Mua, ty dhe krejt nanave që kanë vajza…



Nga Klodi Smajlaj

Teksti i mëposhtëm është shkruar nga Sarah Koppelkam, një vajzë 23 vjeçare, nëna e së cilës ka vuajtur për një kohë të gjatë nga anoreksia dhe bulimia. E hasa teksa rrëmoja për të gjetur materiale që lidhen me grupmoshën e bijës time. 
Ky tekst më kujtoi sërish atë që unë, atë që ne të gjitha e dimë mirë, por që gjatë stresit të prindërimit e harrojmë shpesh: vajzat kanë dhe marrin si model të parë, nënat e tyre. 
Përherë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj se në prindërim nuk ka receta të gatshme. S’mund të bësh mentarin e t’i thuash një prindi të veprojë kështu e ashtu, për shkak se ti mund të mos ia kesh as idenë më të vogël se ç’lloj sprovash po kalon ai përgjatë procesit të prindërimit. 
E megjithatë, këshillat dhe përvoja që dikush ndan me ty, mbeten përherë të vyera. Të tilla janë edhe fjalët e mëposhtme. Ato të bëjnë të reflektosh thellë mbi mënyrën se si po i rrisim vajzat tona. E jo vetëm kaq. Ato të zgjojnë çdo dhimbje të fjetur të fëmijërisë tënde, çdo nevojë të papërmbushur prindërore e çdo traumë të mbetur diku thellë në brendësinë tënde, që s’do të doje kurrë ta përjetonte edhe vajza jote. 
Fjalët e mëposhtme më përforcojnë edhe më shumë atë që tashmë e di e që do të doja ta mësonte e ta brendësonte edhe bija ime: se trupi është strehë e përkohshme e shpirtit. Se kësaj strehe të përkohshme i duhet dhënë vendi e kujdesi që i takon, por gjithmonë duke ruajtur ekuilibrat e duhur me atë që është i përjetshëm: shpirtin.

“Mos i fol vajzës tënde për trupin e saj, përveçse për t’i treguar se si funksionon ai!
Mos i thuaj gjë as kur bie e as kur shton në peshë! 
Nëse mendon se trupi i bijës tënde ka marrë trajtë të mrekullueshme, sërish mos ia thuaj këtë! Ose mos ia thuaj siç e mendon vërtet. Thuaja ndryshe. Përzgjidhi fjalët! 
Për shembull, thuaji se duket e shëndetshme e plot jetë. Thuaji se duket e fortë. Thuaji se duket e lumtur … se shkëlqen. Madje, do të ishte shumë herë më mirë po ta përgëzoje për diçka që s’ka aspak lidhje me trupin. 
Mos fol as për trupat e vajzave e grave të tjera në sy të saj! Hiç fare! As për mirë e as për keq.
Në vend të këtyre gjërave, mësoje bijën tënde që të sillet mirë me të tjerët, por edhe me veten e saj. 
Mos bëj gafë që të thuash se s’të pëlqen trupi yt në sy të saj! Mos i fol as për dietën që po mban! Mos, mos e bëj! Mos ta marrë vesh ajo se ti po mban dietë! Ha ushqime të shëndetshme, gatuaj vakte të shëndetshme, por mos i thuaj asnjëherë se je me dietë! 
Mos i thuaj se nuk i ha karbohidratet! Ajo s’duhet të mendojë se ato janë të këqija, sepse turpi për gjërat që ha do ta bëjë që t’i vijë turp edhe nga vetja. 
Mësoje bijën tënde që të vrapojë, sepse vrapi ia heq stresin. Mësoje që t’i ngjitet malit, sepse s’ka vend më të përshtatshëm për të shijuar përshpirtjen sesa lartësia. 
Mësoje që ta dojë sportin, sepse ai e ndihmon të fitojë aftësi udhëheqjeje dhe e bën një grua të fortë. 
….
Mësoji bijës tënde se gjëja më e mirë që mund të bëjë me trupin e saj, është që ta përdorë atë për të nxjerrë në pah shpirtin e saj të bukur.” 
/Familjadheshendeti.com