Shkruan: Laureta Berisha Kosumi

Të drejtat elementare të grave shkelen përditë, vërtetë nuk ka vend për të festuar një ditë kur tërë vitin shtypen dhe keqtrajtohen.

Janë femrat ato që punojnë 24 orë pa ndalë në një orar 8 orësh në punë dhe në punët e shtëpisë, ndërsa bashkëshorti do duhej të merrte pjesë në ofrimin e ndihmës në punët e shtëpisë pasiqë të dy janë kontribues në familje dhe punët në shtëpi janë të përbashkëta, e nëse e përfundon ndonjë punë i thotë “qe gru ta kreva këtë punë”.
Ia kreve këtë punë, pret të të thotë edhe faleminderit!!!
Pra, gruaja nuk pushon kurrë!

Janë femrat ato që punojnë pa ndalur në shtëpitë e tyre, e kur vjen bashkëshorti nga puna i do të gjitha në tavolinë se kinse jam lodhur në punë e ti ke qenë në shtëpi. Po gruaja duke ndenjur ka qenë, ju duket e lehtë të jetë amvise në një orar pune pa limit dhe duke e konsideruar që në pushim ka qenë tërë ditën?! E padrejtë!

Janë gratë ato që përfundojnë shkollimin disa vjeçar, madje edhe master dhe pastaj u thuhet se vendi yt është në shtëpi, unë punoj për ty, puna të lodhë dhe do bëhesh nënë, andaj shtëpia është puna jote, fëmijët janë obligimi yt. Po shkollimi, po mundi, po kontributi që do të jepte në shoqëri?! Nuk është puna sa për një pagë mujore por përmbushje e synimeve që një njeri i vë vetes rreth një profesioni të caktuar dhe përmbushje e një ëndrre që ndoshta i është kushtuar tërë jetën për ta realizuar. Kush je ti ta pengosh, pse ta pengosh?!

Janë gratë ato që dyshohen në tradhëti dhe rrahen, persekutohen madje kemi pasur edhe shumë vrasje të grave në vendin tonë!
Kush ishin kriminelët dhe a kanë marrë dënim meritor?!

Janë gratë ato që u thuhet kur të aplikojnë në një vend pune “A mos je shtatzënë” sepse qëllimi është të mos pagesa e lehonisë dhe zatën të pakta janë vendet ku paguhet. Po e drejta e të çenurit nënë?!

Janë gratë ato që ngacmohen në rrugë dhe komentohen për dukjen e tyre nga shumë meshkuj, në një vend ku thuhet se ekziston liria e veshjes! Pse të komentohen, pse të ngacmohen?!

Andaj, do të festoja sikur të kisha ndonjë arsye, e sa për lule e dhurata, meritoj më shumë se një herë në vit “mem hek qafe” me një lule a një dhuratë me dedikimin ” të dua”, meritoj të duhem përherë sepse jemi baza e shoqërisë dhe jemi shtylla e shtëpisë.

Respekt për të gjitha femrat tona!/www.familjadheshëndeti.com