Nga Marigona Krasniqi
Ka filluar të më pëlqej ky stoli pranë dritares. Si nuk e kisha vërejtur më parë. Sa bukur qëndron edhe ky bredhi ngjitur me trungun e dardhës këtu përballë. E zogjtë shtegtarë shpesh çukasin në dritaren time, ndoshta më përshëndesin ose me bëjnë lajka nuk e di. Mirpo vërtet ka filluar të më pëlqej ky qëndrim pranë dritares.
Më pëlqen të qëndroj duke shikuar se si bota po lëvizë, se si njerëzit po lëvizin, po jetojnë.
Hmmm, të jetosh nuk paska qenë ashtu siç pandehim ne.
Jo, jo! Ne faktikisht nuk jetojmë por vetëm i kapërcejmë ditët duke u përpjekur për të mbërrirë tek ajo dita kur do të fillojmë vërtet të jetojmë.
Pse a paska një ditë të caktuar kur duhet jetuar?! Sigurisht që jo ama ne ndjejmë se duhet jetuar vetëm kur përmbushim të gjitha ëndrrat e synimet tona e që në fakt ato nuk mbarojnë asnjëherë.
Ndërsa i konsiderojmë të rëndomta dhe të zymta ditët e zakonshme. E konsiderojmë kaq të pa rëndësishëm ajrin që na mbush mushkëritë, sytë me të cilët pasqyrojmë shpirtin dhe mendjen-busullën tonë.
Mos u ndiej keq, nuk po të fajësoj ty. Në fakt po të fajësoj ty ama bashkë me vetën time.
Unë nuk isha lutur asnjëherë për shëndetin tim. E pse të më shkonte vallë në mendje shëndeti kur isha shumë i fortë, madje të gjithë më lakmonin shëndetin tim. As gjendjet gripoze nuk qëndronin gjatë tek unë, sepse pëballë ndesheshin me një shpirt e trup luftarak.
Por këtë herë ishte më ndryshe. Kishte kaluar një kohë që unë po ndjeja një dhembje të lehtë në anën e majtë të kraharorit. Më pas filloi të më ngacmonte një kollë e që më vonë kjo kollë shoqërohej me sekret. Por ky nuk ishte fundi, kollën nuk po e linin vetëm shoqet e saja. Ajo tani përveç sekretit shoqërohej edhe me copa të vogla gjaku.
Eh, po ç’qenkam ftohur, – thash me vete.
Dhe vendosa t’i bëj një vizitë mjekut.
Më befasoi shumë shtangia e tij dhe pas shikimit të rengtenit ai më udhëzoj urgjent për në QKUK.
Përse do të jetë urgjente thash me vete kur unë jam shumë mirë, por sido qoftë do të shkoj të shoh njëherë dhe të kthehem në shtëpi. Por, shtëpinë nuk e pash për dhjetë ditët në vazhdim. Qëndrova për dhjetë ditë i shtrirë në repartin e pulmologjisë duke bërë të gjitha testet e mundshme deri te arritja e një diagnoze.
Shkuan si shkuan ato dhjetë ditë, më në fund do të kthehesha në shtëpi. Nuk isha mësuar të jem larg shtëpisë dhe këto dhjetë ditë m’u duken dhjetë vite.
Por shpejtë kaluan edhe pesë ditë tjera dhe erdhi dita kur unë do bëja CT e toraksit.
Ishte një ditë e bukur korriku dhe unë me vajzën time mbërrimë në spital që në ora tetë të mëngjesit. Unë qendrova 15 minuta në konsultë me mjekun dhe vajza më priti jashtë.
Ndonëse mjeku nuk më tha asgjë konkrete por e ndjeva që diçka nuk është në rregull. I shkova fshehurazi nga prapa vajzës dhe e pash në oborrin e klinikes që po qante me ngashërim. Por, sapo më pa mua u mundua t’a kontrolloj vetën dhe shpejt i fshiu lotët që unë të mos e vërej. Mirpo sytë e saj ishin të skuqur. I njihja mirë ata sy, e kisha studiuar atë shikim. Çka të tha mjeku për mua moj bijë, – e pyeta. Dhe ajo u mundua të më humbte mendjen me informatat që kishte me mjeksinë por unë e nuhata këtë punë. E afrova pranë vetës dhe e putha në dy faqet e i thash: “Atë që e ka shkruar Zoti, ajo do të ndodhë, pse shqetësohesh”.
