Kanceri i gjirit – diagnostikimi i hershëm shpëton jetën

Dr. Samire Ademi Lutolli
Specialist Gjinekolog-Obsteter

Kanceri i gjirit është quajtur edhe vrasës i heshtur ,vrasës i pamëshirshëm pasi merr për çdo vitë me miliona jetë në mbarë Botën. Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë. Njëkohësisht është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç.
Një në tetë gra preket nga kanceri i gjirit dhe numri i grave të prekura nga kjo sëmundje është një rritje. Në Shqipëri për vitin 2017 ka patur 550 raste të reja.
Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që numri i të sëmurëve nga kanceri do të rritet nga 14 milionë në vitin 2012 në 24 milionë në vitin 2035, ndërsa numri i të vdekurve do të rritet me 8,2 milion në 13 milionë. Shifra që mjaftë alarmante.
Kanceri i gjirit mund të shoqërohet edhe me shenja të hershme por jo shumë femra janë të afta t’i kuptojnë këto sinjale, duke bërë që sëmundja të avancojë pa u ndaluar. Kjo është e dhimbshme kur dihet e vërteta se diagnostikimi në stadin e parë në shumicën e rasteve ka shërim të plotë.

Cilat gra janë të rrezikuara për kancerin e gjirit ?

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës, sidomos moshat mbi 50 vjeç. Kuptohet kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.
Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.

Faktorët e rrezikut përfshijnë:

– Mosha-rreziku rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken dhe moshat e reja .
– Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.
– Ndryshimet apo një defekti gjenetik në disa gjene, deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i ketij ndryshimi.
– Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.
– Fillimin e hershëm të menstruacioneve para moshës 12 vjeç apo menopauze e vonshme, pas moshës 55 vjeç janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.
– Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vjet.
– Densiteti i shtuar i indeve të gjirit
– Mungesën e theksuar aktivitetit fizik dukuri shumë e shprehur e viteve të fundit
– Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës dukuri mjaft e shprehur viteve te fundit
– Alkooli dhe pirja e duhanit
– Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore
Nëse një grua ka disa nga faktorët e rrezikut për kancer gjiri, ajo duhet të flasë dhe te jetë në kontakt të ngushtë me mjekun e saj lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë.

Cilat janë shenjat e kancerit në gji ?

Jo të gjitha shenjat paraqiten ngjashëm tek të gjithë njerëzit. Njerëz të ndryshëm kanë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë.
Megjithatë shenjat orjentuese janë si më poshtë:

• Një masë, gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Kuptohet kjo duhet konstatuar pastaj a është kancer i gjirit apo mund të jetë edhe një proces inflamator, jo çdo gjëndër në gji është kancer.
• Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit. Deformimi, trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.
• Ndryshime të dukshme lëkurës së gjirit, skuqje, plagë, çarje apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit apo përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit
• Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.
• Dhimbje në gji e cila vjen duke shtuar intensitetin
• Disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit dhe duhet egzaminuar deri ne diagniostikimin e tyre
Ndonjëra nga këto shenja nuk do të thotë se një femer ka kancer gjiri por do të thotë se duhet patjetër të shkoj për egzaminim të afërt të mjekut.

Vendosja e diagnozës

Ështe e rëndësishme të theksojmë se kanceri i gjirit mund të mos japë asnjë simptomë të veçantë gjatë zhvillimit në fillim, fazën e parë. Për këtë arsye është shumë e rëndesishme kontrollat rutinë dhe të planifikuara në mënyrë që kanceri i gjirit të kapet në fazen e parë. Në shtetet e zhvilluara kjo çështje është e rregulluar me ligj dhe çdo grua obligohet të realizoj kontrollën dhe mamografinë në kohë të caktuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë.

Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin si:

– Vetëkontrolli mujor i gjirit (palpacioni) si hap i parë
Ka shumë rëndësi që çdo femër të realizoj vetëkontrollin mujor të gjirit. Bëhet një herë në muaj që nga mosha 20 vjeç
Fillon me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me radhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Shumë raste të kancerit të gjirit zbulohen nga vetë gratë pikërisht falë këti kontrolli që i bëjnë vetvetës. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

– Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor
(Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet. Në raste kur dyshoni diç, duhet të realizohet pa humbur kohë vizita te mjeku dhe kontrolla përkatëse)

– Mamografia
Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Pamjet e mamografisë tregojnë detaje dhe pamje të gjirit të marra nga kënde të ndryshme.. Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg. Kjo nuk do të thotë që ju keni kancer ose keni nevojë për kirurgji. Bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë.

– Ultrazëri dhe Rezonanca magnetike në raste më të rralla

Si trajtohet kanceri i gjirit ?

Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimit.

SI TË PËRBALLOSH EFEKTET ANËSORE ?

Ndër efektet anësore që shkaktojnë disa trajtime të kancerit, janë: rënie e flokëve, të përziera, këputje kronike, dhembje, depresioni . Këto efekte mund të pakësohen nëse ndjek hapat e thjeshtë më poshtë:

● Ushqehu mirë që të forcosh sistemin imunitar. Ka shumë rëndësi ushqimi i pasur dietologjik gjatë tërë procesit por edhe pas procesit të shërimit.
● Bëj ushtrime fizike të lehta si ecje në natyrë, që të mbash nën kontroll peshën dhe të forcosh sistemin imunitar.
● Pusho herë pas here, mundohu që të bësh gjumë të mjaftueshëm.
● Mbaje lëkurën të hidratuar. Vish rroba të lirshme. Bëj banjë me ujë jo shumë të ngrohtë.
● Shoqërohu me gra tjera që kanë kaluar te njejtin problem, shoqërohu me ata që ju kuptojnë dhe me të cilët mund të ndani brengat e rrugës që po kaloni
● Kërkoni ndihmën e psikologut nëse eshte e nevojshme

Për në fund:

Në të kaluarën, për një grua me kancer gjiri e vetmja shpresë për të, ishte mastektomia rrënjësore​-një operacion, shfytyrues i gjirit, ku hiqet gjiri, disa gjëndra limfatike në kraharor e sqetull dhe muskuj të kraharorit. E tërë kjo kishte nje efekt të rëndë psikologjik me një grua për jetën e mëtejme.
Studimet e vazhdueshme mjekësore tani japin shpresë se trajtime të reja, analiza që studiojnë aspektin gjenetik ndaj kancerit dhe dieta që pengojnë zhvillimin e tij, në fund do ta mundin këtë sëmundje.
Ne si shoqëri te realizojmë atë që kemi ne duart tona. Nuk ka ende një mënyrë efikase për parandalimin e kancerit të gjirit por ka rrugë për të zvogëluar shanset për t’u sëmurë nga kanceri i gjirit. Kjo rrugë është një jetë e shëndetshme dhe stil jete në gjendjen normale shëndetsore.
E fundit: mos neglizhoni diagnostikimin e hershëm. Kontrollet e rregullta te mjeku dhe diagnostiikimi i hershëm kanë 100% mundësi për shërimin e plotë. /Familjadheshendeti.com