Në këtë intervistë speciale për Grupin ”Familja dhe Shëndeti”, me nutricionistin, dietologun dhe pediatrin e njohur Dr. Ismail Lutolli, janë diskutuar këto tema: Perspektiva e mjekësisë në Bosnje dhe Kosovë; Trajtimi i shëndetësisë nga ana e shtetit të Kosovës; Konflikt interesi dhe konflikti moral në mes të sektorit publik dhe privat; Rreziku nga mosnjohja e cilësive dhe efekteve të produkteve ushqyese; Produktet e domosdoshme që përmbajnë vlera shëndetësore; Kontakti fizik – kimik me tokën dhe dobitë e tij në shëndetin e fëmijëve; Kritika ndaj industrisë farmaceutike, pasojat nga ”Big Pharma” dhe qëndrimi kritik ndaj recepturës mjekësore; Roli i mjekësisë alternative; Rreziku i blerjes së barërave pa recepturë të mjekut; Korruptimi i ndërgjegjes akademike në dëm të shëndetit publik; Ndërlidhja e jetëgjatësisë me mënyrën e të ushqyerit; Roli i nutricionizmit – dieotologjisë dhe rreziqet nga suplementet artificiale; Etika e mjekut bashkëkohor; Kontributi i Grupit ”Familja dhe Shëndeti” në promovimin e vlerave. Kjo intervistë është realizuar nga sociologu Labinot Kunushevci.
Dr. Ismail Lutolli ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, specializimin në fushën e Pediatrisë dhe sub-specializimin në tri fusha: 1. Dietologji-Nutricionizëm, 2. Hematologji dhe 3. Onkologji. Momentalisht është në fazën e edukimit dhe sub-specializimit edhe në fushën e Gastro-entero Hepatologjisë, dhe kandidat në studimet për doktoraturë. Dr. Lutolli është edukuar dhe ka përfituar një përvojë profesionale në disa vende si: Shqipëri, Turqi, Kroaci, Itali dhe Sarajevë.
Familja dhe Shëndeti: Pas sub-specializimeve në Sarajevë ku keni studiuar dhe punuar, viteve të fundit keni paralajmëruar rikthimin në Kosovë. Sa shpejt pritet që do të ndodhë kjo?
Dr. Ismail Lutolli: Transferimi nga një shtet në shtetin tjetër është gjithmonë një proces jo i lehtë dhe madje me mjaft vështirësi. Derisa jeton jashtë shtetit ku ke lindur është një ndjenjë që të gufon nga brenda dhe të mbanë vazhdimisht në dëshirën më të madhe që të ofrosh më të mirën e mundshme tek populli që i përket. Ka shumë rrugë që kjo mund të realizohet, një ndër to është edhe rikthimi në vendin e origjinës. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim pavarësisht rrethanave ku ndodhem por nuk ka dyshim që rikthimi drejt Kosovës do të lehtësonte shumë këtë proces.
Familja dhe Shëndeti: Cilat dallime i vëreni në këto dy vende në perspektivën e mjekësisë dhe shëndetit, sidomos në fushat tua specifike të pediatrisë, dietologjisë – nutricionizmit?
Dr. Ismail Lutolli: Mendoj që ka dallime sidomos në sektorin shtetëror të shëndetsisë. Në vendin ku unë punoj në Sarajevë, në fushën pediatrike ekziston dallim i madh si për shërbimet që ofrohen ashtu edhe për nivelin profesional. Qendra Universitare ku unë punoj njihet institucionalisht si qendër referente dhe shërbimi ka një cilësi të theksuar. Gjithçka që duhet për një fëmijë ofrohet në kohë rekorde dhe diagnostifikimi e mjekimi realizohet gjithashtu në kohën sa më të shpejtë. Rastet mjaft të komplikuara dërgohen nga shteti për trajtim në institucione të specializuara. E gjithë kjo bëhet në kordinim profesional. Në Pediatri kryhet edhe transplanti i palcës kockore dhe shumë gjëra tjera që në Kosovë duken ende të largëta.
Sa i përket fushës së dietologjisë gjithashtu i kushtohet rëndësi të madhe, ka projekt universitar dhe kuadro të specializuara për këtë fushë, pra mjeku dietolog-nutricionist. Kam pasur fatin që studimet e mia në këtë fushë t’i kem nën përcjelljen rigoroze të Prof. Catović si eksperte e jashtëzakonshme e kësaj fushe. Sub-specializimin tim në fushën e dietologjisë dhe një pjese të madhe të edukimit e kam kryer nën monitorimin e Prof. Catović.
