Mitet dhe të vërtetat rreth sëmundjes “lija e ujit” apo variçela

Nga: Dr. Ismail Lutolli specialist pediatër, subspecialist dietolog-nutricionist

• Fëmija i cili ka sëmundjen  “lija e ujit” nuk duhet të pastrohet për 10 deri 15 ditë! 
• Fëmija im ka pasur sëmundjen  “lija e ujit” para disa viteve, tani e ka përsëri. A është e mundshme kjo? 
• Ushqyerja me gji parandalon foshnjën nga infektimi i virusit të variçellës.
• Me dhjam të “guses” (roses) shërimi është më i shpejtë, sidomos në puçrrat e kokës!

Ka shumë sëmundje, trajtimi i të cilave ngjall debate e kundërthënie të shumta. Ekziston një deti i tërë keqkuptimesh e metodash në popullin tonë për për ta trajtuar sëmundjen e njohur si “lija e ujit” .
Do mundohemi që në vazhdim të sjellim qëndrimet e drejta e profesionale rreth keqkuptimeve ekzistuese në lidhje me këtë patologji.
Variçela është një sëmundje ngjitëse akute e zakonshme tek fëmijët, veçanërisht atyre nën moshën 12 vjeçare. Shkaktohet nga virusi i quajtur varicella-zoster. 

10 mitet apo të vërtetat rreth sëmundjes “lija e ujit” (variçela)

1. Fëmija i cili ka sëmundjen “lija e ujit” nuk duhet të pastrohet për 10 deri 15 ditë.

Tërësisht e gabuar! 

Një fëmijë me sëmundjen “lija e ujit“ duhet pastruar vazhdimisht, që nga dita e parë.

Arsyeja është e lehtë për t’u kuptuar – infeksioni krijon “kratere” në lëkurë të cilat përfaqësojnë një derë të hapur për infeksione bakteriale. Në qoftë se një fëmijë nuk bën pastrimin e rregullt, pra dush për çdo ditë, ka mundësi shumë të mëdha që nga një infeksion virusal i përcjellur me lezione të lëkurës, të komplikohet edhe instalimin apo marrjen e një infeksioni bakterial të mundshëm, i cili do e komplikojë gjendjen që po kalon një fëmijë me sëmundjen  “lija e ujit”.

Gjithmonë ekziston një mundësi reale që bakteriet të cilat jetojnë normalisht në lëkurë të krijojnë probleme duke aktivizuar një infeksion të mundshëm, ndërkohë që te një fëmijë i cili po kalon lijen e ujit, kjo mundësi është shumë më e madhe, për arsye se lëkura dhe mikrovatrat infeksioze janë të mbuluara me pudër me të cilin lyhet fëmija, si dhe kanë prezencë edhe të djersës e papastërtive tjera. Pra, mospastrimi krijon një rast ideal për të filluar një infeksion i ri bakterial i cili do e komplikojë shumë procesin e shërimit nga “lija e ujit”, ndërkohë që shenjat që do të ngelin pas shërimit janë shumë më të mëdha nëse vie deri te infeksioni si pasojë e mospastrimit të përditshëm.

KUJDES: fëmija duhet të lahet për çdo ditë, dhe më e mira do ishte të vendosni në dush për pastrim më të lehtë. Pas larjes merreni një peshqir të lehtë dhe ngadalë dhe butësisht e thani lëkurën dhe pastaj mund t’i vendosni përsëri pudër.

2. Flokët ne nuk duhet të lahen tek një fëmijë që ka sëmundjen  “lija e ujit” derisa të ketë kaluar sëmundja

Tërsisht e gabuar !

KUJDES: flokët duhet të lahen për çdo ditë dhe të thahen ngadalë pa i fërkuar me peshqir, pastaj vendoset pudra.

