Nga Shpresa Rupar

Si nënë e një adoleshenteje, nënë në kohët e teknologjisë moderne, në këto vitet e fundit kam lexuar dhe kërkuar materiale nga më të ndryshmet mbi përdorimin e kompjuterit, telefonit, Playstation, rrjetet sociale. Sot besoj se jo vetëm unë, por shumë prindër ndodhen në situata, kur fëmijët e teknologjisë apo tech-kiddos, i njohin shumë më mirë se ne prindërit  përdorimin dhe funksionet e mjeteve elektronike. Mes miqve tanë dëgjojmë thuajse të njëjtat shqetësime:

”Nuk e di se çfarë të bëj më.”
”Nuk e kuptoj fare vajzën apo djalin.”
”Kanë qenë kohë të tjera.”
”Këtë mënyrë jetese e sjelljeje të tyre nuk e kuptoj fare.”

E pikërisht, meqenëse jam shpesh e rrethuar me njerëz të cilët merren pak a shumë me profesionin tim, gjithmonë kam pyetur për këshilla, mendime, idera ndryshe dhe sot, këto këshilla, njohuri që kam marrë nga burime të ndryshme, vendosa ti ndaj me ju, pasi si nënë i kuptoj shqetësimet e prindërve në lidhje me këtë sfidë të kohëve moderne. Disa prindër ju kufizojnë fëmjëve kohën e përdorimit të mjeteve elektronike, disa nuk vendosin limite, disa të tjerë përdorin ”kontrollin prindëror” për të kufizuar kohën e tyre para kompjuterit, televizorit, disa nuk e shohin të nevojshme pasi ju besojnë fëmijëve të tyre, disa përdorin metodën e dënimit, sidomos kur fëmijët marrin nota të këqija apo kur fëmija bën ndonjë gabim, dikush tjetër ka gjetur mënyra të tjera. Disa fajësojnë teknologjinë, gjithësesi një gjë që duhet të mos e harrojmë si të rritur është që problemi kryesor nuk është vetë teknologjia apo zhvillimi i kohëve moderne.

Në një artikull para disa muajsh vetë një adoleshent shkruante, citoj: ”Nëse e besoni që problemi i asaj se me çfarë merren adoleshentët online është një problem teknologjik, atëhere ende nuk keni kuptuar një të vërtetë jetike. Teknologjia nuk i detyron adoleshentët të bëjnë apo të mos bëjnë disa gjëra. Adoleshentët janë përgjegjës për jetën e tyre.”

Personalisht jam shumë dakord me mendimin më sipër, pasi ti mësojmë adoleshentët si të menaxhojnë sjlelljet e tyre online, si të menaxhojnë kohën në kohët dixhitale në fakt është një çështje e sjelljes dhe jo çështje teknologjie. Nëse ne si prindër nuk do të fokusoheshim aq shumë duke e parë teknologjinë si problem, por tek menaxhimi i sjelljes së adoleshentëve, jam e sigurt që edhe teknologjinë do ta trajtonim si një sfidë mes sfidave të tjera që kemi si prindër gjatë procesit të edukimit të fëmijëve.
Ndoshta edhe vënia nën kontroll e kësaj vale teknologjike apo ”prindërimi dixhital” mund të jetë një nga sfidat apo temat me të cilat janë ndeshur edhe më herët, pavarësisht se cila ka qenë ajo, pra ndoshta ka të bëj më shumë me vlerat që ju mësojmë fëmijëve tanë, me aftësitë e ndryshme që duhet të zhvillojnë, me vendosjen e kufijve, me forcimin e konfidencës dhe të besimit tek vetja por mbi të gjitha me marrjen e përgjegjësive për veprimet dhe sjelljet e tyre.

Më poshtë kam vendosur së bashku disa këshilla të ndryshme, këshilla të cilat mi kanë dhënë ekspertë të ndryshëm, ju lutem, merrni ato çfarë ju mendoni se ju përshtaten juve, fëmijës suaj dhe stilit të jetës suaj.

  1. Bisedoni hapur me fëmjët tuaj për kohën e përshatshme kur dhe sa orë duhet të përdoren mjetet elektronike, sa kohë rrjetet sociale, çfarë mund të publikojnë në rrjetet sociale dhe çfarë jo.
  2. Vendosni orare kur duhet të fiken telefonat apo kompjuterat, si për shembull gjatë kohës kur hani drekën, darkën, gjatë kohës kur luani një lojë familjare, kur shihni një film e të tjera aktivitete të përbashkëta.
  3. Vendosni limite kohore, sa orë në ditë ju lejohet të luajnë një loje, sa kohë të jenë online me miqtë, kuptohet duke ruajtuar një ekuilibër mes njërës dhe tjetrës.
  4. Në dhomat e gjumit të fëmijëve mos lejoni asnjë pajisje elektronike, duke përfshirë këtu edhe televizorin. Këto pajisje lejojini të përdoren vetëm në ambjentet e përbashkëta familjare.
  5. Gjatë natës vendosni gjithë telefonat të karikohen në një vend të përbashkët për të gjithë dhe jo në dhomat e gjumit.
  6. Mbi të gjitha ju si prindër, para se t’ju kërkoni fëmijëve këto rregulla, respektojini ju vetë këto rregulla, bëhuni shembull për ta.