Po e ngushëlloja atë por veç zemra ime e din se çka ndjeva në atë moment. Sikur qielli i gjithi i’u ngarkua kokës sime e toka nuk po më mbante dot.
O Zot, kanceri nuk më kurseu as mua..!
Kisha dëgjuar se është përhapur mjaft shumë në popullatë por as në ëndërr s’kisha parë dot që do vinte tek unë. Unë që nuk mbaja dot mend se kur isha injektuar për herë të fundit. Unë që isha i shëndoshë si molla.
Por ja që jeta të befason nga nuk e pret fare. Megjithatë nganjëherë them që jeta nuk na surprizon por ne nuk jemi të përgaditur për ndryshime.
Eh, ndryshimet. Sa shumë fillova t’u frikësohem ndryshimeve. Pasi fillova me marrjen e terapisë unë për çdo mëngjes vështroja jastëkun e më pas vetën në pasqyrë. Madje i bëja edhe teste vetës, tërhiqja flokët me sa fuqi që kisha për të parë se sa janë të qëndrueshme dhe sa lehtë mund të bien. Por ato nuk po binin. Eh, janë të forta sikur unë edhe këto, e ngushëllova vetën.
Por, mëngjesi i javës së tretë të terapisë më erdhi ndryshe. Ai mëngjes nuk ishte i rëndomtë. Ai mëngjes ishte si një ankth i natës së errët për mua. Ai mëngjes e arsyetoj frikën time të kahershme. Jastëku i bardhë kishte ndërruar ngjyrë. Ky jastëk si një përbindësh kishte grumbulluar në gjirin e vet flokët e mia.
Plot shqetësim i’u ktheva gruas, e pastaj fëmijëve:” A ju kam thënë që kjo ka për të ndodhur”. Në sytë e tyre vërehej mërzi e trishtim. Befas trishtohesha edhe unë duke parë në ata sy por sikur ngushëllohesha duke u shfryer tek ata. Dhe së bashku me ta erdha tek vendimi që të ndryshoja stilin e flokëve, i hoqa në zero. Para se të gëlltiste jaskëtu flokët e mia, do i hiqja me vetdijen time.
Por, përveç flokëve ndryshoi edhe gjithçka tjetër tek unë. Terapi pas terapie dhe po ndryshonte fiziku im, të menduarit tim, gjendja emocionale, të ushqyerit, gjumi dhe gjithçka tjetër. Po rendja duke u munduar t’a shpëtoj vetën dhe po hasja në një njeri tjetër. Po, po! Unë tashmë u shnërrova në një tjetër njeri.
Dhe vetëm pasi kaluan disa muaj unë dhe familja ime u pajtuam me realitetin.
Tani të gjithë së bashku po përpiqemi t’a luftojmë këtë dreq kanceri.
Dhe unë derisa përpiqem t’a luftoj kancerin kujtoj se sa mirë kisha qenë me parë. Kujtoj se si nuk kisha çmuar shëndetin tim. Do doja që të gjithë njerëzit të lexojnë mbi kancerin dhe mbi atë se çka përjetojmë ne dhe familjet tona me këtë gjendje. Është një ndryshim drastik dhe rrënjësor.
Andaj para se t’a humbasim dikë apo të sprovohemi me diçka të tillë, le të bashkohemi për të mirë.
Le ta duam njeri-tjetrin me dashurinë e një fëmiu, le të kujdesemi për njëri-tjetrin me kujdesin e një nëne dhe le të falim njëri-tjetrin me mëshirën që Zoti të na fal një ditë.
Kjo jetë është tepër e pasur me gjëra të bukura për t’a ngarkuar me gjithë atë mllef, urrejtje e zili.
Kjo jetë është shumë e shkurtër për t’a shpenzuar në gjëra të kota.
Duaje jetën, njerëzit!
Vlerëso vetën dhe shëndetin.
Hulumto e studio për të kontribuar për të tjerët. Ti nuk je krijuar kot. E as për të mbushur sirtarin me diploma, as për t’u mbyllur në zyrë. Misioni yt duhet të jetë shumë më largpamës.
Udhëto, lexo, hulumto, studio e zbulo. Ti mund t’a shërosh një plagë, mund t’a lehtësosh një dhembje.
Mos ndalo. Mos u dorzo.
Ti vlenë… Ti mundesh… Ti din…
*Ky shkrim u bazua në ngjarje të vërtetë, në shenjë mbështetje për personat e prekur nga kanceri*
/Familjadheshendeti.com