Nga: Dr.Ismail Lutolli specialist Pediater
Subspecialist Dietolog-Nutricionist;Hematolog;Onkolog
Vështirësitë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të lindur parakohe?
Foshnjat e lindura para kohe dhe rreziku per verbimin e tyre ?
Cilat janë kontrollet që duhet t’i realizojmë për fëmijët e lindur para kohe?
Perspektiva e fëmijëve të lindur para kohe !
Kur një fëmijë quhet i lindur parakohe ?
Foshnjat e lindura para javës së 37-të të shtatëzanisë quhen foshnja të parakohshme. Java e 23 – 24 e shtatzanisë mendohet të jetë koha më e hershme që një fëmijë ka mundësi për të mbijetuar, falë kujdesit të theksuar intenziv dhe aparaturave përkatëse. Foshnjet e lindura para javës së 24 zakonisht e kanë shumë të vështirë mbijetesen përkundër kushteve mjaft të favorshme që ofron kujdesi intenziv. Në 20-30 vitet e fundit janë bërë hapa të mëdhenjë në trajtimin e të lindurve parakohe dhe sukseset nuk mungojnë.
Në varësi të javëve kur lind foshnja ,lindjet prematurë ndahen në tre grupe :
1. prematura ekstreme , për foshnjat që lindin para 28 javëve,
2. grupi I prematuritetit mesatar për foshnjat e lindura 28 deri në 32 javë dhe
3.prematurë e lehtë për të lindurit në javën 32 deri në 37.
Sipas të dhënave për vitin 2018 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në botë lindin prematurë të paktën një nga 10 foshnje në vit, pra 15 milionë foshnje, dhe se kjo shifër rritet çdo ditë e më shumë.
Pamja e një foshnje të lindur para kohe, si duket?
Foshnjet e lindura para kohe i karakterizon një jo pjekuri e përgjithsme e organeve e cila shihet në tërë organizmin. Lëkura te foshnjat është e hollë dhe e mbuluar me qime të vogla, ndërsa enët e gjakut janë të dukshme. Kemi një moszhvillim të duhur të muskujve dhe dhe indi yndyror nën lëkurë si dhe organet seksuale janë të pazhvilluara. Të qarit mezi dëgjohet. Sidoqoftë e tërë kjo do të ndërroj me kalimin e ditëve e javëve në vazhdim ku foshnja do të zhvillohet, përparojë, rritet dhe do të fitojë pamjen e foshnjës së lindur në termin.
Sa e rrezikshme është nëse fëmija ka lindur para kohe ?
Foshnjat e parakohshme janë zakonisht shumë të vegjel dhe të pazhvilluar, me një peshë lindjeje më të vogël se 2500-2000 gram. Janë fëmijë jashtëzakonisht të papjekur nga kuptimi fuksional I organizmit për të mbijetuar në ambientin jashta mitrës së nënës ku ishin deri me tani .Pothuajse në shumicën e rasteve ka edhe ndonjë arsye për lindje të parakoshme që e bën edhe më të komplikuar vetë procesin e mbijetesës së tyre në ambientin e jashtëm.
Prandaj, për shkak të lindjes së parakohshme, në raste të caktuara ekziston rreziku që fëmija të ketë disa probleme shëndetësore si p.sh
• Probleme të frymëmarrjes (zhvillimi i sëmundjes kronike të mushkërive, probleme në zhvillimin e mushkërive apo infeksione të mushkërive);
• Të prirur ndaj infeksioneve të ndryshme sidomos traktit respirator;
• Probleme neurologjike (hemorragji cerebrale, tonus muscular të ulur, konvulsione),varësisht nga komplikimet e një lindje të parakoshme kemi edhe pasojat eventuale, jo domosdoshmërisht;
• Probleme kardiovaskulare;
• Probleme të ngrënies dhe traktit tretës (pamundësia për të koordinuar thithjen dhe gëlltitjen);
• Intoleranca e qumështit por edhe probleme serioze me nekrozën e zorrëve që mund të jetë mjaft e rrezikshme);
• Verdhëza për shkak të papjekurisë së mëlçisë dhe organeve të tretjes;
• Çrregullime në zhvillimin e enëve të gjakut në sy, probleme me të pamurit më vonë.