Më poshtë janë disa nga dëmet kryesore që sjell varësia ndaj mjeteve elektronike.

  • Vetmia dhe depresioni. Sipas një studimi ne 2014, nga studimet e para rreth përdorimit të rrjeteve sociale, kanë gjetur lidhje direkte mes mediave sociale dhe ankthit e depresionit.
  • Ushqerje nga ankthi. Sa më shumë të përdorin mediat sociale, aq më pak rezultate kanë në fushat e tjera. Gjithashtu, në ditët e sotme mediat sociale janë kthyer në problem edhe në vendet e punës, jo thjesht mes adoleshentëve.
  • Rritja e stresit. Fëmijët nëse nuk ju përgjigjen mesazheve të miqve të tyre në kohë, ndihen sikur këta miq do ti harrojnë. Kontrollimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale kontribuon tek nivelet e stresit.
  • Mos përqëndrimi. Sa më shumë të përdorim rrjetet sociale aq më të shpërqëndruar jemi nga punët e përditshme dhe largojmë fokusin nga detyrat që me gjithë mend kërkojnë vëmendjen tonë. Këtë gjë e kam provuar edhe vetë disa herë. Disa herë me qëllim kam testuar veten, kur jam më produktive, kur shkruaj më bukur, kur kam seanca më cilësore me klientët, natyrisht përgjigja vetëkuptohet,  sa më pak online aq më mirë ndihem me veten, aq më produktive jam , kjo gjë reflektohet edhe tek klientët me të cilët punoj.
  • Ulja e aftësive për tu përqëndruar ose për të qenë kreativ. Zilja e telefonit apo bipet e ndryshme të rrjeteve sociale na shkëpusin nga puna apo rrjedha e mendimit që mund të jetë kyç për zgjidhjen e një problemi. Vetmia jo gjithmonë është e keqe, të qenit vetëm me mendimet tuaja, shpesh mund t’ju hapi dimensione komplet të reja, që as nuk i kishit menduar ndonjëherë.
  • Pagjumësia. Sa më shumë të jemi para dritës së pajisjeve elektronike, aq më keq dhe më pak flemë. Mungesa e gjumit ka pasoja direkte tek shëndeti mendor apo fizik.

Në një shkrim para disa kohësh nga një psikolog, shkrim i cili nuk kishte lidhje me teknologjinë, kam lexuar që në realitet, ashtu si edhe dikur, edhe sot ka rreziqe që kërcënojnë familjen dhe të dashurit tanë, si brenda apo jashtë familjes.

Sot mund të them që fal teknologjisë nuk ka qenë kurrë më e lehtë se në ditët e sotme që këto rreziqe të kenë qasje brenda shtëpive tona, veçanërisht tek fëmijët tanë.

Ne si prindër kemi detyrën të mbrojmë me vigjilencë familjet dhe fëmijët tanë dhe shpesh kjo vigjilencë, si në kohët e luftërave kërkon mbrojtje dhe sulm. Mbrojtja në këtë rast është marrja e masave për të forcuar komunikimin, marrëdhëniet, pra forcimi i vetë familjen nga brenda në mënyrë që të përballojë sa më mirë sulmet apo presionet nga jashtë, për të qenë sa më të pregatitur për të qëndruar sa më larg dhe për t’ju rezistuar këtyre ”sulmeve” nga jashtë. Për një familje të shëndethshme këto janë strategjitë më të mira, pasi ashtu si e kam theksuar shpesh herë, asnjë sukses nuk është rastësi, edhe edukimi i fëmijëve të shëndetshëm është më shumë i mundshëm në një familje që dinë ti përshtasin strategjitë e tyre në çdo kohë.

A ka gjithmonë sukses?

Natyrisht, nuk ka asnjëherë formula që vlejnë për të gjithë, merrni gjithmonë nga kushdo ato receta apo formula që i përshtaten karakterit tuaj, familjes suaj, mënyrës tuaj të jetesës dhe mos harroni asnjëhere; ju si prindër edhe sot po bëni një punë fantastike, po bëni më të mirën që mendoni brenda mundësive dhe njohurive tuaja.

Nëse jeni të kënaqur me rezultatet tuaja, thjesht do t’ju lutesha për një share më tej, sepse ndoshta një ide e vetme mund të ndihmojë një prind dhe një familje tjetër.

Faleminderit!/www.familjadheshendeti.com