Nga Labinot Kunushevci, sociolog
Kohëve të fundit kemi lexuar nga disa persona publik deklarata skandaloze me karakter fyes, nënçmues, zhvlerësues, ndaj mërgimtarëve shqiptarë, se ata janë ”primitivë”, ”analfabetë”, ”të bezdisshëm”, ”të krekosur”, ”irritues që dikujt ia shkaktojnë vjelljen”, etj.
Njerëzit që i gjykojnë kështu mërgimtarët janë të dehumanizuar, kanë injorancë dhe vuajnë nga komplekset dhe paragjykimet, shpeshherë naive dhe raciste. Ata që s’janë në gjendje minimalisht një fjalë të mirë me folë, një mendim pozitiv me pasë, një buzëqeshje dhe falenderim me ia ofru dikujt, që edhe 1 cent u dhimbset për bamirësi, kur shohin tjerët që bëjnë punë të mëdha, shokohen sepse karakteri i tyre nuk mund ta përballojë pozitivitetin. Në anën tjetër, po t’u jipet një mundësi për abuzim me paratë publike këtyre ”kritikëve të diasporës”, të parët janë që e bëjnë. Moralizimi i tyre është demagogji.
Në fakt, shpjeguar sociologjikisht, botëkuptimi që ata kanë për diasporën shqiptare është primitiv. Përndryshe diaspora është potenciali kryesor i shqiptarëve, i shumicës së familjeve dhe kontributdhënësi më i madh me remitenca dhe mbështetje. Ata kontribuan në rindërtimin e Kosovës pas luftës, ndërsa para saj në mbijetesë. Financuan studimin e shumë të rinjve, mbështetën shumë biznese, i dhanë impulsin kryesor ekonomive familjare dhe shoqërore. Humanizmi i tyre në përmasa dhe forma është i pashoq, është mrekulli në vete. Sakrifica e tyre shkruhet me ngjyrën e mallit për familje dhe vendlindje, me dashuri ndaj shqiptarëve. Ata gjithmonë kanë treguar se solidariteti dhe humanizmi është ajo që i karakterizon.
Një shembull i tillë i reflektua mbrëmë në emisionin televiziv ”Shqiptarët për shqiptarët”, ku një grup mërgimtarësh të ardhur special nga Zvicra, kryesuar nga Shkëlzen Krasniqi, Urim Zeqiri, etj., ofruan dhe siguruan mbështetje për ndërtimin e tri shtëpive për familjet e varfra në nevojë. Kjo nuk shpjegohet ndryshe veçse me vlerësimin, përgzimin dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e dhënë. Tri familjeve do t’u rikthehet shpresa, buzëqeshja, siguria, komoditeti. Mjerimi nuk do të ekzistojë më për ta. Këtë askush nuk mund ta bëjë pa mërgatën shqiptare. Ndoshta institucionet publike dhe buxhetet shtetërore kanë mjete më shumë, por nuk e kanë moralin, përgjegjësinë dhe vullnetin që ka diaspora jonë. /www.familjadheshëndeti.com