Latif Hoxha – Specialist i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë
Ndër shumë arsye pse njerëzit nuk kërkojnë ndihmën e psikologut janë edhe këto:
- stigma ndaj çrregullimeve psikologjike (turpi, etiketimet)
- mospranimi i vet klientëve që po përballën me një çrregullim psikologjik (fshehja e problemeve qoftë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme)
- mosbesim në dobinë e psikoterapisë dhe ndihmës së psikologut (mungesa e informacionit mbi rolin e psikologut)
- frika e ballafaqimit me problemet që kanë
- mosnjohja e simptomave të çrregullimeve psikologjike etj.
Për fat të keq mungesa e informacionit për çrregullimet psikologjike dhe punën dhe rolin e psikologut, bën që shumë njerëz të vizitojnë sharlatanët, klerikët fetarë, pseudoshëreuesit e ndryshëm dhe vetëm pasi të kenë vizituar këta, të kërkojnë ndihmën e psikologut.
Disa prej tyre vizitojnë psikologun, vetëm pasi të kenë ndrydhur ne vete dhe shpirtin e tyre vuajtjen, dhimbjen dhe vijnë në një stad kur jeta është plotësisht jofunksionale dhe e padurueshme.
Pjesa dërmuese e njerëzve që përballen me probleme të natyrës psikologjike, vizitojnë kardiologë, internistë, neurologë, psikiatër etj. për shkak të somatizimit të çrregullimit psikologjik dhe imitimit të simptomave si të ishte një problem tipik mjeksor.
Shpesh herë, mungesa e informacionit për çrregillimet psikologjike dhe manifestimit të simptomave të këtyre çrregullimeve, nga mjekët apo edhe për shkak të përfitimet financiare që synojnë, njërëzit trajtohen me vite me medikamente të ndryshme psikofarmakologjike (apo edhe tjera), dhe ndihmën e psikologut e kërkojnë vetëm kur, pas një periudhe të gjatë trajtimi me farmakologji, mjeku i thotë që nuk kanë asgjë fizike, apo shprehjet e famshme:
“Është e tëra në kokën tënde“, “Ti nuk ke asgjë! Nuk je i sëmurë“, “Mos u merr me këtë! Harroje këtë, hidhe prapa shpinës!” “Është e tëra në dorën tënde!” etj.
Sipas statistikave botërore një në tre njerëz përballën me një çrregullim psikologjik, të gjithë njerëzit të paktën në një moment të jetës së tyre kanë kaluar një periudhë kohore ku i është dashur ndihma e psikologut, prandaj të sfidohesh me një çrregullim psikologjik, nuk është turp, askush nuk është imun ndaj këtyre çrregullimeve dhe rrjedhimisht të kërkosh ndihmën e psikologut nuk është turp!
Intervenimet e hershme parandalojnë përkeqësimet e çrregullimeve dhe garantojnë sukses më të lartë në trajtim! /Familjadheshendeti.com