SËMUNDJET E GJËNDRËS TIROIDE

Nga: Dr. Ardiana Perjuci-Begolli, specialiste endokrinologe

Gjëndra tiroide është gjëndra më e madhe e organizmit e cila përbëhet prej dy lobeve laterale të lidhura me një urëz që quhet istmus. Ka formën e fluturës dhe ndodhet në pjesën e përparme dhe të poshtme të qafës, peshon afër 20-30 gram. Gjëndra tiroide prodhon hormonet T3 (trejodthyronin) dhe T4 (tiroksinë), hormone të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në të gjitha indet e trupit duke ndihmuar zhvillimin mendor dhe fizik gjatë periudhës embrionale dhe në etapat tjera të jetës, luan rol të rëndësishëm në metabolizëm e organizmit, në sistemin reproduktiv, termoregullacion, sistemin skeletor, funksionin e zemrës, sistemin e tretjes dhe prandaj shpeshherë këtë gjëndër e quajnë si dirigjent i veprimtarisë së organizmit. Çdo çrregullim në gjëndrën tiroide mund të ketë ndikim negativ në tërë organizmin.
 
Çrregullimet e gjëndrës tiroide munden me qenë morfologjike (ku kemi ndryshimin e madhësisë dhe formës) dhe funksionale (që manifestohet si pasojë e çrregullimit të prodhimit të hormoneve të gjëndrës).
 
Rritja e vëllimit të gjëndrës tiroide quhet strumë (në popull, njihet si gusha). Struma mundet me qenë difuze pra kur përfshihet e tërë gjëndra apo nodulare kur rritja e gjëndrës tiroide është e lokalizuar. Struma nodulare mundet me qenë e njëanshme apo e dyanshme, me një nodus (nyje apo gungëz) apo shumë noduse. Paraqitet si pasojë e:
• mungesës së jodit (prandaj preferohet përdorimi i kripës së jodizuar por keni kujdes që ta ruani kripën ku nuk ka lagështi dhe mos e lini diku ku i bie dielli meqenëse jodi avullohet),
• përdorimi i shpeshtë i ushqimeve strumogjene (lakra, lulelakra, brokoli, etj.),
• sëmundjeve virale,
• trashëgimia (sëmundjeve të tiroides në familje).
 
Sipas madhësisë struma mund të klasifikohet në disa stade: 0: kur tiroidja e zmadhuar nuk shihet, 1: kur tiroidja e zmadhuar preket (palpohet) por nuk shihet, 2: kur tiroidja e zmadhuar shihet me sy dhe preket te personi i cili ka pozitë normale të kokës, 3: kur tiroidja shihet e zmadhuar edhe prej distancës.
Çrregullimet funksionale të gjëndrës tiroide janë hipofunksioni i gjëndrës tiroide (Hipotireoza) dhe hiperfunksioni i gjëndrës tiroide (Hipertireoza).
 
HIPERTIREOZA shkaktohet nga hipersekretimi i hormoneve të tiroides T3 dhe T4 për arsye të ndryshme. Shkaktarët më të shpeshtë janë sëmundja Bazedow, (sëmundje e cila prek më shpesh femrat se sa meshkujt, e cila shfaqet kur organizmi i këtyre personave prodhon më tepër antitrupa që stimulojnë gjëndrën të prodhoj më tepër hormone), streset e papritura dhe të zgjatura, konsumimi i tepërt i jodit, tumori i hipofizës, dietat, trashëgimia, marrja e hormoneve të tiroides pa kriter (mbidozimi në rastet e trajtimit të hipotireozës), tiroiditi pas lindjes, shkatërrimi i tireociteve si pasojë e inflamacionit (kjo  mund të lirojë vrullshëm hormonet në gjak dhe manifestohet me simptoma të hipertireozës ku pastaj ja lë vendin hipotireozës).
 
Sëmundja manifestohet me lodhje, plogështi, djersitje, ankth, humbje të peshës edhe përkundër që këta persona kanë oreks, rritje të pulsit, dridhje të duarve, mos tolerancë të nxehtësisë, diarre, nervozizëm, depresion, flokë të yndyrosura, çrregullime të ciklit menstrual tek femrat, kruarje të trupit, tërheqja e kapakëve të syrit, exophtalmus (apo dalja e syve jashtë). Diagnostikohet me analiza (hormonet tiroidiene T3 dhe T4 janë të rritura ndërsa TSH e ultë), ultrazë të gjëndrës dhe scintigrafi. Trajtohet me barna antitiroidiene (metimazoli, propiltiouracil) të cilat zvogëlojnë prodhimin e këtyre hormoneve dhe b-bllokator të cilët zvogëlojnë frekuencën e zemrës, dridhjen e duarve dhe ankthin. Në disa raste trajtohet edhe me jod radioaktiv i cili shkatërron qelizat e tiroides dhe kështu kalohet në gjendje të hipotireozës për të cilën duhet marrë barna.
 