Probleme me traktin respirator (të frymëmarrjes)
Për shkak të lindjes së parakoshme, papjekurisë, mushkëritë e lindura para kohe zakonisht kanë mungesë surfaktanti, një substancë -shtresë e lëngshme brenda. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe kështu foshnjet e lindura parakohe nuk mund të marrin frymë. Andaj, surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë së foshnjeve të shkaktuar nga RDS.
RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dikur ka qenë fatal për foshnjet te lindura para kohe, por sot falë kujdesit intenziv dhe frymarrjes se kontrolluar (CPAP) mbi 80% të foshnjave e kalojnë me sukses këtë problem.
Problemet me mushkëritë mund të avansojnë në ndezjen e mushkërive deri te gjakderdhja nga mushkëritë. Përdorimi i vazhdueshëm i frymëmarrjes artificiale favorizon te gjitha problemet e theksuara. Shpeshëherë këto komplikime mund të jenë edhe të kushtueshme për shëndetin e një të linduri parakohe.
Problemet me nivelin e ulur te sheqerit në gjak
Hipoglikemija apo ulja e sheqerit në gjak tek një i posalindur parakohe, mund të jetë fatale duke përfshirë dëme të konsideruara apo të mundshme të trurit apo sistemit nervor qendror.
Dy ditët e para kanë ndjeshmërinë më të madhe dhe kujdesi për nivelin e sheqerit në gjak duhet të jetë i vazhdueshëm dhe sipas nevojës te fillohet me korigjimin nëse ka nevojë.
Apnea – ndërprerja e përkoshme e frymëmarrjes
Ky problem është shumë më i zakonshëm tek foshnjat që lindin para kohe dhe karakterizohet me periudha të pauzimit nga frymëmarrja që zgjasin më shumë se pesëmbëdhjetë sekonda. Kur zbulohet apnea, zakonisht bëhen teste për të përcaktuar nëse fëmija ka nevojë për monitorim. Monitorimi i apnea së gjumit zakonisht është i nevojshëm një deri tre muaj pas lindjes e ndonjëherë edhe më gjatë varësisht nga gjendja klinike.
Vrima në zemër (Ductus arteriosus )
Në shumë raste, nuk ka simptoma, përveç ndoshta buzët blu apo mos shtimit në peshë si dhe infeksionet e shpeshta.
Normalisht, nivelet e prostaglandinës e bien gjatë lindjes së fëmijëve dhe ena e gjakut fillon të mbyllet gjatë orëve të ardhshme. Por në rreth gjysmën e foshnjeve shumë të vogla të parakohshme (ato që peshojnë më pak se 1.500 gram) dhe në disa foshnje më të mëdha, nivelet e prostaglandin e nuk bien dhe ena e gjakut mbetet e hapur ose patentë.
Sidoqoftë, trajtimi me ilaçe antiprostaglandin është zakonisht i suksesshëm në mbylljen e enës së gjakut; rrallë mund të ketë nevojë edhe për intervenim.
Sëmundja e zorrëve
Enterokoliti nekrotik është një sëmundje e zorrëve në të cilën indi i zorrëve dëmtohet dhe humbe definitivisht funksionin duke u nekrotizuar. Është një nga komplikimet e mundshme të fëmijëve që kanë lindur parakohe dhe që pesha e tyre ngelet mjaft e vogël .
A është i domosdoshëm inkubatori për të gjitha foshnjat e lindura para kohe?
Te fëmijët e lindur para kohe ekziston problem i madh çështja e rregullimit të temperaturës trupore, andaj futja në inkubator bëhet pothuajse e domosdoshme.
Në inkubator përpos temperaturës se nevojshme gjenë edhe lagështinë e duhur te ajrit dhe një ambient me komod sesa në shtratin e hapur. Edhe procesi eventual I fototerapisë realizohet në mënyrë komode duke qenë në inkubator. Nuk duhet harrojmë se inkubatori gjithashtu e mbronë foshnjen nga infektimet e mundshme pasi paraqet mjedis te izoluar.
