Të gjithë jemi të vënë në rresht

Nga Klodi Smajlaj

Çdo minut, dikush e lë këtë botë dhe ia rikthen shpirtin, Pronarit të tij. E ai kthim te Pronari i ligjshëm nuk njeh moshë. Të gjithë jemi të vënë në rresht, pa e kuptuar as vetë. Asnjëherë s’mund ta dimë se sa të tjerë janë para nesh. Nga ai rresht as mund të prapësohemi e as mund të dalim.
Veçse, teksa jemi në pritje, ne mund të bëjmë shumëçka…

… Mund t’i japim një tjetër vlerë çdo çasti që frymojmë.
… Mund të bëjmë atë ndryshimin që e kemi tentuar prej kaq shumë kohësh.
… Mund ta bëjmë atë telefonatën, për të cilën ndërrojmë mendje sa herë që ngrejmë receptorin.
… Mund të vendosim prioritetet që s’i vendosëm dot kurrë.
… Mund të ndjejmë mirënjohje për bekimet e pafundme që na janë dhënë.
… Mund ta ngrejmë atë zërin që e kemi heshtur gjithmonë brenda nesh.
… Mund të falim buzëqeshjet e pafalura kurrë më parë.
… Mund t’u kushtojmë kohë e vëmendje atyre që kanë ‘etje’ për ne, e atë ‘etje’ s’ua shuam asnjëherë.
… Mund t’u themi të dashurve të zemrës se sa fort i duam.
… Mund të sigurohemi se s’na kanë mbetur pengje në zemra.
… Mund dhe duhet të përgatitemi për KTHIMIN.

Ne mund të ikim nga kjo botë në çdo çast, duke dëshiruar fort që të kishim qoftë e vetëm edhe 5 minuta më shumë… vetëm edhe 5 minuta më shumë.
Vërtet që mund të ikim…
Veçse mos harro, teksa jemi në rresht për kthim, ne jemi ende në jetë. E përderisa jemi në jetë, ne mund të bëjmë ende SHUMËÇKA.
Bëje shumëçka-në tënde sa më parë, në mënyrë që kur të vijë çasti i kthimit tënd, të mos thuash se s’munde të bëje dot më asgjë…

/Familjadheshendeti.com