa më të shëndetshme dhe të ruajnë një peshë normale, gjë e cila ndihmon në menaxhimin e niveleve të kolesterolit në gjak.
Si ta ulim nivelin e kolesterolit?
Rekomandimi kryesor është ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik. Duke qenë se mbipesha është një faktor i lartë rreziku, ushqyerja e pasur me fibra mund të ndihmojë në reduktimin e saj. Ushqimet me përmbajtje të lartë të fibrave përfshijnë frutat, perimet, drithërat, bishtajat dhe fasulja. Për uljen e kolesterolit duhet kufizuar mishi i kuq, duke shtuar në dietë peshk dhe pulë. Kujdes duhet bërë me ushqimet e ferguara dhe ushqimet e shpejta (fastfood). Po ashtu kujdes duhet të tregojmë edhe me përdorimin e karbohidrateve (sheqernat). Për të pasur një plan të ushqyerjes së shëndetshme dhe për të menaxhuar nivelin e kolesterolit në gjak është e nevojshme të konsultoheni me mjekun dietolog. Ata hartojnë protokolle ushqimore në bazë të metabolizmit individual dhe problematikës shëndetësore personale. Të qenit mbipeshë ka tendencë për të rritur nivelin e LDL kolesterolit dhe humbja e peshës mund të ndihmoje në uljen e LDL dhe të triglicerideve,