HIPOTIREOZA është një sindromë klinike e cila karakterizohet me uljen e funksionit të gjëndrës tiroide dhe si për pasojë ka uljen e hedhjes së hormoneve të tiroides në gjak. Hipotireoza mundet me qenë me etiologji kongjenitale (e lindur), virale, autoimune, jatrogjene (e shkaktuar nga përdorimi i dozave të mëdha të barnave për trajtim të hipertireozës, litiumi dhe disa barëra tjera). Mund të shkaktohet pas trajtimit me jod, pas largimit të gjëndrës tiroide për arsye të ndryshme, pas lindjes, etj. 
 
Simptomat e sëmundjes janë: lodhja, plogështia, lëvizje të ngadalësuar, të folurit e ngadalësuar, ngjirje e zërit, bradikardi, lëkurë e thatë, rënie e flokëve, gjendje gjumi, depresion, intolerancë ndaj të ftohtit, shtim në peshë dhe ulje e oreksit, opstipacion (kapsllëk), çrregullime menstruale, edemë atipike, ulje e përqendrimit, etj. Diagnostikohet në bazë të ankesave të personave, analizave hormonale (T3 dhe T4 janë të ulura ndërsa TSH e rritur, antitrupat anti-TPO dhe anti-Tg janë të rritura kur kemi të bëjmë me Tiroiditin kronik Hashimoto), dhe në bazë të ultrazërit të gjëndrës tiroide.
Mjekimi bëhet me Levotiroxin i cili përdoret vetëm një here në ditë. Fillohet me doza të vogla e sidomos te personat mbi moshën 50 vjeçare për t’i parandaluar incidentet kardiovaskulare. Rritja e dozave bëhet për 25 microgram në javë deri sa të arrihet doza e mjaftueshme për të mbajtur TSH në normë. Shenjat e mbidozimit janë të rrahurat e shpejta të zemrës, dridhjet, nervozizmi. Te personat me Tiroidit Hashimoto preferohet marrja e selenit për të ndaluar uljen e nivelit të antitrupave si anti-TPO dhe anti-Tg. Preferohet marrja e jodit me ushqime sepse gjëndrës tiroide i duhet jodi për t’i prodhuar hormonet e saj, por nuk duhet të teprohet sepse mund ta përkeqësoj hipotiroidizmin duke bllokuar sintezën e hormoneve.
 
Noduset dhe Kanceret e gjëndrës tiroide
 
Noduset e gjëndrës tiroide janë mjaftë të shpeshtë e sidomos paraqiten tek femrat sikurse edhe çdo sëmundje tjetër e tiroides. 90% – 95% të këtyre noduseve janë me natyrë beninje dhe vetëm 5-10% janë me natyrë malinje. Trajtimi i tyre është me intervenim kirurgjik vetëm nëse janë të mëdha dhe bëjnë presion në strukturat përreth.
 
Kanceret e gjëndrës tiroide janë: Kanceri papillar, Kanceri folikular, Kanceri medullar, Kanceri anaplastik, dhe kanceri metastatik.
 
Shkaktarët më të shpeshtë janë rrezatimi dhe mungesa e jodit në ushqim (e vërejtur sidomos tek personat me kancer folikular dhe anaplastik), por ka edhe shkaktarë tjerë.
Zakonisht preket një nyje (nodus) e pa dhembshme, shpesh zbulohet edhe gjatë ekzaminimit rutinor të qafës. Rritja shumë e shpejtë e nodusit e cila mundet të shkaktojë edhe ngjirje të zërit dhe gëlltitje të dhimbshme nuk është shenjë e mirë prandaj lajmërohuni sa më parë tek mjeku.
 
Diagnostikohen në bazë të anamnezës, ekzaminimit klinik, ultrazërit të gjëndrës tiroide, FNABs (shpimi i nodusit, ku mostra e marr me shiringë dërgohet për biopsi.) Shumica e karcinomave papilare mund të sekretojnë tireoglobulinën e cila mund të shërbejë si marker për diagnostikim. Karcinoma folikulare sekreton calcitonin dhe antigjenin karcioembrionik (CEA) ku këto shërbejnë po ashtu për diagnozë të karcinomës folikulare. Metastazat në gjëndrën tiroide zakonisht vinë nga kanceret e gjirit, mushkërive, veshkave, melanomës malinje.
Trajtimi bëhet me intervenim kirurgjik, radiojodterapi, e nëse ka metastazë kombinohet me rrezatim. Karcinoma anaplastike mjekohet edhe me kemoterapi. Përdorimi i levotiroxinës është i domosdoshëm meqenëse krijohet një gjendje e hipotireozes. Kancerët e gjëndrës tiroide kanë prognozë të mirë, pos në rastin e kancerit anaplastik i cili është me prognozë jo të mirë.
 
Rekomandimi im është përcaktoni nivelin e T3, T4, TSH, anti-TPO, anti-Tg dhe nëse prekni ndonjë nodus (gungëz) i cili është i fiksuar përcaktojeni edhe Tireoglobulinen dhe Calcitoninën. Nëse vlerat e hormoneve nuk janë në kuadër të vlerave normale konsultoni endokrinologun. Diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve shoqërohet me mjekim të suksesshëm dhe pa pasoja. /Familjadheshendeti.com