ZHVILLIMI I INTELIGJENCËS EMOCIONALE TEK FËMIJËT

Nga Brikena Krasniqi Hoti – Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë 
Mr.sc ne Psikologji Klinike dhe Shëndeti

 

Nëse jeni gëzuar shumë kur mësuesja e fëmijës suaj në kopsht apo në shkollë, apo nëse të afërmit tuaj ua kanë thënë, apo edhe pas një vlerësimi tek psikologu iu është thënë që fëmija juaj është shumë inteligjentë, është e kuptueshme që gëzimi juaj ka qenë pa masë dhe keni filluar menjëherë të parashikoni se sa i suksesshëm në jetë do të jetë fëmija juaj.

Megjithatë, duhet të dini se kjo nuk mjafton. Shumë hulumtues në fushën e psikologjisë kanë vërejtur se shumë njerëz me inteligjencë (IQ) mesatare, i kanë tejkaluar dhe kanë pas më shumë arritje personale dhe profesionale, se sa shumë persona me IQ të lartë. Gatë hulumtimeve shumë vjeçare e kanë vërejtur se ajo që luan rol këtu është inteligjenca emocionale. Në fakt ata kanë konstatuar se IQ kontribuon vetëm 20% në suksesin e jetës, pjesa tjetër vjen nga inteligjenca emocionale (EQ).

 

Çka është inteligjenca emocionale?

Aftësia për të identifikuar dhe monitoruar emocionet tek vetja dhe njerëzit e tjerë, për të bërë dallimin ndërmjet emocioneve të ndryshme dhe për t’i emërtuar ato në mënyrë të përshtatshme, si dhe për të përdorur informacionin emocional për të udhëhequr të menduarit dhe sjelljen.

Në praktikë, kjo do të thotë të jemi të vetëdijshëm se emocionet mund të nxisin sjelljen tonë dhe të ndikojnë njerëzit (në aspektin pozitivë dhe negativë) , kështu që duhet të mësojmë se si t’i menaxhojmë ato emocione – si ato tonat ashtu edhe tek të tjerët – veçanërisht kur jemi nën presion.

Nëse e keni pyetur vetën ndonjëherë: Pse njerëzit e mençur bëjnë “budallaqe”? Inteligjenca e dobët emocionale është ndoshta pjesë e shkakut. Kuptimi i inteligjencës emocionale mund të ndihmojë njerëzit të bëhen më të vetëdijshëm për arsyet e këtyre gjykimeve apo veprimeve të dobëta dhe të fillojnë përdorimin e emocioneve të tyre në avantazhin e tyre – të motivojnë vetën dhe të tjerët, të planifikojnë dhe arrijnë në jetën e tyre. Njerëzit më inteligjencë të lartë emocionale janë liderë apo udhëheqës më të mirë dhe më të suksesshëm në kuptimin afatgjatë.

Lajmi i mirë është që, përderisa inteligjenca si aftësi intelektuale apo kognitive (IQ) është kryesisht e lindur, inteligjenca emocionale është kryesisht e mësuar dhe mund të zhvillohet gjatë jetës. Më e mira është nëse fillojmë ta zhvillojmë këtë aftësi në moshë të hershme tek fëmijët tanë dhe ky proces të jetë i vazhdueshëm.

Përbërësit e inteligjencës emocionale janë:

1. Vetëdijesimi dhe njohja e emocioneve tek vetja
2. Menaxhimi i emocioneve – përpunimi i ndjenjave në mënyrë që ato të jenë të përshtatshme.
3. Motivimi – orientimi i emocioneve në shërbim të një qëllimi.
4. Njohja e emocioneve në të tjerët – ndjeshmëria, e cila është aftësia themelore e asaj që na bën njerëzore..
5. Investimi në marrëdhëniet me njerëz – aftësitë në lehtësimin dhe menaxhimin e emocioneve në të tjerët.

Në një kuptim, kemi dy mendje: një që mendon dhe një që ndjen. Mendja racionale na lejon të mendojmë, të peshojmë dhe të reflektojmë. Por mendja emocionale është impulsive dhe e fuqishme. Zakonisht, të dyja punojnë në harmoni, por ndjenjat intensive nganjëherë bëjnë që mendja emocionale të mbizotërojë në mendjen racionale. Pra inteligjenca kognitive (IQ) dhe inteligjenca emocionale (EQ) nuk janë të pavarura, por janë të ndërlidhura dhe e ndihmojnë njëra tjetrën.

Baza e mirëqenies emocionale dhe mendore është aftësia jonë për t’i identifikuar ndjenjat tek vetja dhe për ti shprehur apo komunikuar ndjenjat tona tek të tjerët. Ky është qelësi i inteligjencës emocionale, e cila mund të zhvillohet dhe fuqizohet tek secili prej nesh. Në mënyrë që tek fëmija të zhvillojmë vet ndërgjegjësimin për ndjenjat e veta, udhëzimet dhe modeli i prindërve janë qenësore.

