Shkroi Fatmir Baci

Kam një makth të madh,
S’më ndahet.
Djep-përkundur
E gjumë s’fle,
Vjen pushton gjysmën e shtratit,
Thirrje-baltën kur e le.

Herë më zgjon,
Herë feks në ëndërr,
Rrudha-ledhatim e thinjur,
Ngjitet lart
E ther në zemër,
Shkrumb-zhuritja e pabindur.

Kam një makth të madh,
Sa nata.
Gaz-përlotje,
Drithërime,
Argjend-hënës dritë i lyp,
Një grimë-pak,
Veç një thërrime.

Shpirtit-eshkë,
Shkëndijën-yst,
Fshehtas ta ndalojë në mua.
Në përtej-natë
Pishtar të ndezë,
Dhe sa jam gjallë,
Një zjarr ta shuaj.
Thëngjill-prush në hi të mbesë.

Kam një makth-kaçak të bukur,
Ëndërr-fjalët m’i rrëmben,
Dëshirë-drita bredh e humbur,
Ari-ag kur mbi të bjen.

Kam një makth-kaçak të bukur.