Nga Shpresa Rupar
Ende vazhdon të flitet se njerëzit e suksesshëm flenë katër apo pesë orë. Shpesh kam hasur shprehje të tilla si “Do fle kur të vdes.”,
“Gjumi është për të dobëtin”, por a qëndrojnë këto shprehje si të vërteta?
Mos ndoshta këto thënie kanë dalë thjesht për të shtyrë njeriun sa më shumë drejt performancave për të arritur rezultate më të larta
dhe për të arritur rezultate gjithnjë e më të larta kuptohet duhet ti kushtojmë më shumë kohë punës dhe më pak kohë gjumit apo çlodhjes.
Por a qëndron kjo teori?
Po sikur me këtë shkurtim jonatyral të orarit të gjumit, në vend të suksesit kaq të dëshiruar të kemi ecje prapa?
Kurioziteti im i “tepërt” më shtyu të kërkoj materiale dhe libra mbi këtë temë dhe pas shumë e shumë materialeve
që kalova nëpër duar kuptova që studimet e mirëfillta kanë filluar vetëm vitet e fundit, pavarësisht se studiues të ndryshëm janë marrë dhe kanë shkruar rreth kësaj teme.
Midis materialeve të tjera më ra në dorë libri fantastik i autorit Shawn Stevenson “Sleep smarter”, ku autori ka analizuar me detaje pyetjen që i kisha bërë vetes. Sipas autorit dhe sipas disa studimeve të tjera nga specialistë të kësaj fushe është arritur në rezultatin që me këtë kokëfortësi pagjumësie ne krijojmë shumë probleme të cilat ndikojnë drejtëpërdrejt në sistemin metabolik dhe endokrin.
Me këtë mungesë gjumi, duke ndjekur suksesin, dëmtojmë shëndetin tonë, sot një në pesë amerikanë vuan nga mungesa e gjumit dhe sipas të dhënave edhe nga të tjerë specialistë të kësaj fushe, pagjumësia ndikon direkt në shëndetin tonë
dhe këto ndikime shfaqen me sëmundje të tilla si diabeti, obeziteti, depresioni, humbje e memories, alzheimer, sëmundjet kancerogjene.
Gjumi është një fenomen natyral dhe një të tretën e jetës e kalojmë në gjumë, pra është domosdoshmëri për rigjenerimin e qelizave të trupit, forcon sistemin imunitar, rrit energjitë fizike, përmirëson funksionimin e trurit dhe si i tillë duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi gjëja e parë që sakrifikojmë kur na duhet të mbyllim një projekt apo të mbarojmë një punë urgjente, është gjumi.
Ndoshta në atë moment na ndihmon të zgjidhim problemin dhe duket si zgjedhja më e zgjuar dhe më efikase, por në fakt nuk është, pasi nëse ruajmë rutinën e zakonshme, kur zgjohemi në mëngjes ndihemi të shlodhur dhe funksionojmë më mirë jo vetëm fizikisht por edhe psikologjikisht ose siç është shprehur Dr. William Dement “Pa gjumë të shëndetshëm nuk ka jetë të shëndetshme.”
Stevenson e ndan gjumin me cikle dhe çdo cikël mesatarisht zgjat 75 deri ne 120 minuta dhe gjatë një nate kemi nevojë për 4-6 cikle të tilla:
- Për të pasur një gjumë më të ëmbël gjatë natës, merrni më shumë rreze dielli gjatë ditës, pasi kjo ndikon në prodhimin dhe sekretimin e melatoninës, e domosdoshme për të rregulluar ciklet gjum-zgjim.
- Mos mbani mjete elektronike në dhomën e gjumit (kompjuter, iPad, celular, televizor), pasi me këto mjete elektronike keni ftuar në krevatin tuaj apo vendin e shenjtë siç e quan autori, një botë të tërë me problemet e tyre.
- Ashtu si bebja që ka nevojë për një rutinë të përditshme, po aq nevojë ka edhe i rrituri për rutinën e gjumit, pasi me këtë rutinë nuk ç`orientojmë funksionet e trurit dhe të trupit. Orari më i mirë për të përfituar sa më shumë nga gjumi dhe nga efektet e tij rigjeneruese është ora 22-2 dhe kjo për arsyen se trupi funksionon në harmoni me ligjet e natyrës, kur bie errësira është koha për gjumë.