 

SI MUND TË ZHVILLOJMË INTELIGJENCËN EMOCIONALE TEK FËMIJËT?

1. Jeni model i mirë.
Fillimisht ju duhet të jeni një shembull i mirë për fëmijën, në lidhje me mënyrën si i komunikoni dhe shprehni ndjenjat tuaja. Bëjeni si rutinë familjare, ku flitet lirshëm për ndenjët e njëri tjetrit, në një atmosferë ku të gjithë anëtarët e familjes, në të gjitha rrethanat, i pranojnë të gjitha ndjenjat si njerëzore dhe normale. Duke përfshirë edhe ato ndjenja negative, siç janë zemërimi, pikëllimi, mërzia, frika, etj. Nëse prindi apo një anëtarë më i rritur është i zemëruar apo i mërzitur, duhet t’i shpjegoni fëmijës se si po ndihet nëna, babai apo motra e tij e madhe, duke i verbalizuar dhe pranuar ndenjët e tjetrit, si dhe duke i shprehur e duke u sjellë në mënyrë të përshtatshme. E dimë që si njerëz nuk mund të jemi të pagabueshëm dhe ndonjëherë ndjenjat edhe mund të na shpijnë në sjellje të papërshtatshme, por këto nuk do të duhej të ndodhin shpesh, dhe nëse ndodhin, shpjegoni fëmijës se ishte e gabuar ajo që bëtë dhe kërkoni falje nëse jeni sjellë keq me fëmijën. Kështu edhe ai do të dijë ta bëjë të njëjtën gjë. Dhe më e mira, do të mësoj se t’i pranoj edhe ndjenjat e veta.

2. Jini vigjilentë dhe të kujdesshëm për emocionet e fëmijës suaj.
Ndihmojeni fëmijën tuja që të mësoj të identifikoj ndjenjat e veta. Jeni të ndjeshëm ndaj çdo lloj emocioni që ka fëmija. Vini re sjelljen e fëmijës tuaj. Tregoni fëmijës tuaj se çfarë mendoni ju se si po ndjehet ai/ajo ose ri konfirmoni ndjenjat që fëmija shfaq, në rastet kur ai/ajo nuk është në gjendje të shprehë ndjenjat e tij në mënyrë adekuate.

3. Dëgjoni kur fëmija shpreh ndjenjat.
Jepni fëmijës tuaj vëmendjen tuaj të plotë gjatë dëgjimit të shprehjes së tyre emocionale. Reflektoni mbrapa atë që dëgjoni, duke i thënë fëmijës tuaj se ju e kuptoni atë që fëmija po e përjeton. Nxiteni fëmijën tuaj të shprehë ndjenjat e tij me fjalë.

4. Emëroni emocionet/ndjenjat e tyre.
Pasi ta keni dëgjuar plotësisht, ndihmoni fëmijën tuaj të zhvillojë fjalorin për shprehjen e tyre emocionale. Mësoji fëmijës tuaj të kuptojë dhe të shprehë emocionet, duke diskutuar ndjenjat që lidhen me ngjarjet ditore, duke demonstruar dhe modeluar shprehjet e ndjenjave.

5. Ndihmojeni që të kuptojë ndjenjat e të tjerëve.
Inkurajoni fëmijën tuaj të kuptoj këndvështrimin dhe gjendjen emocionale të tjerëve. Një strategji është të lexohen librat me tregime duke diskutuar ndjenjat e personazheve dhe situatat në të cilat karakteret janë të përfshira.

6. Ndihmoni fëmijën në pranimin ë dështimeve
Ndihmoni fëmijën tuaj të trajtojë, pranojë gabimet dhe dështimet. Ndihmoni që ai të mund të mësojë nga gabimet e tij, duke qenë ju inkurajues dhe jo gjykues apo ndëshkues Ndihmoni fëmijën tuaj të përballojë emocionet e tij ose saj duke zhvilluar aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Kjo përfshin ndihmën që fëmija juaj të përcaktojë qëllimet dhe të krijojë zgjidhje të pavarura por të mbështetura nga ju, për të arritur këto qëllime.

 

KËSHILLË PËR VET PRINDËRIT

Prindërit, duhet të kujdesen për gjendjen e tyre emocionale, në mënyrë që t’i keni përmbushur nevojat tuaja emocionale dhe psikologjike. Ky është kushti i parë që të jeni në gjendje t’i ndihmoni fëmijës të zhvilloj inteligjencën emocionale. Prandaj, përpiquni që të jeni pozitiv, optimist dhe merrni kohën dhe kujdesin që ju duhet, që të relaksohuni dhe të menaxhoni stresin nga përditshmëria. T’i kushtoni kohë vetës suaj, dhe ndoshta të largoheni kur mundeni nga shtëpia apo fëmijët, nuk do të thotë assesi që jeni prind i keq. Duke u kujdesur për vetën, jeni më të gatshëm që të kujdeseni aq sa duhet për fëmijën tuaj./Familjadheshendeti.com