Sa gjatë qëndron foshnja në inkubator?
Sa më shpejt që një foshnje arrinë te ekuilibroj temperaturën trupore pa qenë e nevojshme ndihma nga inkubatori aq më shpejt do transferohet nga inkubatori. Në shumë institucione kjo lidhet edhe me fillimin e shtimit te peshës trupore dhe vendoset kufiri prej 1.600 – 1700 gr.
Transferimi nga inkubatori për në shtratin e zakonshëm nënkupton edhe stabilizim te gjendjës se përgjithshme dhe përgaditje të ngadalshme edhe për dalje nga spitali, pra është një hap shumë i rëndësishëm.
Sa duhet të shtoj në peshë foshnja e lindur para kohe gjatë muajit?
Përparimi varet nga një sërë faktorësh dhe nga gjendja shëndetësore në përgjithësi. Sidoqoftë një shtim nga 150 deri 200g në javë merret si vlerë orientuese optimale.
Sa gjatë qëndron në spital foshnja e lindur para kohe?
Foshnjat e lindura para kohe qëndrojnë në spital varësisht nga java e lindjes dhe ecuria me tutje. Ka shumë rëndesi që foshnja te rimarr vetveten, të filloj te shtoj peshë dhe të ketë në funksion te plotë çështjen e ushqyerjes, pra të stabilizohën këta faktorë dhe atëherë mund të largohet nga spital. Kjo periudhë mund të jetë nga 2 deri ne 6 javë. Në raste tjera edhe më gjatë.
Cfarë duhet të kemi kujdes për foshnjat e lindura para kohe?
Foshnjës të lindur para kohe i nevojitet vëmendje dhe kujdes më i madh sesa një foshnje te lindur me kohë. Ka shumë rëndesi që në javët e para të keni më shumë vëmendje, të merrni disa herë në ditë të realizoni kontaktin direkt me të dhe ti flisni dhe ta ushqeni në mënyrë mjaft të kujdeshme. Pra çdo kontakt i juaji duhet bërë në mënyrë të kujdeshme dhe me mjaft ndjeshmëri e dashuri. Kujdes edhe me ambientin qe e rrethon dhe rrobat qe ja përdorni.
Foshnjat e lindura para kohe a mund të ushqehen normalisht me gjidhenje ?
Jo vetëm që ka mundësi por duhet të theksojmë se ky proces ka një rëndësi të jashtëzakonshme në rritjen dhe zhvillimin normal të foshnjes suaj.
Provojeni pa humbur kohë të shtrydhni qumështin e gjirit dhe ti ofroni përmes biberonit .Kur bëhet fjalë për foshnjë të parakohshme, shpesh ato kanë problem me thithjen, derisa nuk forcohen dhe nuk zhvillohen sa duhet. Prandaj, më së miri është ta shtrydhni qumështin tuaj me ndihmën e pompës dhe t’ia jepni foshnjës suaj. Me kalimin e javëve është krejtësisht e mundur edhe gjidhënja direkte. Pra, duhet vetëm përkushtim pa u ndalur.
Po me kontrollet e mëvonshme çfarë të bëjmë?
– Janë të nevojshme kontrolle dhe skrining të rregullta, të cilët janë rekomanduar nga mjeku. Shumë kujdes duhet treguar në kontrollet e vazhdueshme për të shikuar nga afër.
– Peshën trupore;
– Pastaj vlerësimin e zhvillimit motor në përgjithsi;
– Çështjen e ushqimit dhe mënyrën e realizimit;
– Analizat laboratorike sidomos pasqyrë gjaku, glukoza;
– Duhet kujdes edhe në testet e vlerësimit të dëgjimit e në veçanti të shikimit;
– Patjetër duhet kontrollë te mjeku Oftalmolog;
– Kontrollë te mjeku Pediatër-Neonatolog.
A mundet foshnja e lindur para kohe t’i arrijë moshatarët e vet?
