Nga: Dr Ismail Lutolli, specialist Pediatër, subspecialist Dietolog – Nutricionist

Keni dyshime që fëmija juaj është autik, çfarë të veproni?

Autizmi ka shpresë?

Numri i madh i fëmijëve autistë tregon shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme

Keni sjellë në jetë një fëmijë që për ju është gjithçka, është vetë jeta, ëndrra dhe ajo që fshehet në zemrat tuaja. Dashuria ndaj fëmijës tuaj, lojërat e vite pritjeje bëjnë që në fillim më se paku të mendoni se eventualisht fëmija juaj mund të ketë një problem me shëndetin. E fundit që mund të mendoni është Autizmi.                                                                                                                                                                                       Në familjen tuaj nuk keni pasur kurrë një problem të tillë, andaj edhe për ju duket e pakuptimtë kjo. Kur bëhet fjalë për autizmin, nuk duhet të harrojmë se zbulimi i hershëm-idealisht përpara moshës 18 muajshe, bën një diferencë të madhe. Mundësitë e përmirësimeve janë shumë më të mëdha. Sidoqoftë, pavarësisht moshës mos humb shpresë. Trajtimi mund të reduktojë efektet e shqetësimit dhe të ndihmojë fëmijën tuaj të mësojë, rritet dhe të lulëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Cfarë është në të vërtetë autizmi?

Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik.

Ai shfaqet në infancë dhe fëmijëri të hershme duke shkaktuar vonesa në zona bazike të zhvillimit si të mësuarit të ecë, luajë apo ndërverprojë me të tjerë.

Shenjat dhe simptomat e autizmit varirojnë dhe nuk do i gjeni të njejta tek të gjithë fëmijët autik.

Disa fëmijë me autizëm kanë çregullime mesatare, ndërkohë të tjerët kanë probleme më të mëdha për të kaluar.

Çrregullimet e Spektrit Autik karakterizohen nga nivele të ndryshme të problemeve në fushat:

1. Komunikimit verbal

2. Aftësive dhe integrimit social

3. Sjelljeve, interesave dhe aktiviteteve stereotipike ose përsëritëse.

Është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vleresuar me Koeficientë Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor në anën tjetër.

Pra, me një fjalë mund të përfishet pothuajse gjithçka brenda.

Femijet me autizëm mund të jenë të heshtur apo edhe fjalëshumë, të afeksionuar ose të ftohtë, metodike ose të çorganizuar.

Si mund t’i dallojnë prindërit shenjat e para të një fëmije me autizëm?

Çdo prind është ai që njeh më se miri rritjen dhe zhvillimin e fëmijës së tij. Njeh mirë edhe rritjen e fëmijëve tjerë nëse i ka më të mëdhenjë. Pra, si prind ti je në pozicionin më të mirë për të dalluar shenjat e hershme të autizmit.

Prindi e njeh më mirë se kushdo fëmijën dhe është në përcjellje të çdo ndodhie edhe të rritjes e zhvillimit normal.

Pediatri i fëmijës tuaj mund të jetë një partner me vlerë, por asnjëherë nuk do mbërrijë t’i dallojë të gjitha që duhet gjatë një vizite 15-20 min.

Baza e parë është të kemi prindër të edukuar të cilët do dijnë të kuptojnë çfarë është normale dhe çfarë jo për mosha të caktuara.Të gjitha këto shqetësime pastaj do ja pëcillni prdiatrit tuaj.

Përcill zhvillimin për çdo muaj

Autizmi përfshin disa vonesa zhvillimore, prandaj vëmendja ndaj zhvillimeve të fëmijës në aspektin social, emocional, dhe njohës është një mënyrë efektive për të kuptuar problemin e hershëm. Kush më mirë sesa prindërit mund ti kapin këto detaje.

Kuptohet nuk ka vend për alarm në çdo hap, mos harro që vonesa zhvillimore nuk janë automatiksht në autizëm, por kjo mund të tregojë që ka më shumë probabilitet.

