Nga Gratë për Gratë!

Nga Nada Dosti

“Ekziston një vend i posaçëm në zjarr për gratë që nuk ndihmojnë gratë e tjera”
Madeleine Albright

Metaforikisht për të treguar se sa të liga janë gra që nuk ndihmojnë gra të tjera, madje mundohen vetëm të hedhin baltë mbi to.

Feminizmi si Veganizmi, më thotë një ditë një mikesha ime profesoreshë. Sepse ka dalë në modë: sot të jesh feministe, të merresh me “punët e grave” është kthyer në trend. Shumica prej tyre janë vetë femrat. Do kapen pas mbulesës apo zbulesës..me make up apo pa të, me dimija apo pa dimija. Do kapen me gratë në karrierë sepse kanë lënë pas dore familjen si dhe me gratë shtëpiake të cilat një karrierë nuk e kanë. Do kapen me gratë të cilat zgjedhin të frekuentojnë kafenetë apo ato te cilat preferojnë relaksin e shtëpisë. Me ato që zgjedhin mos të bëjnë fëmijë apo ato që shumë fëmijë po bëjnë. Ato që zgjedhin të jenë beqare apo ato që janë martuar shumë të reja e më keq akoma shumë të vjetra.

Duhet kuptuar se Zoti na ka krijuar të ndryshëm dhe të ndryshme do të jenë dhe zgjedhjet tona në jetë. Se përparësitë, kushtet dhe mendësia na karakterizojnë dhe na përcaktojnë. Lërini femrat të zgjedhin vetë se kush duan të jenë dhe çfarë duan të bëjnë. Mjaft më u morët me punët e të tyre por fokusohuni tek vetja. Ju që ngrini flamurin për të drejtat e grave në ndonjë fshat apo katund po edhe në mes të kryeqytetit, se si abuzohet me to, se si nënshtrohen dhe detyrohen t’u binden traditave dhe mendësive patriakale, çfare keni bërë ju për ta ndryshuar këtë realitet? Cfarë keni dhënë ju si kontribut ndaj kësaj shoqërie? Kush e ka marrë mundimin t’u dhurojë një libër atyre femrave të prapambetura apo të mbyllura, që ju i quani si të tilla. Kush e ka marrë mundimin t’u ofrojë atyre një kurs falas nga diçka që dini, lëre pastaj t’ua mbajë fëmijët që ajo të ketë pak kohë për veten, të pushojë apo të lexojë diçka?

Në vend që energjitë tona t’i investojmë në kauza madhore që prekin femrën në veçanti apo shoqërinë në përgjithësi, merremi me feminizma idiote që nuk të çojnë gjëkundi.

Dhe një këshillë të fundit: para se të gjykosh një femër pyete një herë mos ndoshta vetë e ka zgjedhur atë gjendje që është apo rrethanat e kanë detyruar. E në vend që të mallkoni meshkujt për çdo frustrimin tuaj duhet ta dini se meshkujt janë viktimat e para të vetë maskilizmit dhe rendit patriakal.

Andaj nisjani nga vetja, kontriboni diçka për të ndryshuar këtë realitet: këshilloni dhe edukoni ato që keni nën kujdestari, lexoni e shkruani, dhuroni libra, ofroni kurse apo shpërndani mundësira për të ndihmuar në integrimin e femrave në shoqërinë tonë. /Familjadheshendeti.com