Nga Dr.Gojart PLLANA – Spz. i Kardiologjise me Angiologji
Qendra Klinike Univeristare e Kosoves/Klinika e Kardiologjise
A duhet marrë një tabletë aspirin cdo ditë?”, kjo është një nga pyetjet më të zakonshme që marrim nga pacientët në Klinikën e Kardiologjisë.
Në praktikën tonë të përditshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kemi mjaft pacient që kur vinë në vizitë për herë të parë janë duke përdorur Aspirin në doza të vogla. Në pyetjen time se pse e bëni një gjë të tillë, përgjigja është:
“ Një i afërm më ka thënë se është e mirë”
“ E marr për të ndihmuar zemrën time”
“ Nuk e di pse, kam mendu se është mirë për shëndetin”
Perveç përdorimit për dhimbje, ethe e temperaturë , miliona njerëz në mbarë botën marrin një dozë të vogël të Aspirinës (75-100mg) për të zvogëluar rrezikun e tyre për sulme në zemër dhe/ose goditje në tru.
A duhet të gjithë të përdorin Aspirine, pa marrë parasysh gjendjes shëndetësore që kemi?
Përgjigja është : JO, nëse një gjë e tillë nuk i’u është përshkruar nga mjeku. Kjo për shkak se ndonjëherë përfitimet jane më të vogla se rreziku për gjakderdhje.
Rekomandimi i AHA (American Heart Association) per perdorimin e Aspirines:
Njerëzit me rrezik të lartë të sulmit në zemër duhet të marrin një dozë të ulët ditore të aspirines (nëse kjo përshkruhet nga mjeku).
Ju nuk duhet të filloni terapinë me aspirina pa u konsultuar me mjekun tuaj. Rreziqet dhe përfitimet e terapisë së aspirinë ndryshojnë për çdo person.
NJIHU ME RREZIQET
Për shkak se aspirina hollon gjakun, mund të shkaktojë disa ndërlikime.
Ju nuk duhet të merrni aspirinë nëse:
- Keni alergji ne aspirine ose jotolerancë.
- Jeni në rrezik për gjakderdhje gastrointestinale ose goditje hemorragjike cerebrale.
- Pini alkool rregullisht.
- Jeni duke iu nenshtruar nje nderhyrjeje kirurgjike ose dentare.
Kur duhet perdorur Aspirine (gjithmone ne konsulte me mjekun)?!
Shumica e sulmeve ne zemer dhe goditjeve ne tru ndodhin kur furnizimi me gjak në një pjesë të muskulit të zemrës ose trurit tuaj është bllokuar. Kjo zakonisht fillon me arteriosklerozë, një proces në të cilin depozitat e substancave yndyrore, kolesterolit, mbetjeve qelizore, kalciumit dhe substancave të tjera krijohen në pjesen e brendshëm të arterieve duke formuar pllakëzat aterosklerotike. Pllakat zakonisht prekin arteriet e mëdha dhe të mesme. Pllakat mund të rriten mjaft të mëdha dhe ne kete menyre reduktojne ndjeshëm rrjedhjen e gjakut përmes arterieve. Por shumica e dëmit ndodh kur një pllakë bëhet e brishtë dhe shkëputet nga muri i arterieve. Pllakat që shkeputen shkaktojnë mpiksjen e gjakut që mund të bllokojnë rrjedhjen e gjakut nëpër arterie.
Nëse një mpiksje gjaku bllokon një enë gjaku që ushqen zemrën, ajo shkakton një sulm në zemër.
Nëse një mpiksje gjaku bllokon një enë gjaku që ushqen trurin, kjo shkakton një goditje në tru.
Aspirina ndihmon në parandalimin e mpiksjes së gjakut dhe ndihmon në parandalimin e sulmit në zemër dhe goditje në tru.
PËRFUNDIM:
Aspirina ështe medikament që shpëton jetë njerëzish kur është e nevojshme të përdoret, përderisa mund të jetë e dëmshme kur përdoret pa nevojë. Prandaj në asnjë mënyre nuk duhet përdorur pa u konsultuar me mjekun tuaj./Familjadheshendeti.com