Ne duhet të kuptojmë se gjatë sëmundjes “lija e ujit” kemi formim të vezikulave (fshikave të mbushura me lëng). Kur vezikulat çahen, formohen koret (krustat) të cilat do të bien pas një ose dy javësh. Gjatë këtij procesi, në kokë përpos që kemi formim të vezikulave, kemi edhe prezencë të miliona bakterieve, shumë më shumë sesa në lëkurën e trupit. Gjithashtu kemi flokë me yndyrën përkatëse e papastërti tjera, të cilat së bashku formojnë një mjedis ideal për infeksione të mundshme. Duke ditur se e tëra shoqërohet me një prurit (kruajtje) mjaft të shprehur, atëherë mospastrimi i rregullt i kokës, nënkupton mundësi të mëdha për infeksione bakteriale. Nuk ka dyshim – flokët duhet të lahen rregullisht, edhe më shpesh se para shpërthimit të sëmundjes “lija e ujit” 

3. Kanë kaluar disa ditë nga fillimi i sëmundjes, fëmija im nuk është më i rrezikshëm për fëmijët e tjerë.

Kjo nuk është e vërtetë!

Fëmija juaj paraqet rrezik për përhapjen e sëmundjes të fëmijët tjerë dy ditë para se të fillojnë simptomat dhe së paku edhe 12 ditë tjera pasi kanë filluar simptomat. Lezioneve të lëkurës iu duhet kohë për t’u tharë dhe shëruar tërësisht. Gjatë kësaj kohe, është mirë që fëmija juaj të qëndrojë në shtëpi dhe nën përkujdesjen e prindërve ose kujdestarëve.

4. Gratë shtatzëna të cilat me siguri kanë pasur sëmundjen  “lija e ujit” nuk duhet të jetë në kontakt me fëmijë të sëmurë me këtë sëmundje, pasi rrezikojnë që të infektojnë foshnjën e palindur.

Jo e saktë ! 

Gratë shtatzëna që kanë pasur apo kanë kaluar sëmundjen  “lija e ujit” janë të mbrojtura me sistemin e tyre imunitar dhe kështu dhe fetuset e tyre të palindur. Në rast se nëna shtatzënë nuk është e sigurtë nëse ajo ka pasur
më herët sëmundjen “lija e ujit”, atëherë duhet kujdes. Më e mira e së mirës do të ishte të bëhet një test laboratorik i cili zhdukë dilemat për nënën shtatzënë dhe ku do ta kuptojë më saktë nëse e ka kaluar apo jo këtë sëmundje. Pas marrjes së rezultatit nuk ekziston më dilemë.

5. Fëmija im ka pasur sëmundjen  “lija e ujit “ para disa viteve, tani e ka përsëri. A është e mundshme kjo? 

Kjo nuk mund të ndodhë, përveç në një rast të veçantë!

“Lija e ujit “(variçella) dhe kalimi i saj lë imunitet të përhershëm në organizëm. Ka vetëm një mundësi që herën e parë një infeksion virusal i lëkurës gabimisht të jetë diagnostikuar si “lija e ujit”. Në të vërtetë nuk është bërë fjalë për sëmundjen “lija e ujit” fare herën e parë. 

Rast i veçantë” është aplikimi i aciklovirit – një preparat që mund të “vrasë” virusin e  sëmundjes  “lija e ujit”. Në qoftë se aplikojmë këtë preparat që në fillimin e sëmundjes, sistemi imunitar i fëmijës arrin të zhvillojë imunitet të mjaftueshëm, dhe kjo eshtë arsyeja pse sëmundja mund të “kthehet“, në qoftë se fëmija përsëri vie në kontakt me fëmijë të sëmurë. Ky është rasti i veçantë dhe me të vërtetë shumë rrallë ndodh, për të mos thënë që është e pamundur!

6. Pas 15 ditë nga fillimi i sëmundjes, fëmija është i gatshëm të rifillojë treningun e plotë, aktivitetin fizik të plotë pasi shenjat e sëmundjes janë larguar.