- Kujdes me ushqimet dhe pijet. Është e vërtetë që nuk duhet të lejojmë trupin të dehidratohet, por për këtë duhet të kujdesemi gjatë ditës dhe jo para gjumit, pasi na duhet të çohemi gjatë natës dhe me këtë prishim ciklet e gjumit. Gjithashtu më e mira është të hamë vaktin e fundit 2 orë para gjumit, ose nëse trupi kërkon patjetër diçka para gjumit, më e mira është të hamë disa arra, lajthi apo bajame.
- Nëse keni probleme me gjumin përdorni më pak ose aspak kafeinë. Kafeina është një stimulant tepër i fuqishëm i sistemit nervor. Shumica e njerëzve mbas orës katër pasdite nuk duhet të pinë më kafe, disa pas orës dymbëdhjetë dhe disa duhet ta ndërpresin fare.
- Ruani një temperaturë konstante të ambjentit ku flini, 18-21 gradë dhe jo më shumë.
- Përdorni perde të errëta. Çfarë do lloj drite në dhomën e gjumit ndikon në prishjen e gjumit, pasi lëkura ka receptor për thithjen e dritës. Ekspertët sygjerojnë që dhoma e gjumit duhet të jetë aq e errët sa nuk shifni as dorën tuaj.
- Merrni magnez, pasi është antistresant shumë i mirë, i cili ndihmon në qarkullimin e gjakut, kontrollon nivelin e glukozës, relakson muskujt e tensionuar, lehtëson dhimbjet, qetëson sistemin nervor. Mungesa e magnezit është një nga mungesat kryesore në trupin e njeriut.
- Dhoma e gjumit le të jetë vetëm për gjumë dhe jo për punë apo zbavitje, mos lejoni as miqtë të hyjnë në dhomën tuaj të gjumit.
- Para gjumit mundohuni mos të pini alkohol.
- Mos filloni të zgjidhni problemet e pazgjidhura gjatë ditës në krevat, si me veten apo me partnerin. Për tu larguar sa më shumë nga problematikat e ditës që kaluat apo nga ato që ju presin, Stevenson sygjeron meditimin.
- Flini herët, zgjohuni herët.
- Përfitoni sa më shumë nga energjitë magnetike që përçon toka dhe për këtë sygjeron ecjen më shpesh me këmbë zbathur si në parqe, rërë, marrjen me aktivitete sportive jashtë ambjenteve të mbyllura si noti në det, lum, liqen, për fëmijët sygjerohen lojrat me baltën etj.
Personalisht kam fatin e mirë të jetoj në një vend ku ka një qetësi absolute, përveç zhurmës së brendshme që e krijoj vetë , por gjatë lëvizjeve të mia në Shqipëri has fenomenin e zhurmës, rreth të cilit, gjatë kërkimeve, nuk gjeta asnjë të dhënë.
Kjo vjen pasi këtë fenomen apo problem e kanë rregulluar me ligje dhe për ta moszhurma është normale.
Këto zhurma gjatë orëve të vona vijnë nga boriet e makinave nga shoferët e papërgjegjshëm, nga lokalet e rrëmujshëm, nga lëvizjet e njerëzve nëpër rrugë dhe problemi nuk qëndron tek vetë lëvizjet, por tek debatet me zë të lartë pa pyetur shumë për privatësinë e qindra mijëra njerëzve, të cilët e kanë domosdoshmëri orarin e rregullt të gjumit dhe qetësinë e natës.
E kam shumë të qartë që kushtet ekonomike nuk ju ofrojnë gjithë qytetarëve të njëjtat mundësi, ku secili të ketë dhomën e vet të gjumit apo të ketë temperaturën e ideale të dhomës gjatë gjithë vitit, por të paktën le të mos bëhemi ne si qytetarë të thjeshtë shkaku për shtimin e stresit, le të japim ne si qytetarë të thjeshtë kontributin tonë të vogël për shëndetin publik, le të mos bëhemi pjesë e ndotjes akustike shkatërruese, le ti tregojmë vetes dhe fëmijëve tanë që mund të jemi qytetarë me përgjegjësira dhe jo vetëm me kërkesa.
Ju uroj një natë me gjumë dhe ëndërra të bukura!
“Në ditët e sotme njeriu më befason më shumë nga çdo gjë tjetër, pasi ai sakrifikon shëndetin për të bërë pasuri dhe pastaj sakrifikon pasurinë për të rikuperuar shëndetin.”
Dalai Lama