Nga Dr. Ardiana Perjuci Begolli – Endokrinologe
Dieta diabetike është një prej komponentëve kryesore gjatë mjekimit bazik të diabetit pavarësisht se nga cili tip i diabetit vuan personi. Ka rëndësi shumë të madhe tek individët me diabet që kanë mbipeshë apo obezitet.
Është vërtetuar që rënia 5-10% e peshës trupore përmirëson glikeminë, tensionin arterial, yndyrnat në gjak dhe cilësinë e jetës. Prandaj, një prej objektivave kryesore të mjekimit të diabetit është normalizimi i peshës trupore e cila është e përcaktuar me indeksin e masës trupore (BMI) që normalisht është 18.5-24.9 kg/m2.
Ushqimi te diabetikët nuk dallon shumë prej ushqimit të personave të shëndoshë. Ndryshimi është vetëm në sasinë e disa ushqimeve dhe mënyrës së përgatitjes. Duhet shmangur ushqimet e fërguara. Preferohet ushqimi që përgatitet me zierje, pjekje në folie, në skarë dhe sa më pak të përdoret yndyra gjatë përgatitjes.
Rekomandohen 5-6 shujta në ditë: 3 shujta kryesore dhe 2 – 3 mes-shujta. Distanca kohore në mes racioneve duhet të jetë së paku 3 orë.
Shujtat kryesore duhet të përbëhen nga 50% karbohidrate, 20% proteina dhe 30% yndyrna.
Ushqimet që duhet ndaluar, përveç gjatë mjekimit të hipoglikemisë, janë çokollata, lëngjet me sheqer, pijet e gazuara, mjalta, ëmbëlsirat, yndyrnat me prejardhje shtazore (preferohet të përdoren yndyrnat me prejardhje bimore, sidomos vaji i ullirit).
Karbohidratet janë përbërës kryesor të ushqimit që shërbejnë si burim i energjisë të të gjitha qelizave të organizmit. Karbohidratet mund të jenë të thjeshta dhe të përbëra. Te pacientët me diabet preferohen karbohidratet e përbëra sepse zbërthehen ngadal dhe glukoza në gjak rritet gradualisht. Ushqimet e pasura me karbohidrate të tilla janë: perimet, drithërat, patatet, bishtajat.
Buka – preferohet ajo e thekrës. Mos konsumoni më tepër se 1-2 rriska bukë gjatë një shujtë kryesore. Mundohuni që gjatë të konsumimit të pasulit, orizit dhe makaronave mos të konsumoni bukë.
Proteinat janë shtazore dhe bimore. Sa i përket proteinave shtazore rekomandohet mishi i pulës (2 herë në javë), peshk (1-2 herë në javë), mishi i viçit (pa dhjamë, 1-2 herë në javë). Nuk rekomandohet konsumimi i sallamave meqë kanë 50% dhjam. Proteinat shtazore gjinden edhe te bylmeti (si kosi, djathi, gjiza, qumështi) dhe vezët. Preferohet që produktet e qumështit të përmbajnë 1.5% yndyrë. Mos konsumoni më tepër se një gotë qumësht ose dhallë (ajran).
Proteinat bimore gjinden te bishtajat (fasulet, thjerrëzat, bizelet), frutat e thata (arrat, lajthitë, kikirikët, bajamet) konsumimi i të cilëve është mjaft i shëndetshëm sepse gjithashtu kanë edhe lëndë anti-oksidante. Bishtajat rekomandohet të konsumohen 1-2 herë në javë, ndërsa frutat e thata jo më shumë se 20-30 gram në ditë.
Sa i përket frutave: ato kanë sasi të mjaftueshme të karbohidrateve prandaj edhe preferohet të merren në kuadër të mes-shujtave sepse e parandalojnë hipoglikeminë në periudhën mes dy shujtave kryesore. Në qoftë se konsumohen menjëherë pas shujtës kryesore, atëherë do të kemi ngritje të glikemisë. Frutat nga ana tjetër ju ofrojnë elemente të rëndësishme për shëndetin si vitamina, minerale, fibra dhe lëndë anti-oksidante. Rekomandohen 150-200 gram në një mes-shujtë dhe jo më shumë meqenëse në 100 gram fruta ka 15-25% karbohidrate. Nuk preferohet konsumimi i bananes, fikut, rrushit dhe hurmave. Nëse konsumohet sasi e madhe e frutave, atëherë energjia e tepërt e marr nga to depozitohet si dhjam në bark. Preferohen mollët, por në sasi të duhur.
Preferohet përdorimi i perimeve në sasi të pakufizuar si domatet, trangujt, lakra, lulelakra, brokoli, sallata e gjelbër, bamje, patëllxhan i zi, rukolë, speca, qepa, etj. sepse këto kanë pak karbohidrate dhe njëjtë si frutat kanë fibra, kripëra minerale, etj. Konsumimi i perimeve gjatë çdo shujte kryesore do të ndikojë që të zvogëlohet konsumimi i ushqimeve me shumë kalori, sepse e zënë një pjesë të volumit të stomakut dhe në këtë mënyrë e nxisin ngopjen.
Fibrat nuk janë as vitamina e as kripëra minerale, nuk përmbajnë kalori, prandaj kanë rëndësi në dietën tuaj. E pengojnë kapsllëkun, e stabilizojnë jashtëqitjen, ndikojnë në uljen e yndyrnave në gjak dhe po ashtu ndikojnë në zvogëlimin e përthithjes së karbohidrateve prandaj ndikojnë që glikemia në gjak të ngritet gradualisht pas ngrënies.
Kripa është e domosdoshme për ushqimin e përditshëm por duhet pasur kujdes sepse mund të ndikojë në tensionin e lartë të gjakut. Ëmbëlsuesit (p.sh. saharina, aspartani…) zëvendësojnë sheqerin, prandaj përdoren me çaj ose kafe. Sasia e lejuar e tyre është 8 tableta në ditë.
Lëngjet – rekomandohen 2 litra ujë në ditë. Mos konsumoni në vend të ujit lëngje të ëmbëla apo dhallë (ajran) pasi ato e ngrisin sheqerin në gjak. Të qartësohet: ajranin mund ta pini si mes-shujt por jo si zëvendësim të ujit gjatë ditë.
Nëse keni etje mos e duroni atë për të shmangur urinimin por konsumoni ujë sepse rrezikoheni që të ju pakësohen lëngjet në trup dhe rritjen e theksuar të sheqerit në gjak.
Dieta preferohet të shoqërohet me aktivitet fizik, sepse kështu do të zvogëlohet masa dhjamore për dallim prej dietave të cilat nuk shoqërohen me aktivitet fizik e të cilat ndikojnë në pakësimin e masës muskulore e jo asaj dhjamore. Mënyra më e thjeshtë e aktivitetit fizik është ecja në një distancë të tolerueshme, e cila rritet gradualisht çdo javë derisa të arrijë 45-60 minuta në ditë. Nëse nuk keni mundesi të ecni çdo ditë atëherë preferohet që së paku ta bëni 3-4 herë në javë. Personat me diabet që mjekohen me insulinë duhet të kenë kujdes gjatë aktivitetit fizik sepse rrezikohen nga hipoglikemia. Në këtë rast, preferohet që të mbani ndonjë biskotë me veti.
Mësoni të konsumoni të gjitha llojet e ushqimeve në sasinë e duhur, në kohën e duhur, në kombinim të duhur dhe kujdes: nuk është vështirë të ulni peshën por që ta mbani peshën e duhur./Familjadheshendeti.com