Kjo ngelet një pyetje me shumë dilema pasi se sa shpejtë do ecen një foshnje e lindur para kohe do t’i varet nga faktorët gjenetik së pari pastaj gjendjes së përgjithshme shëndetësore, mjedisi, nëse ka sëmundje kronike, probleme neurologjike. Nëse nuk ka kurrfarë komplikimesh, nëse rritja dhe zhvillimi janë normal dhe me hapa të vlerësuar, foshnjat e lindura para kohe deri në tre vjet mund t’i arrijë moshatarët e vet.
Sidoqoftë mendoj se ka shumë rëndësi që hecja të jetë në kondita të një shëndeti të mirëfilltë dhe me pak e rëndësishme është ti arrijë me çdo kusht moshatarët.
Kjo nuk ka aspak rëndësi pasi nëse ecja është e sukseshme më vonë mund edhe ti kalojë moshatarët pa problem.
Foshnjat e lindura para kohe dhe rreziku për verbimin e tyre
Në kushte normale fëmijët që lindin para kohe duhet qe rregullisht i’u shtrohen kontrolleve të rregullta dhe intensive të syrit në mënyrë që të identifikohen komplikimet e mundshme.
Fëmija që lindin para kohe e kanë retinën të pa zhvilluar mjaft dhe shpeshherë retina e tyre është tepër e ndjeshme në ambient jashtë barkut të nënës. Qëndrimi në inkubator,fototerapia e favorizon edhe më shumë dëmtimet e mundshme të syrit. Ajo i ekspozohet një ambienti i cili mund ta rrezikojë pariparueshëm retinën e syrit dhe këtu është i domosdoshëm kujdesi maksimal i personelit mjekësor.
ROP (retinopathy of prematurity) është diagnoza që përmbledhë sëmundjet e kësaj natyre të retinës. Një ndër shkaktarët më të mëdhenjë për verbimin e madh të fëmijëve të lindur para kohe, ishte mungesa e njohurive elementare e personelit mjekësor.
Rreziku më i theksuar për ROP është për lindjet ne mes javës 22-27 dhe pastaj rreziku bie me 50% për çdo javë që shtyhet lindja.
Është shumë me rëndësi që pas çdo lindje të parakohshme të kontrollohet me kujdesin ma të madh retina në sy nga mjeku Oftalmolog . Në rast se vërehen anomali në retinë, është me rëndësi intervenimi sa ma i shpejtë. Trajtimi laserik zakonisht jep efekte të mira.
Është e pafalshme të vie deri te verbimi i fëmijëve si pasojë e mos kujdesit të duhur nga personeli mjekësor apo mos diagnostifikimin e hershëm dhe mjekimin cilësor.
Perspektiva e fëmijëve të lindur para kohe
Frika e prindërve se foshnjat e lindura para kohe mund të jenë në disavantazh me fëmijët e tjerë, janë jo krejtesisht të pa bazuara. Fëmijët e lindur para kohe mund te jenë po aq të talentuar dhe tregojnë aftësi në të mësuar, ashtu si bashkëmoshatarët e tyre. Kuptohet kjo arrihet me punë dhe përkushtim të madh.
Fëmijët e lindur para kohe përfshihen në grupin e fëmijëve të rrezikuar sidomos nese kemi:
– Peshës së ulët të lindjes;
– APGAR më pak se 7;
– Gjakderdhje në tru apo edhe hipoksia; (mungesa e oksigjenit)
Vetë koncepti i “neuro-rrezikut” tregon mundësinë e vështirësive të caktuara të zhvillimit.
Është e vështire të thuhet prognoza e qartë për shëndetin e tyre dhe pasojat në të ardhmen, pasi kjo varet nga ecuria individuale e secilit fëmijë të lindur para kohe.
Tek disa nga ta mund të kemi vështirësi të lehta që fillojnë të shprehen vetëm në moshën parashkollore ose shkollore. Nëse njihet me kohë, disa pasoja më të lehta të tilla si koordinimi i dobët, përqendrimi, aftësi të kufizuara në të nxënë – mund të tejkalohen me sukses me një përgjigje të duhur dhe në kohë. Jo vetem të tejkalohen por të zhduken fare si probleme. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme të monitorohet zhvillimi i foshnjeve të parakohshme gjatë gjithë fëmijërisë së tyre të hershme, derisa të fillojnë shkollën. /Familjadheshendeti.com