KUR DHE PSE DUHET TË VIZITOHENI TEK PSIKOLOGU ?

Nga Brikena Krasniqi Hoti – specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

A i kushtoni rëndësi të njëjtë kujdesit për mirëqenien tuaj mendore dhe emocionale po aq sa kujdeseni për dhëmbët tuaj? Me siguri keni dëgjuar për rëndësinë e higjienës orale dhe për këtë arsye, ju i pastroni dhëmbët dy herë në ditë, por çka mendoni për higjienën mentale? Nëse do të duhej të bëni një zgjedhje: do të preferonit që t’i humbisni të gjithë dhëmbët tuaj një nga një apo do të preferonit të humbisni mendjen tuaj? Epo zgjedhja është e vështirë apo jo? Pra nuk ka nevojë të ballafaqohemi më një vendim të tillë, përderisa kujdesemi për të dyjat kur është e nevojshme.

Të gjithë ne, përjetojmë vështirësi ose shqetësime emocionale në periudha të ndryshme të jetës. Edhe pse e pakëndshme, kjo gjendje shpeshherë është kalimtare, e përkohshme, dhe mbetet vetëm se një reagim i yni ndaj ngjarjeve negative ose akumulim i stresit të përditshëm. Në anën tjetër, duhet të kemi parasysh që shqetësimi i vazhdueshëm emocional dhe afatgjatë, mund të jetë një shenjë paralajmëruese për probleme më serioze në shëndetin tonë emocional dhe mendor.

Është shumë e rëndësishme dhe rekomandohet që të kërkoni ndihmë tek psikologu, nëse keni ndonjërën nga simptomat e mëposhtme:

  • Keni vetëbesim, vetëvlerësim të ultë?
  • A mendoni shpesh se çdo gjë që bëni, nuk e bëni mirë sa duhet, ose ndiheni se nuk mund t’ia dilni në krye të qëllimeve tuaja?
  • A ndiheni shpesh se jeni shumë mbrapa miqve tuaja në arritjet jetësore?

Vetëbesimi dhe vetëvlerësimi janë çelësi jo vetëm i suksesit, por i një jete cilësore dhe i maturisë emocionale. Mund t’ju ndihmojë në ngritjen e vetëbesimit tuaj, vizita dhe konsultat tek psikologu.

Ndjeheni vazhdimisht të trishtuar, dhe nuk ju tërheq asgjë si më parë?

Mërzia, trishtimi i vazhdueshëm ose mungesa e shpresës, mund të jenë një tregues i vështirësive në shëndetin tuaj emocional dhe mendor. Nëse jeni duke ngrënë dhe / ose duke fjetur më shumë ose më pak se zakonisht, duke u tërhequr nga miqtë dhe familja ose thjesht duke u ndjerë “jashtë” realitetit, flisni me një profesionist, përpara se të zhvillohen probleme serioze që ndikojnë në cilësinë e jetës suaj.

Shpeshherë ju kap paniku ose ndiheni sikur do të “shpërtheni”?
Ne të gjithë zemërohemi, jemi të frikësuar ose ndonjëherë jemi gati për të shpërthyer emocionalisht, por sa intensive dhe sa shpesh ju ndodhë? A e pengon kjo ose e ndryshon ndjeshëm aftësinë tuaj për të funksionuar në përditshmëri? Kjo mund të jetë paralizuese, të çojë në sulme paniku dhe madje t’ju shkaktojë që të shmangni gjërat.

Keni përjetuar një ngjarje të rëndë dhe ju duket sikur nuk po mund ta tejkaloni atë?

Një vdekjeje në familje, një ndarje/divorc ose rasti i humbjes së punës mund të jetë e mjaftueshme për të kërkuar ndihmë profesionale. Ne priremi të mendojmë se këto ndjenja të hidhërimit, dëshpërimit, mërzisë, zemërimit do të largohen vetvetiu. Ato mund të dëmtojnë funksionimin e përditshëm dhe madje të bëjë që ju të tërhiqeni nga miqtë ose nga aktivitetet e mëparshme.

Keni mendime të vazhdueshme për të lënduar ose vrarë veten?

Shumë njerëz, nganjëherë e gjejnë vetën duke menduar ose duke dashur që thjeshtë të mos kishin ekzistuar, sepse dhimbja emocionale që ata ndjenjë është e papërballueshme. Nëse ndjenja e mërzisë dhe mungesa e shpresës janë aq të fuqishme deri në pikën ku pyetni nëse vlen jeta juaj, ose nëse keni mendime të vazhdueshme për vdekje ose vetëvrasje, kërkoni menjëherë ndihmën profesionale. Gjasat janë shumë të mëdha që ju do të bëheni më mirë.

Keni dhimbje koke të pashpjegueshme dhe të përsëritura, dhimbje në stomak ose një sistem imunitar të dobët?

Nëse jemi emocionalisht të shqetësuar, kjo mund të ndikojë në trupin tonë. Hulumtimet konfirmojnë se stresi mund të shfaqet në formën e një sërë sëmundjesh fizike, nga një stomak kronik i shqetësuar deri në dhimbje koke, ftohjet e shpeshta ose madje edhe ulje e dëshirës për marrëdhënie seksuale. Nëse keni vizituar mjekun dhe ju ka thënë se gjithçka është në rregull me ju, ndërsa ju keni dhimbje të pashpjegueshme, bëni mirë të konsultoheni me psikologun.

Jeni duke abuzuar me ushqim, alkool, ose drogë?

Nëse e gjeni veten duke ngrënë jashtë kontrollit, duke pirë alkool pa masë ose duke përdorur drogë, ose shpesh e gjeni vetën duke menduar për të pirë alkool apo përdorë drogë? Këto mund të jenë shenja që ju doni t’i shmangni ose topitni ndjenjat tuaja. Kjo gjë mund t’ju shkaktoj vështirësi akoma më të mëdha. Prandaj, më mirë do të ishte, t’i adresoni shqetësimet tuaja dhe të bisedoni me psikologun.

Marrëdhëniet tuaja janë të tensionuara?

Keni vështirësi në komunikim me njerëzit tuaj të dashur, më kolegët në punë, ose jeni i/e pakënaqur më atë se si silleni më të tjerët ose si sillen ata me ju? Jeni vazhdimisht në konflikt dhe çdo bisedë e juaja është me shpërthim argumentesh dhe emocionesh? Bëni mirë të kërkoni ndihmë profesionale, e cila do t’ju ndihmojë të ndërtoni shkathtësi më të mira të komunikimit me njerëzit tuaj të afërm, duke i kushtuar rëndësi mënyrës se si ndjeheni, dhe si mund t’i drejtoheni të tjerëve në mënyrë më të përshtatshme. /Familjadheshendeti.com