Mutizmi Selektiv

Nga Adelina Haxhiu – Logopede

Mutizmi selektiv është një çrregullim anksioz që shfaqet që në fëmijëri dhe karakterizohet nga paaftësia e fëmijës për të folur dhe komunikuar në ambiente të veçanta, si kopsht, shkollë etj. Këta fëmijë janë në gjendje të flasin dhe komunikojnë në mjediset ku janë të rehatshme dhe të sigurta.

Karakteristikat e Mutizitm Selektiv janë të lidhura ngushtë me simptomat e fobisë sociale, pasi fëmijët duket se mbajnë një frikë të fortë të ndërveprimit dhe komunikimit nga frika se mos gjykohen negativisht. Mund të duket i padëmshëm në një afat të shkurtër. Mirëpo, nëse nuk trajtohet në fillim, çrregullimi mund të pengojë zhvillimin e shkathtësive esenciale të komunikimit në vitet e ardhshme, në adoleshencë dhe më tutje.

Mutizmi Selektiv prek rrethë 1 në 140 fëmijë të vegjël. Është më shumë i zakonshme tek vajzat, dhe fëmijët që mësojnë një gjuhë të dytë, (2-4 vjeç), që i ekspozohen një gjuhe të dytë, si ata që sapo kanë migruar nga vendi i tyre i lindjes.

Shenjat e para që prindërit duhet të shqetësohen kur:

  • Fëmija nuk flet kurrë në prezencën e të panjohurve dhe miqve të familjes ose në ambientet shkollore. Ndërkohë që fëmija nuk ka asnjë vështirësi për të folur në shtëpi.
  • Pas muajit të parë të shkollës ose kopshtit fëmija vazhdon të mos i përgjigjet mësueses ose fëmijëve të tjerë nëse e pyesin.
  • Gjatë lojës në park ose në shkollë, fëmija nuk komunikon me të tjerët për të marrë pjesë në lojërat lëvizëse.

Shkaqet e Mutizmit Selektiv:
Mutizmi Selektiv zakonisht fillon në fëmijërinë e hershme, në mes të moshës 3 dhe 8 vjeçe, moshë e cila përkon me frekuentimin e kopshtit, shkollës dhe ambienteve tjera.

Para disa kohësh ishte i përhapur mendimi që mutizmi selektiv varej nga mungesa e dëshirës së fëmijës për të folur me të tjerët. Por në fakt, me kalimin e viteve, studimet kanë treguar se shkaqet e shqetësimeve e kanë origjinën e tyre tek ankthi. Duke filluar nga shenja ankthi të rënda, siç janë: ankthi i ndarjes, çrregullimet e shpeshta dhe të qarat, mëritë, mungesa e fleksibilitetit, problemet e gjumit dhe drojë ekstreme etj.

Pra, ankthi dhe paniku i vazhdueshëm janë ata që e pengojnë fëmijën të flasë, edhe kur ai do të donte të ishte pjesë aktive e bisedave. Mirëpo, jo të gjithë fëmijët shfaqin ankthin e tyre në të njëjtën mënyrë. Disa mund të jenë krejtësisht të heshtur, të paaftë për të folur ose për të komunikuar në një mjedis shoqëror, të tjerët mund të jenë në gjendje të flasin me persona të caktuar ose të pëshpërisin.

Rreth 20-30% të fëmijëve me mutizëm selektiv kanë anomali te gjuhës dhe të folurit. Siç janë anomalitë e gjuhës receptive, ekspresive dhe vonesat gjuhësore. Dhe një çrregullim i gjuhës, të folurit ose problemet me dëgjim, mund të bëjë të folurit edhe më të vështirë. Mirëpo, është e rëndësishme të theksohet se ka edhe shumë fëmijë me mutizëm selektiv, të cilët janë folës të hershëm, pa ndonjë vonesë në gjuhë dhe të folur.

Fëmijët me mutizëm selektiv kanë tendencë të hanë thonjët, vështirësi në rregullimin e emocioneve, tërheqje shoqërore dhe priren të keqinterpretojnë kontaktet në klasë etj.

Prandja është e rëndësishme për prindërit dhe mësuesit që të kuptojnë se simptomat fizike dhe ato të sjelljes janë për shkak të ankthit dhe trajtimi duhet të përqëndrohen në ndihmën e fëmijës për të mësuar aftësitë përballuese, për të luftuar ndjenjat anksioze.

Rëndësia e diagnostikimit të hershëm:
Mutizmi selektiv është një çrregullim ankthi, dhe nëse nuk trajtohet, mund të ketë pasoja negative gjatë gjithë jetës së fëmijës, dhe për fat të keq hap rrugën për një sërë pasojash akademike, sociale dhe emocionale të tilla si:

  • Depresion dhe manifestimet e çrregullimeve të tjera të ankthit;
  • Izolimi dhe tërheqja sociale;
  • Vetëbesimi i dobët;
  • Refuzimi i shkollës, performanca e dobët akademike dhe mundësia e braktisjes së shkollës;
  • Marrja e drogës ose alkoolit
  • Mendime vetëvrasëse dhe vetëvrasje të mundshme.

Trajtimi i mutizmit selektiv:
Me trajtimin e duhur, shumica e fëmijëve janë në gjendje të kalojnë mutizmin selektiv.

Efektiviteti i trajtimit do të varet nga:

  • sa kohë personi ka pasur mutizëm selektiv;
  • pavarësisht nëse kanë apo jo vështirësi apo shqetësime të komunikimit.

Mirëpo, trajtimi nuk përqendrohet në vetëm në pjesën e të folurit, por edhe në reduktimin e ankthit, i cili është i lidhur me të folurit. Kjo fillon duke hequr presionin mbi personin për të folur. Ata pastaj gradualisht duhet të përparojnë nga çlodhja në shkollë, kopsht ose mjedis shoqëror, për të thënë fjalë dhe fjali të vetme, para se të jenë në gjendje të flasin lirshëm me të gjithë njerëzit, në të gjitha mjediset.

⚡️Këshilla për prindërit:
Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj simtomave dhe kohëzgjatjes së tyre, si dhe t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për kalimin e kësaj gjendje. Sepse prindërit janë ata që kanë rolin kyq në zhvillimin gjuhësor të fëmijës. Ata mund t’i ndihmojnë në shumë mënyra, por, më e rëdësishmja është që të mos e bëni femijën të flet pa dëshirë, me presion, si dhe mos i neglizhoni ata. Po ashtu:

❌Nuk duhet kritikuar fëmijën gjatë të folurit;
❌Nuk duhet ndaluar gjatë të folurit;
❌Nuk duhet përmirësuar gjatë të folurit;
❌Nuk duhet përqeshur se si flet;
❌Sa më shumë situata komunikimi me fëmijën
❌Lexoni tregime, përralla, poezi etj;
❌Jepni sa më shumë lavdata;
❌Falënderoni përpjekjet dhe arritjet e fëmijës etj.

Mos harroni, ju si prindër keni rolin kryesor në përmirësimin e gjendjes së fëmijës, prandaj: Qëndroni pozitiv ndërsa fëmija me mutizëm selektiv vepron trimërisht dhe lufton frikën e tij me mbështetjen tuaj! /Familjadheshendeti.com