Familja dhe Shëndeti: Cilat janë planet tua në Kosovë?
Dr. Ismail Lutolli: Një është krejtësisht e sigurtë: çka do që sot mund të them sigurisht do ishte më e pakët sesa ajo që mendoj të realizoj nëse vie deri te rikthimi im. Jam njeri mjaft optimist dhe synimet e mia janë mjaft të mëdha. Jam mjaft optimist se do të realizohen hap pas hapi dhe esenca do jetë ndihma profesionale në disa fusha tek populli im.
Familja dhe Shëndeti: Buxheti vjetor i Kosovës për shëndetësi është 200 milion euro, që për kokë banori i bie 100 euro. Nëse krahasojmë me vendet tjera, shohim që Shqipëria ndanë disa fish më shumë, Maqedonia ndanë 500 euro për kokë banori, Serbia ndanë 700 euro, Mali i Zi ndanë 800 euro, Turqia ndanë 1000 euro, Gjermania ndanë 4000-5000 euro, SHBA ndanë 10 000 dollarë. Si e vlerësoni këtë ndarje të buxhetit të Kosovës për shëndetësi? A tregon kjo për mënyrën, rëndësinë dhe seriozitetin me të cilën e trajtojmë shëndetin?
Dr. Ismail Lutolli: Nuk ka asnjë dyshim që kjo flet më së miri për mos seriozitetin e instituticioneve tona në trajtimin e shëndetësisë. Nuk ka një sistem shëndetësor të avansuar aty ku nuk ka buxhet të mjaftueshëm dhe aty ku buxheti ekzistues nuk menaxhohet në mënyrën e duhur. Shpresoj që Kosova do të bëjë hapat e duhur në këtë drejtim, do duhej të bënte. Kjo duhet të ndodhë nëse dëshirojmë sistem shëndetësor të avansuar.
Familja dhe Shëndeti: A ekziston një konflikt interesi dhe një lloj dualizmi në mes të sektorit publik dhe atij privat në shëndetësi? Ku dallon interesi i sektorit publik prej atij privat? Si e shpjegoni rekrutimin e pacientëve nga sektori publik në atë privat, ndërsa kemi mjekë që punojnë në sektorin publik duke menduar se si do të punojnë dhe fitojnë në sektorin privat?
Dr. Ismail Lutolli: Ky është një ndër problemet e theksuara në sistemin shëndetësor në Kosovë. Mendoj se kushtet në sektorin shtëtëror përfshirë edhe pagat mujore duhet të jenë të tilla sa mjeku të mos mendoj se pas një orari të stërgjatur në punë të shkoj dhe të vazhdoj edhe disa orë punë në klinikat private.
Nuk jam për imponimin e zgjedhjes se domosdoshme privat ose shtetëror, por pa dyshim jam pro organizimit të duhur ku shërbimet shtetërore, ku ato institucione nuk shërbejnë si urë kaluese drejt atyre privat. Kjo duhet sanksionuar ligjërisht dhe pastaj është çështja e mjekut se ku dëshiron të punoj në institucione shtetërore apo ato private.
Kjo që sot ndodhë në Kosovë është më shumë sesa absurde. Nuk mund të punoj një mjek në spitalin shtetëror deri në orën 13 e pastaj nga ora 14 deri 20 në atë privat. Kjo nuk ndodhë në asnjë vend të zhvilluar ku mjeku ka dinjitet e shëndetësia ka kritere të rregullta. Në Kosovë aktualisht institucioni shtetëror shërben më shumë si portë për t’i orientuar pacientët drejt klinikave private.
Më e mira do ishte që të vie dita kur pacienti me sigurimin shëndetësor që ka do zgjedhë ku do të realizojë kontrollën dhe të ketë liri të zgjedhjes. Kjo do avansonte konkurencën e ndershme dhe do mbyllte rrugët e manipulimeve që sot ndodhin.
