Pa hulumtime shkencore, në çdo dy sekonda mund të vdiste një njeri nga kanceri deri në vitin 2030

Nga Dr. Jeton Zenuni – Transfuzion i gjakut
dhe
Adelina Kurtolli

 

Shkenctarja shqiptare dr. Egesta Lopci:
Pa hulumtime shkencore, në çdo dy sekonda mund të vdiste një njeri nga kanceri deri në vitin 2030

Kanceri, kjo sëmundje që çdo ditë po merr jetëra të panumërta njerëzish. Bazuar në hulumtimet e OBSH-së mortaliteti nga kanceri është në rritje dhe vazhdimisht paraqiten raste të reja të pacientëve me lloje të ndryshme të tumoreve.
Tumori apo neoplazma është rritje e çrregulluar e qelizave e cila manifestohet me proliferim agresiv të tyre.
Tumoret malinje janë sëmundje që janë paraqitur përgjatë tërë historisë njerëzore. Padyshim që për të trajtuar këtë sëmundje janë bërë hulumtime të vazhdueshme.
Në mesin e hulumtuesve më të mëdhenj të kësaj fushe, bën pjesë edhe shqiptarja shkodrane dr. Egesta Lopci. Kjo vajzë shqiptare, modeste dhe shumë e arritur në hulumtimet shkencore për luftimin e kancerit me punën dhe përkushtimin e saj na ka bërë krenarë gjithë shqiptarëve. Hulumtuesja shqiptare thotë: “Pa hulumtime shkencore, në çdo dy sekonda mund të vdiste nga një njeri nga kanceri deri në vitin 2030.”

Biografi e shkurtër rreth karrierës së Egestës
Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “28 nëntori” në Shkodër. Pastaj ka vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Bologna, Itali, të cilin e përfundoi me sukses maksimal në vitin 2006. Aty edhe vazhdoi me specializimin në mjekësinë bërthamore, për ta përfunduar rreth pesë vitë më vonë. Pastaj, në po të njëjtin universitet, ka vazhduar me doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive.
Egesta përgjatë viteve të punës së saj kërkimore në fushën e kancerit, është dekoruar shumë herë me çmime të larta. Ajo është autore dhe bashkautore e shumë artikujve dhe librave shkencorë në lidhje me diagnostifikimin e sëmundjeve tumorale.
Dr. Lopci është mjeke në spitalin “Humanitas” në Milano, relatore për masterin e hematologjisë pediatrike në “La Sapienza” në Romë si dhe anëtare e Komisionit Pediatrik dhe Etik në Shoqatën Europiane të Mjekësisë. /Familjadhendeti.com