LAMTUMIRË

Nga Fatmir Baci

Lamtumirë, dhe më qofsh e lumtur.
Ti çerdhen do e thurrësh, diku ngrohtë.
Shtegtarët si unë, ngaherë rrugëhumbur.
Këmbejnë gaz për ndarje, bredhur nëpër botë.

Rrugët pa fund, shtigje pak përreth.
Të gjithë të qeshur, princër e princesha.
Unë rrugaç i lodhur, që kërkon e bredh.
Një plagë s’jua thashë, një tjetër jua fsheha.

Lamtumirë princeshë, s’jemi të një gjaku.
Në ëndrra më grishe, s’të lashë në ëndërr vetëm.
Lajthitëm çmenduritë, ishte natë e çartur.
Ika se më ikej, se veç ikjet mbeten.

Ndoshta prapë një ditë, do shihemi. Se kur… (!)
Në pranga prej ari, kur të jesh mbërthyer.
Vlaga prapë do feksë, e ikja pa zhurmë,
Sërish shkulm e ngrohtë, do trokasë në dyer.

Me fjalë të pafjala, do ta dehim heshtjen.
Zemrat do t’i ndalim, as frymë, as pipëtimë.
Unë princ i leckosur, kalorës buzëqeshjesh.
Ti rrugaçe fjetur, në mëndafshe ngrirë.

Mundet prapë do kemi, një natë prej magjie.
Ndonëse si dikur, s’do të jetë aq e lehtë.
Zjarr dhe prush i vjetër, dyfish çmendurie.
Natë, si gur i çmuar, njëqind fish e fshehtë.

Dhe prapë lamtumirë, princeshë e lumtur.
Me ikjet po iki, stuhisë ku era lot.
Shtegtarët si unë, ngaherë rrugëhumbur.
Këmbejnë gaz për ndarje, bredhur nëpër botë. /Familjadheshendeti.com