Familja dhe Shëndeti: A ka konsumatori modern kriter? Shumica prej nesh konsumojmë produkte që plotësojnë shijet, egon dhe dopaminën, deri në varësi, pa e ditur se si prodhohen apo kultivohen, se çfarë përbërës dhe elemente kanë dhe se si ndikojnë në shëndetin tonë! Si shoqëri konsumeriste, në mungesë të dijes dhe sigurisë për produktet, sa paraqet kjo rrezik për shëndetin?
Dr. Ismail Lutolli: Mendoj se konsumatori sot jo vetëm që nuk ka kriter por ka shumë pak vetëdijësim e besa edhe shumë pak mundësi zgjedhje. Do të duhej institucionet shtetërore të jenë më rigoroze karshi kontrollit të ushqimeve që servohen në tregun tonë dhe atyre sidomos që importohen nga jashtë. Ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim.
Për mua është shpresëdhënëse që kemi fillimin e ngritjes së vetëdijes te një pjesë e qytetarëve të cilët gjithmonë e më shumë kërkojnë produkte vendore por edhe të shëndetshme si dhe interesohen për vlerat e tyre ushqyese. Kohëve të fundit më rastis të kontaktohem nga shumë prindër me kërkesën e njëjtë për shpjegimin e cilësisë së ushqimeve dhe rëndësisë në shëndetin e fëmijëve të tyre.
Familja dhe Shëndeti: Në Grupin ”Familja dhe Shëndeti” keni publikuar shumë artikuj për vlerat e ushqimit. A mund të përmendni disa ushqime apo produkte që duhet konsumuar dhe ato që duhet evituar?
Dr. Ismail Lutolli: Zakonet e mira ushqyese kultivohen në familje dhe iu takon prindërve t’i mësojnë fëmijët kulturën e drejtë të ngrënies si dhe ngrënjen e ushqimeve të shëndetshme. Mund të jetë një proces i komplikuar e afatgjatë, por në fund do ia vlejë. Këtu përfshihen ushqimet e shëndetshme, përdorimi i frutave dhe perimeve të freskëta. Këto sigurojnë një përqendrim të lartë të fibrave, fitonutrientëve, vitaminave, mineraleve, që janë antioksidantë të fuqishëm si dhe reduktojnë efektin e dëmshëm të radikaleve të lira në trupin tonë. Mjaft e rëndesishme është përdorimi i sallatave të gjelbërta dhe në përgjithësi ushqimeve me origjinë bimore.
Duhet përdorë sasi të mjaftueshme uji 1.5 – 2 litra në 24 orë. Të evitohen në mënyrë absolute pijet e gazuara dhe lëngjet e gatshme, pasi që përmbajnë sasi te mëdha sheqeri. Mund të përdorni çajra të ndryshme por pa sheqer.
Duhet të evitohet përdorimi i miellit të bardhë, ëmbëlsirave dhe sheqerit të rafinuar, sallamat e ndryshme, etj. Përdorni më shpesh mishin e bardhë, e sidomos shtojeni përdorimin e mishit të peshkut së paku 2 herë në javë.
Për në fund mjaft i rëndësishëm edhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm. Është e nevojshme që të ecni 40 – 60 minuta çdo ditë. Kuptohet sportet aktive si atletika, notimi apo fitnesi do ishin edhe më të pëlqyera.
Familja dhe Shëndeti: Si ndikon në shëndetin e fëmijëve aktiviteti fizik në natyrë, sidomos në rritjen e imunitetit?
Dr. Ismail Lutolli: Aktiviteti i rregullt fizik në natyrë të hapur tek fëmijët është çelësi për të pasur një trup të shëndetshëm, është gjithashtu hap shumë i rëndësishëm për ngritjen e imunitetit dhe për të shmangur sëmundjet e ndryshme. Aktiviteti fizik ndihmon në ndërtimin e shëndetit të mirë, duke arritur një qarkullim gjaku të mirë dhe duke ndihmuar furnizimin e tërë trupit me oksigjen. Frymëmarrja e thellë, ajri i pastër dhe rrezitja mbushin trupin me oksigjen. Aktiviteti fizik, ndikon në ekuilibrin e peshës trupore, rritë imunitetin, normalizimin e proceseve metabolike në organizëm, zvogëlon rrezikun për shfaqjen e problemeve metabolike, kardiovaskulare dhe proceseve malinje. Nxisni fëmijët të jenë më larg teknologjisë dhe më afër sportit dhe aktivitetit fizik, aq më mirë nëse këto aktivitete zhvillohen në grup dhe në ambiente të jashtme. Do të ishte mirë, që fëmijët të kalojnë një kohë jashtë, ashtu që rrezet e diellit të përshpejtojnë absorbimin e vitaminës D, e cila është shumë e rëndësishme për kockat dhe sistemin imun gjithashtu. Andaj keshilloj që qëndrimi në natyrë të jetë pjesë përbërëse e jetës së fëmijëve por edhe të rriturve gjithashtu.
