Shkroi Fatmir S. Baçi
Nëna ime – Zoti e mëshiroftë,
Në përditësinë tonë,
Ishte më e mira në botë,
Tashmë edhe është,
E unë…
Vendosur përbri kujtimeve,
Dhe lajthimeve të mia,
Nuk më duket se jam
Veçse më i keqi bir nëne…
Nëna ime – Zoti e mëshiroftë,
Në fjalët e saja të ngadalta,
Me këshillat e urta,
Ishte më fisnikja në botë,
Tashmë edhe është,
E unë…
Në shtegtimet e mia,
Në rrugët e gjata pa stacione,
Nuk më duket se jam,
Veçse një krisje e tejdukshme…
Nëna ime – Zoti e mëshiroftë,
Në zërin e saj të butë
Në gjithë heshtjen e ngrohtë
I shte më e dhembshura në botë
Tashmë edhe është,
E unë…
I strukur në durimin e saj,
I shkrirë në pritjen e gjatë
Nuk më duket se jam,
Veçse klithma e asaj zemre…
Nëna ime – Zoti e mëshiroftë,
Me buzëqeshjen e çiltër,
Me përkëdheljen e ëmbël,
Ishte më e dashura në botë,
Tashmë edhe është,
E unë…
Në gjithë sa më theron në gjoks
Nuk mund të them se isha,
Veçse plagë në shpirtin e një nëne.
Nëna…
Pengu fëmijëve të mi,
Ndërsa unë tashmë,
Jam pengu i dy NËNAVE. /Familjadheshendeti.com