Jo çdo ngecje është autizëm

Çdo fëmijë zhvillohet me shpejtësi të ndryshme, prandaj është e panevojshme të kesh panik nëse fëmija juaj vonohet pak të ecë apo flas. Mos bëj krahasime me fëmijët e komshinjve apo të të afërmve tuaj për çdo gjë.

Kur bëhet fjalë për zhvillim të shëndetshëm, ka një spektër të gjërë të asaj që ne quajmë ‘’normale’’. P.sh një fëmijë mund të fillojë ecjen në 12 muaj apo 18 dhe në dy rastet është normale.

Nëse fëmija yt nuk po arrin të gjitha pikat zhvillimore për moshën e tij ose saj, apo ti dyshon se ka diçka, ndaje këtë mendim me pediatrin. Mos prit kohë të gjatë.

Mos u ngushëllo me shpresa ‘’është ende i vogël, ka kohë ’’.

Shumë prindër të shqetësuar përballen me qasjen ‘’është ende i vogël, ka kohë ’’. Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme, mund të jetë gabimi më i madh që mund të bëni. Të humbasësh kohë me vlerë në çdo moshë të fëmijës kur në fakt mund të përdoret për përmirsim. Më tej, nëse vonesa shkaktohet nga autizmi apo nga ndonjë faktor tjetër, fëmijët rrallëherë nuk e tregojnë problemin e tyre. Në mënyrë për të zhvilluar aftësitë në një fushë ku ka vonesa, fëmija ka nevojë për ndihmë ose trajtim të specializuar. Sa më herët të ndodhë kjo është shumë më mirë.

Mos e anashkalo instiktin si nënë dhe baba

Në një botë ideale doktori i fëmijës do t’ju informojë mbi shqetësime serioze dhe do të kryejë një kontrollë të detajuar për autizmin apo aftësi të tjera të zhvillimit. Por shpeshherë edhe doktorët më me eksperiencë i humbasin këto flamuj në vizita. Besoji instiktit nëse po të thotë që diçka nuk shkon, dhe ji i vendosur. Lë takim tjetër me doktorin, kërko një mendim të dytë, apo kërko takim me një specialist.

Fëmija juaj për një moment filloi t’i humbas ato që i dinte më herët?

Kjo është një shenjë paralajmëruese e autizmit.

Disa fëmijë me çregullime autike fillojnë të zhvillojnë aftësi komunikuese të mira dhe më pas kanë regres, zakonisht nga 11-24 muajsh. Për shembull, një fëmijë që po përdorte fjalën ‘’mami” dhe ‘’babi ’’ mund të mos i përdorë më, apo një fëmijë që luante lojëra sociale si kukafshefti apo thoshte me gjeste mirupafshim, ndalon dhe nuk e përsëritë më.

Çfarëdolloj humbje e fjalës, gjesteve apo ndërveprimit social duhet të merret seriozisht, eshtë paralajmërim.

Shenjat dhe simptomat te fëmijët autik

Edhe pse autizmi është i vështirë për tu dalluar përpara 24 muajsh, simpomat shpesh herë shfaqen nga 12-18 muajsh. Nëse shënjat dallohen përpara 18 muajsh, trajtimi intensiv mund të ndihmojë shumë në trajtimin e mëtejmë.

Shenjat e hershme të autizmit përfshijnë mungesën e sjelljeve normale-jo prezencën e sjelljeve anormale, prandaj është e veshtirë për tu dalluar.

Në disa raste, shenjat e hershme të autizmit mund të keqinterpretohen si shenja e të paturit një ‘’bebe të mirë, të urtë ’’, i qetë, pa shumë kërkesa, i pavaruar apo “botën e tij“. Por këto shenja kapen vetëm duke e ditur se çfarë po kërkon dhe duke përcjellë me vëmëndje të madhe.