Familja dhe Shëndeti: Ekziston një dozë mosbesimi ndaj mjekësisë dhe farmacisë moderne. A është ”Big Pharma” e interesuar vetëm në mbajtjen nën tretman dhe recepturë mjekësore të sëmundjeve dhe jo në shërimin e tyre për shkak se ajo është industri dhe profit? Për shembull: industria farmaceutike në SHBA vetëm për trajtimin e kancerit fiton 100 miliard dollarë në vit. Vetëm një medikament që trajton kolesterolin fitimin vjetor në SHBA e ka 15 miliard dollarë. Ose kompania që merret me prodhimin dhe shitjen e viagrave ka buxhet më shumë se buxheti i kompanive më të mëdha ajrore në botë. A ekziston rreziku që mjekët të bëhen instrumente të industrisë së farmacisë apo duhet që mjekët të mbajnë një qëndrim më kritik?
Dr. Ismail Lutolli: Problemi që ju keni theksuar qëndron deri dikun. Nuk mendoj se sot nuk ka mjek që janë nën ndikimin e plotë të firmave farmaceutike apo interesave tjera të ngushta të tregut farmaceutik. Ky ndikim deri diku bëhet me vullnetin e dy palëve e ndoshta në raste të caktuara edhe në kurriz të pacientëve.
Nëse një mjek i caktuar përshkruan 20 antibiotikë nga 30 vizita që ka kaluar gjatë ditës ka vetëm dy mundësi: ka mungesë të plotë të përgatitjes profesionale ose ka influencë direkte nga firmat farmaceutike. Mundësi të tretë këtu nuk ka. Në të dy rastet do duhej të sanksionohej ligjërisht.
Në një shtet të zhvilluar ky fenomen mund të vihet nën kontroll dhe duhet të vihet nën kontroll. Çdo mjek posedon numrin e caktuar, shifrën mjekësore të licencimit me të cilin identifikohet dhe me sistemin elektronik do duhej që shteti të posedojë të dhëna të plota të recetave që mjeku përshkruan. Për pak minuta në sistemin e informatizuar do kishim një pasqyrë të saktë të punës së një mjeku dhe eventualisht keqpërdorimet e mundshme. Pra është një fenomen që mund të kontrollohet deri në një masë dhe institucionet përgjegjëse duhet bërë.
Të jemi të qartë: për një mjek profesionist nuk ka teori qe të vihet nën ndikim të interesave të caktuara. Mjeku i mirë interesin e vetëm e ka pacientin dhe shërimin e suksesshëm dhe as që vihet në marrëveshje në dëm të pacientëve. Nëse ndodhë e kundërta, aty duhet ndërhyrja e shtetit. Mendoj se në Kosovë kjo është e domosdoshme: ekzistimi i institucionit që monitoron punën e mjekëve, në veçanti recetat e tyre.
Familja dhe Shëndeti: Mjekësia alternative ngritë dyshime mbi efektet e barërave farmaceutike. Për shembull, për antibiotikët thonë se vrasin edhe bakteret e këqija edhe bakteret e mira. Për shumë barëra dhe terapi pretendojnë se janë kancerogjene, që dobësojnë imunitetin, bakteret, qelizat e njeriut. Si e vlerësoni mjekësinë alternative? Sa ka bazë shkencore, sidomos kur rekomandon vetëm ushqime bio dhe jo industriale?
Dr. Ismail Lutolli: Kur flasim për mjekësinë alternative dhe ajo çfarë tek ne kuptojmë mjekësi alternative atëherë jemi përballë një realiteti gati absurd në Shqipëri e Kosovë: mjek alternativ quhet një inxhinier apo edhe një këngëtar, ekonomist, futbollist i cili merret me çajra të ndryshëm. Mjek alternativ quhet edhe një zonjë nga një fshat i thellë i Kosovës e cila ka përvojë në “ngjeshjen“ apo masazhën e grave për shtatëzani, etj. Mjekë alternativë quhen edhe fallgjorët e ndryshëm. Nuk kanë fund këto gjëra absurde që dëgjon në shtetet tona.