Nuk është një ide e mirë!

Procesi i shërimit dhe rikuperimit të plotë zgjat më shumë. Nuk këshillohet marrja aktive apo e sforcuar me sport së paku 4 javë nga fillimi i sëmundjes. Mund të merret me ushtrime të lehta pas 3 javësh dhe ngadalë shkon duke shtuar tempon, por aktivitet të plotë dhe të sforcuar jo pa kaluar të paktën 4 javë nga fillimi i sëmundjes.

7. Ushqyerja me gji parandalon foshnjën nga infektimi i virusit të variçellës.

Për fat të keq, nuk është kështu!

Ushqyerja me gji nuk mund ta mbrojë fëmijën (megjithëse ndihmon sistemin imunitar të fëmijës), sepse ato janë antitrupa, proteina dhe proteinat janë prezente në zorrët e foshnjës. Prandaj, nuk ekziston asnjë mënyrë që qumështi i gjirit të parandalojë sëmundjen, foshnja e porsalindur ka një shkallë të caktuar të mbrojtjes, por nuk është as mbrojtje e sigurtë dhe e përhershme. Natyrisht, ushqyerja me gji duhet të vazhdojë nëse fëmija sëmuret – nuk ka ushqim më të mirë për foshnjën dhe më shumë ndihmues nëse foshnja infektohet me variçellë!

8. Kur një fëmijë ka sëmundjen “lija e ujit“, ju nuk duhet t’i ofroni atij ilaçe (paracetamol) edhe në rastin kur ka temperaturë të rritur. Kjo e ndihmon të shërohet më shpejtë!

Jo e saktë ! 

Antipiretikët (paracetamoli) është i domosdoshëm nëse temperatura kalon 38°C. Shumë fëmijë mund të mos kenë fare temperaturë, por nëse ata kanë, patjetër duhet aplikuar paracetamoli dhe gjitha hapat tjerë për uljen e temperaturës.

(Kujdes: nuk guxoni t’i jepni aspirin në asnjë mënyrë!).

9. Për përtharjen e vezikulave me ujë preferohet që fëmija të përdor sa më pak ujë dhe lëngje në 10 ditët e para!

Absolutisht e pavërtetë, madje dhe e rrezikshme!

Si në çdo infeksion tjetër, edhe tek sëmundja “lija e ujit” ka shumë rëndësi që gjatë tërë procesit të kemi hidrim të duhur të fëmijës, pra është e domosdoshme të merren lëngje në sasi të shtuara së paku 8 gota gjatë 24 orëve. Ka rëndësi që të merret ushqim i pasur multivitaminoz, sa më shumë pemë dhe perime. Gjatë kesaj kohe duhet të punojmë shumë në ngritjen e cilësisë së ushqimit, për të ndihmuar organizmin të luftojë sa më shpejtë sëmundjen. Preferohen ushqime të ftohta, të qullëta (sepse puçrrat në gojë mund të vështirësojnë të ngrënit dhe pirjen). Shmangni gjërat e tharta ose me shumë kripë.

10. Nëse puçrrat lyhen me dhjam buallice, dhjam “guse” shërimi është më i shpejtë, sidomos në puqrrat e kokës! 

Tërësisht e pavërtetë!

Nëse praktikohet diç e tillë jo vetëm që nuk e shpejtojë procesin e shërimit, por rrezikon edhe për infeksione tjera që do ta komplikojnë jashtëzakonisht gjithë procesin e shërimit.

Mos harroni se, jo dhjami i “gusave”, por vetë mishi i “gusave” është i mirë për përgaditjen e supës dhe gjellrave tjera për fëmijën derisa kalon procesin e sëmundjes.

Nëse vetëm jeni të “dashuruar” me dhjamin e “gusave”, atëherë shfrytëzojeni rastin të konsumoni mishin e tyre në përgaditje për fëmijën tuaj gjatë sëmundjes. /Familjadheshendeti.com