Disa foshnje autike nuk duan të përqafohen, nuk ngrenë duart për tu marrë në krahë, nuk shohin nënën kur pijnë qumësht.

Shenja të hershme që kërkojnë patjetër konsultim me pediatrin tuaj janë:

  • Nuk ju sheh në sy kur ushqehet, nuk i’u buzëqeshë kur ju i buzeqeshni.
  • Nuk ju përgjigjet fare kur e thërret në emër, apo ndaj një zëri të njohur, nuk i bën përshtypje.
  • Nuk i ndjekë objektet vizualisht apo ndjekë gjestet kur po tregoni diçka.
  • Nuk tregon me shenjë apo të bëj gjestin mirupafshim, apo gjeste të tjera kur ndaheni.
  • Nuk i bënë fare përshtypje apo nuk përgjigjet ndaj përqafimit.
  • Nuk ngre duart për t’u marrë në krah as nuk buzëqeshë.
  • Nuk imiton lëvizjet apo shprehjet e tua të fytyrës, nuk imiton as lëvizje tjera.ë
  • Nuk ndërvepron apo tregon interes për gjërat që e rrethojnë.
  • Nuk tregon interes kur ju vriteni apo tregoni shqetësim.

Shenjat orjentuese por jo definitive

  • Shenjat apo vonesat e mëposhtme kërkojnë vizitë urgjente me specialistin pediatër por edhe ata që merren direkt me autizëm si mjek, psikiatër, psikolog etj.
  • Deri 6 muajsh: Nuk qeshë, apo tregon shprehi gëzimi në fytyrë, nuk ka asnjë mimikë.
  • Deri 9 muajsh: Nuk ndërvepron pothuajse fare me zhurma, buzëqeshje apo shprehi të tjera të fytyrës.
  • Deri 12 muajsh: Nuk reagon kur e thërisni në emër, nuk ka asnjë reaksion kur i thërritet emri.
  • Deri 12 muajsh: Nuk ka ndërveprim gjestesh, nuk tregon me gisht, nuk tenton të ngrejë duart apo nuk përshendet me dorë.
  • Deri 16 muajsh: Nuk thotë asnjë fjalë, as që provon për të bërë diç të tillë.
  • Deri 24 muajsh: Nuk përdorë fraza me dy fjalë, nuk imiton pothuajse asgjë.

Shenja të problemeve në aspektin sociale

  • Duket i painteresuar apo i jo vetëdijshëm për të tjerët apo çfarë e rrethon.
  • Nuk preferon fare ta prekin, dhe përqafojnë dhe reagon vrullshëm nëse i ofrohemi.
  • Ndërvepron shumë pak me të tjerë, të luajë apo të bëj miq është gati e pamundur.
  • Nuk luan lojëra ‘’imagjinare’’, përfshihet në lojëra në grup, imition të tjerët, apo përdorë lodrat në mënyrë kreative.
  • Ka vështirësi në pranimin e ndjenjave apo bisedimin rreth tyre.
  • Duket sikur s’degjon apo është i pavëmendshëm kur të tjerët i flasin.
  • Nuk ndan lojërat me të tjerë, jeton pothuajse plotësisht në botën e tij dhe nuk i intereson për të tjerët.

Shenja të problemeve të komunikimit verbal

  • Ripërsëritë të njëjtën fjalë apo frazë pa qëllime komunikimi.
  • I përgjigjet pyetjeve më shumë duke i ripërsëritur sesa përgjigjur.
  • Përdorë volum jo normal të zërit, me ritëm të çuditshëm.
  • Përdorë fjalët gabim (gabime gramatikore, fjalë gabim) apo i referohet vetes në vetën e tretë.
  • Nuk kupton udhëzime, nevojat apo dëshirat pytje apo deklarata të thjeshta.
  • Fëmijët me çregullimin me autizmin kanë vështirësi në komunikimin verbal. Shpeshherë fillojnë të flasin me vonesë.

