Autore: Brikena Krasniqi Hoti-Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë
A JANË ÇRREGULLIMET E TË NGRËNIT ZGJEDHJE E PERSONIT?
A JANË PROBLEME SERIOZE?
CILA ËSHTË NDËRLIDHJA E TYRE ME BAZËN EMOCIONALE?
A e njihni dikë që e privon vetën nga ushqimi, vuan urie sepse i duket vetja i/e trashë, ndonëse është e dukshme që është nënpeshë?. Apo dikë tjetër që hanë në mënyrë të pakontrolluar dhe kompulsive, një sasi aq të madhe ushqimi për një kohë të shkurtë, e që më pas në mënyrë të dhunshme shkakton vjelljen apo ndihet aq i/e turpëruar sepse nuk e ka në kontrollë mënyrën dhe sasinë e ushqimit që merr? Këto janë vetëm disa nga simptomat e Çrregullimeve të të Ngrënit. Preokupimi me ushqimimin, peshën e trupit dhe një imazh trupor i deformuar, sinjalizon probleme të mundshme të të ngrënit. Këtu po flasim për Anoreksinë Nervore, Buliminë Nervore dhe Të Ngrënit e Tepruar dhe të Pakontrolluar ose “Binge Eating Disorder” të cilat janë më pranishme tek femrat se sa tek meshkujt.
Çrregullimet e të ngrënit nuk janë zgjedhje e personit. Ato janë çrregullime komplekse psikologjike dhe mjekësore, që do të thotë se elementet gjenetike, biologjike, mjedisore dhe faktorët psiko-social luajnë një rol të përbashkët. Çrregullimet e të ngrënit janë mjaftë serioze, ndikojnë shumë në shëndetin emocional dhe fizik të një personi dhe janë potencialisht kërcënuese për jetën e tij.
Çka është lidhja e tyre me anën emocionale dhe psikike te njeriut?
Njerëzit me probleme ose çrregullime tek të ngrënit, shpesh ndjejnë se nevojat e tyre emocionale janë të tepërta, të panevojshme, të pështira, ta papërmbushura, të neveritshme dhe e shohin trupin e tyre si simbol të jashtëm për këto nevoja të brendshme emocionale. “Në qoftë se unë mund të kontrollojë trupin tim”, ata mendojnë “, atëherë unë mund të kontrollojë nevojën time për përmbushje emocionale.” Në fakt, shumica nuk kanë asnjë ide se çfarë janë nevojat e tyre emocionale me të vërtetë, sepse çdo gjë është ngatërruar nëpërmjet ushqimit. Të tjerët gabimisht e konsiderojnë nevojën e tyre për ushqim si nevojë egoiste, njëjtë siç e konsiderojnë nevojën emocionale si egoiste dhe të neveritshme. Thellë, një problem ose çrregullim i të ushqyerit është një problem më bazë emocionale.
Kur dikush ndihet bosh për brenda, i uritur që të ndihet pjesë e dikujt, do në mënyrë të dëshpëruar që të mbahet afër, ka mall që të ndihet i kërkuar dhe admiruar, i respektuar dhe i dashur, dhe kur këto nevoja emocionale janë shndërruar në tabu dhe perceptohen si të turpshme apo të paarritshme, ai apo ajo, e ka me lehtë të gjej ngushëllim tek ushqimi. Por ushqimi kurrë nuk mund të kënaqë me të vërtetë nevojën e brendshme emocionale. Kur kjo nevojë emocionale e cila është universale tek të gjithë njerëzit, shndërrohet në turp ose një qëllim të paarritshëm, ata hanë në mënyre të pakontrolluar ose e privojnë veten plotësisht nga ushqimi për t’u bërë anestezi dëshirave të tyre dhe për të mpirë nevojat emocionale dhe ato për afërsi.
Në këtë mënyrë, privimi i qëllimshëm nga ushqimi, ngrënia me babëzi ose në mënyrë ta pakontrolluar, apo spastrimi/vjellja e qëllimshme, uria, urrejtja e trupit tonë dhe frika nga dhjami ynë apo trashësia mund të shihen si simptoma të jashtme të ndjenjave të brendshme të pashprehura ose të shtypura.
Disa të dhëna për të kuptuar më shumë në lidhje me frikën nga trashësia janë zbuluar në stilet e ndryshme të ngrënies të çrregullimi i anoreksisë, bulimisë, apo “binge eating “ ose personat që hanë në mënyrë të pakontrolluar për një kohë të shkurtër.
Si flasin ndjenjat tek Anoreksia?- Anoreksiku neveritet nga nevoja e tij/saj emocionale dhe kështu dëshiron të ngordhë veten, duke u privuar nga ushqimi si një mënyrë për të deklaruar, “Shikoni sa i/e fortë jam. Nuk kam nevoja as fizike e as emocionale. Nuk kam nevojë për ushqim. Nuk kam nevojë për askënd. Unë kam triumfuar mbi dobësitë e mia dhe unë jam në kontroll!
Si flasin ndjenjat tek Bulimia?-Tek çrregullimi i bulimisë, personi luhatet ndërmjet ngrënies së pakontrolluar fshehurazi dhe spastrimeve të dhunshme përmes vjelljes së ushqimit që ai/ajo ka konsumuar. Ai/Ajo shkakton vjelljen e qëllimshme apo spastrimin e dhunshëm nga ushqimi për të deklaruar ”pendimin” për nevojat e tij/saj emocionale, duke dashur të deklaroj “Unë me të vërtetë mund të menaxhoj me aq pak. Unë jam në gjendje të ta kthej atë që kërkova. Unë nuk e kisha në planë për të marrë atë edhe ashtu. “Kjo luhatje mes të ngrënit me babëzi dhe spastrimit, është një paralele që tregon dyshimet e tij/saj në lidhje me atë nëse e meriton apo jo afërsinë emocionale, në mënyrë që ta mbajë atë.
Si flasin ndjenjat tek “Binge Eater”?-Për personat që hanë në mënyrë të pakontrolluar për një kohë të shkurtër ose “binge eater”, bota nuk duket të ofrojë mjete të mjaftueshme për jetesë. Nevojat e tij/saj duken sikur nuk mund të kënaqen kurrë. Ata nuk i besojnë bollëkut të ushqimit, ashtu siç nuk i besojnë bollëkut të dashurisë dhe mirësisë njerëzore. Ai/ajo beson se është më e sigurt të varet nga ushqimi sesa tek njerëzit. Në fund të fundit, ushqimi kurrë nuk ju lë, kurrë nuk ju hedh poshtë, kurrë nuk qesh me ju, nuk vdes kurrë. Dhe kështu, ai/ajo përpiqet të kujdeset e gjitha vet, për veten e saj – vetëm ai/ajo dhe ushqimi.
Në shumicën e rasteve, Çrregullimet e të Ngrënit lihen të patrajtuara duke shkaktuar kështu pasoja të mëdha në shëndetin e njeriut. Hulumtimet tregojnë që individët me anoreksi kanë një normë vdekshmërie 18 herë më të lartë se moshatarët e tyre që nuk kanë këto çrregullime.
Është e rëndësishme të kuptohet se këto çrregullime janë të trajtueshme. Psikologët klinik, luajnë një rol jetësor në trajtimin e suksesshëm të çrregullimeve të ngrënies dhe janë anëtare të ekipit multidisiplinar, i cili zakonsiht përbëhet edhe nga mjeku dhe nutricionisti.
Të nesërmen, do të flasim për faktorët rrezikues që mund të shkaktojnë këto çrregullime dhe si mund të ndikojnë prindërit në parandalimin e tyre. /Familjadheshendeti.com