Shkruan: Pranvera Nevzadi

Sikur të mund t’i flisja vetes kur isha fëmijë, në fillim do ta merrja në prehër dhe do ta përqafoja fort, do t’i jepja një përqafim të tillë sikur nuk ekziston askush dhe asgjë tjetër në atë moment, në mënyrë që t’i tregoja se kështu nuk do të të përqafoj kurrë askush, dhe nuk do të të dojë kurrë askush. Prandaj do t’i thoja, se në jetën që të pret në vazhdim, duaje vetveten sinqerisht dhe pandërprerë. Fale veten shpesh, ashtu siç i fal të tjerët. Ashtu siç të tjerët kanë të drejtë ta marrin faljen tënde, edhe vetja jote ka po aq të drejtë. Ne jemi gabimtarë të gjithë njejtë, pa dallim. Mos i bart gabimet mbi kurrizin tënd për vite e vite, fale veten dhe lëri gabimet në të kaluarën, e mos iu kthe për tjetër pos nëse ke për të nxjerrë ndonjë mësim nga ato. 

Sikur ta kisha fëmijërinë time përballë, do t’i thoja se bota jashtë imagjinatës tënde nuk është ashtu e bukur, do t’i thoja se kodrat që duken kaq të bukura për t’i parë, janë shumë të vështira për t’i ngjitur, e edhe më të vështira kur zbret nga to. Do t’i thoja se njerëzit që të kapin për faqesh me buzëqeshje e dashuri, kur të rritesh do të godasin pas shpines me të njejtat duar. Do ta mësoja të mos i besoj asnjë fytyre të qeshur, sepse të gjithë vuajnë në mënyra të ndryshme. Do ta bëja të kuptonte se njerëzit që i shihte të përkryer, sa shumë mangësi që kanë. Do t’i tregoja se disa do të jenë të mirë vetëm kur t’i takosh, por jo edhe pasi t’i njohësh. Do ta mësoja se nëse të troket vuajtja në derë, hapja derën dhe kuptoje se çfarë dëshiron nga ti, sa më shpejt që ta kuptosh qëllimin e vizitës së saj, aq më shpejt do të ikë, por kurrë mos e lërë të pres para derës e të ngujohesh brenda shtëpisë për vite. Përballu me krenari me gjithçka që të del para, sepse ti mundesh.
Po ta kisha veten time të vogël përballë, do t’ia përkëdhelja flokët me shumë dashuri e mëshirë, duke ia thënë të vërtetën e dhimbshme që e pret. Do ta vizatonim së bashku jetën e vështirë, por me ngjyrat më të bukura. Do t’i tregoja sa shumë durim do t’i duhej. Se do t’i duhej t’i mënjanonte goditjet e marra me buzëqeshje, sepse vetëm ashtu do të arrinte të shkonte para. Do ta mësoja që mos ta kthente mrapsht asnjë goditje, sepse koha nuk pret, nuk mjafton një jetë t’i përgjigjesh çdo kujt që të gjuan.

Do ta mësoja se zjarri i cili të ngroh, i njejti mund edhe të djegë po i shkove shumë afër. Do t’i thoja se rrespektin tënd do ta meritojnë vetëm disa, por ti duhet tua falësh të gjithëve. Do ta mësoja se ata që nuk falin dashuri e mëshirë kanë nevojë më së shumti tua fal dikush atyre ato, dhe mos të pendohesh kurrë kur të bësh mirë edhe nëse lodhesh shumë e nuk vlerësohet mirësia jote, sepse ti prezenton shpirtin tënd dhe mirësia sjellë vetëm mirësi.

Por mbi të gjitha, prapë do t’i thoja që ta dojë veten shumë. Sepse njerëzit e nuhasin dashurinë. Nëse e kuptojnë se e don veten, do të të duan edhe ata. Por nëse shohin se nuk e don veten, do të të shndërrojnë në vegël të tyren me të cilën do të arrijnë qëllimet e veta. Sa shumë gjëra do t’ia thoja fëmijërisë time..sa shumë gjëra i kam kuptuar e mësuar nga atëherë. Por, ne nuk do ta kemi kurrë këtë mundësi. Në vend të kësaj, Zoti na ka ofruar mundësinë më të mirë që t’i mbështetemi dhe t’i besojmë Atij në çdo turbullirë. Sepse “kush i beson Zotit, Ai ia udhëzon zemrën”!