Shenjat e veshtirësive të komunikit jo verbal

  • Shmangë kontaktin me sy në shumicën e rasteve.
  • Përdorë shprehi të fytyrës që nuk kanë lidhje direkte e as indirekte me atë që po thotë.
  • Nuk i kupton shprehitë e fytyrës së të tjerëve, intonacionin apo gjestet.
  • Bën shumë pak gjeste (si tregimi me gisht).
  • Ka sjellje të përsëritura si ‘’robot’’.
  • Mund të jetë mjaft sensitive ndaj zhurmave të mëdha.
  • Mund të mos reagojë fare ndaj hyrjes e daljes së njerezve apo të kërkojë vëmendje.
  • Qëndrim jo normal, lëvizje të shpejta apo të ngatërruara (ecje vetëm majë të gishtave).

Fëmijët me autizëm kanë problem në kuptimin e shenjave jo verbale, apo kuptimin e gjuhës së trupit. Kjo e vështirëson komunikimin.

Shënja të mungesës së fleksibilitetit

  • Ndjekë rutinë strikte dhe ka preokupim me një fushë të caktuar interesi, shpeshherë mund të përfshin numrat apo simbolet (memorizim apo citim i fakteve të hartës, orareve apo statistika sportive).
  • Ka vështirësi të pranoj ndryshime në orar apo mjedis (bën skena nëse keni ndryshuar vendosjen e mobiljeve apo koha e gjumit ndryshon).

  • Mund të kalojë periudha të gjata duke parë objekte lëvizëse si freskuesja, apo përqëndrohet në një pjese të caktuar të objektit si rrotat e makinës dhe e përcjellë për një kohë më të gjatë.
  • Ripërsëritë të njejta veprime apo lëvizje si përplasja duarve, tundja, rotullimi.
  • Vëzhgimi i dritave, trokitja e gishtave, ngacmimi veshit, vendosja e gishtave para syve, gërvishtja.
  • Rrotullimi duarve, tundja para mbrapa, përplasja me kokë.
  • Vëzhgimi objekteve lëvizëse, hapja/mbyllja dritave, ripërsëritje e fjalëve apo tingujve.

Fëmijët me autizëm janë të sforcuar, jo fleksibil dhe shpeshherë obsesiv në sjelljet, aktivitetet dhe interesat e tyre.

Image result for autism boy intelligence


Shkaktarët

Dilemat vazhdojnë edhe në rrethet shkencore e të mos flasim në masen e gjerë.

Deri para ca viteve mendohej se autizmi shkaktohet nga faktorë gjenetik. Por, studime të reja domethënëse tregojnë se faktorët mjedisorë janë gjithashtu të rëndësishëm në zhvillimin e autizmit. Faktorët mjedisorë si në shumë sëmundje tjera edhe këtu mendohet se luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

Foshnje të lindura me vunerabilitet gjenetik ndaj autizmit “ngacmohen“nga diçka nga mjedisi i jashtëm, qoftë kur foshnja është në mitër apo pas lindjes.

Këtu përfshihet gjithçka që na rrethon përfshirë edhe ndotja apo toksikët në atmosferë.

Një rol shumë i rëndësishëm i kushtohet mjedisit prenatal.

Faktorët prenatal që mund të kontribojnë në autizëm:

– Marrja e ilaçeve të ndryshme (antidepresiv ) gjatë periudhës së shtatzanisë, sidomos 3 muajt e parë kur kemi edhe formimin e organeve, përiudhen e organogjenezës te foshnja.

– Deficienca nutrionale në fillimet e shtatzanisë, mos marrja e acidid folik, këtu mund të vie në shprehje edhe deficiencat tjera nutritive.

– Mosha e nënës dhe babait (mosha e shtyrë favorizon këtë problem).

– Komplikimi gjatë apo direkt pas lindjes, përfshirë peshë e vogël dhe anemia e foshnjës (një anemi e zgjatur mund të jetë shkak për shumë çrregullime tek një foshnje).

– Infeksionet e nënës gjatë shtatzanisë

-Ekspozimi ndaj ndotjes kimike, si metalet e pesticidet gjatë shtatzanisë.

Diagnostikimi:

Në shumicën e rasteve simptomat e autizmit janë të matshme meteste vlerësimi që në moshën 18 muajshe.

Prindër të kujdeshëm apo specialistë psikiatër e psikolog të mirëformuar qëllon t’i identifikojnë shenjat e para edhe më herët.

Si rregull, një diagnozë e konfirmuar e autizmit mund të vendoset rreth moshës 2 vjeç, pavarësisht se në praktikë është rreth dy vjeç e gjysëm tre, pikërisht atëherë kur problemet me të folurin janë bërë më të dukshme

Trajtimi:

Edhe pse kur të merrni diagnostikimin e saktë që fëmija juaj ka probemin e quajtur autizëm, do të duket se e tërë bota do përmbyset për jetën tuaj si prindër, megjithatë duhet të kuptoni se ka shpresë dhe shumëçka mund të bëhet ende.

Janë duke u bërë hapa shumë të rëndësishëm për çdo ditë që të vie deri te trajtimi sa më efikas i auitizmit.

Numri i madh i fëmijëve autistë tregon shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme. Më së shpeshti në muzikë, art dhe ndonjëherë edhe në matematikë. Sot në botë njihen talent të jashtëzakonshëm në këto drejtime.

Ngelet një punë e jona si shoqëri dhe profesionist mjekësorë që të nxisim dhe kultivojmë këto talente, të cilat mund të jenë shpresë për jetën e tyre por edhe të dobishme për shoqërinë.

Autizmi nuk është i pashpresë dhe me punë intensive mund të mbërrihen suksese të mëdha.

Disa modele terapish bëjnë sot të mundur të kontrollojnë e modifikojnë simptoma specifike duke sjellë përmirësim të dukshëm e të qëndrueshëm.

Një plan i mirë trajtimi vë në levizje një grup specialistësh që koordinojnë punën për të modifikuar simptomat bazë: dëmtimin e marrje-dhënieve sociale, komunikimin (verbal e jo-verbal) dhe veprimet a sjelljet përsëritëse e obsesive.

Sa më e herët ndërhyrja, aq më të mira duket të jenë rezultatet.

Fëmija dhe prindërit kanë nevojë për mbështetje, ngrohtësi e dije, sepse bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e të mundimshme.

Ne duhet të tregojmë se jemi me ta, ti kuptojmë ti përkrahim dhe të jemi pjesë e jetës e brengave të tyre.

Në trajtimin e autizmit rolin më të madh e ka familja dhe rrethi shoqëror. Pa këto dy elemente shumëçka është e vështirë.

Fatkeqësisht, ende nuk ka një tretman cilësorë dhe gjithëpërfshirës i cili do të ndërpriste në përgjithësi sjelljet autiste, mirëpo është e mundur të ndihmohen fëmijët që të funksionojnë dhe komunikojnë më lehtë me rrethin dhe te adoptohen me ambienti ku jetojn.
Në rastet e intervenimeve të hershme, në kohë të duhur, simptomat e autizmit mund të zbuten dukshëm.

Unë jam shumë optimist se e ardhmja e afërt do të sjellë ende hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Për të gjithë ne kam një mesazh:

Ti përkrahim, ti kuptojmë, të ndjejmë me ta, me familjet e tyre. Ata janë pjesë e jona, ata janë pasqyra e qytetërimit tonë si shoqëri.

Fëmijët autik mund të bëhen të jashtëzakonshëm në disa fusha, ti ndihmojmë të jenë të tillë… /www.familjadheshëndeti.com