Personalisht kam sub-specializuar fushën e higjienës së ushqimit dhe Dietologjinë-Nutricionizmin dhe e vlerësoj lartë aspektin shkencor të mjekësisë alternative apo më drejt do të quajmë të mjekësisë natyrore. Kjo fillon me ushqimin e shëndetshëm dhe jetën e shëndetshme.
Mjekësia alternative shkencore nuk konteston aspektet shkencore të mjeksisë tradicionale por ndalet te aspekti i rrugëve tjera drejt shëndetit.
Nëse një mjek profesionist përdorë edhe mjekësinë alternative nuk ka asnjë të keqe, por nëse një njeri i zakonshëm pretendon diç të tillë kjo nuk është më mjekësi alternative por “përvojë” personale e cila asnjëherë s’i kalon caqet e një përvoje të zakonshme.
Personalisht merrem intenzivisht me mjekësinë me bazë në produkte natyrale, me bazë në natyrën dhe shërbimet larg preparateve mjekësore. Kuptohet jo domosdoshmërisht dhe jo në të gjitha rastet.
Familja dhe Shëndeti: Si e shpjegoni blerjen dhe shitjen e barërave pa recepturë të mjekut? Ka disa njerëz që nuk hezitojnë të blejnë antibiotikë, antidepresantë apo medikamente që interferojnë kiminë e trurit apo organet vitale dhe kështu ia caktojnë vetes diagnozën! Sa paraqet kjo rrezik dhe a është më shumë problem i mungesës së vetëdijes – kulturës medicinale apo problem i shtetit – mos zbatimit të mekanizmave kontrollues?
Dr. Ismail Lutolli: Kjo duhet të ndalohet urgjentisht. Pasojat janë shumë të mëdha dhe më së miri do ndjehen në një të ardhme të afërt. Në këtë mënyrë të përdorimit të pakontrolluar të preparateve jemi duke shkatërruar mbrojtjen imunitare të organizmit por edhe dëme tjera të kushtueshme. Sot është alarmuese shfaqja e rezistencës ndaj antibiotikëve e që në shumicën e rasteve vie si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të tyre. Antibiotiku sot përdoret në rastin e infeksioneve virusale, inflamacionit të gripit, skuqjes së fytit, dhimbjeve të veshit, dhimbjeve të këmbëve, etj. Përdoret pasi tek fëmija i filanit ka pasë efekt apo pasi te komshiu i tretë ka reaguar mirë, thjesht përdoret pa asnjë kriter.
Kështu është pak a shumë edhe me barna antidepresive apo edhe tjera.
Gabimi fillon nga përshkrimi i mjekut pa asnjë kriter e deri te sygjerimet e farmacistëve. Pra një rreth vicioz që do kushtojë shtrenjtë në jetën e pacientëve.
Familja dhe Shëndeti: Në librin tim ”Kuvendime sociologjike bashkëkohore” kam përmendur se sipas një artikulli të medias prestigjioze Daily Mail, industria e sheqerit ka korruptuar shkencëtarët e Harvardit që të publikojnë hulumtime që thonë se yndyra, jo sheqeri, është shkaku kryesor i sëmundjeve të zemrës. Këtu kemi të bëjmë me korruptimin e ndërgjegjes akademike, manipulimin me shëndetin publik, përfitimin e industrisë së sheqerit nga shitja e sheqerit dhe përfitimin e profesorëve nga korrupsioni. A është kjo një tregues që teoritë shkencore duhet t’i marrim me skepticizëm dhe t’i vërtetojmë?
Dr. Ismail Lutolli: Në fushën mjekësore përpos gjërave që tanimë janë të vërtetuara ka edhe tjera që janë ende e do të jenë pjesë e debatit në mes profesionistëve. Në fushën dietologjike kemi herë pas here edhe plotësim apo koncepte të reja për dëmin apo dobinë e një ushqimi të caktuar. Për një shkencëtar nuk ka asnjë problem të ndërrojë qëndrimin nëse vie deri te argumentet e qëndrueshme. Pra nuk duhet të kuptohet kjo si dobësi, përkundrazi.
Ndër vite kemi mjaft argumente shkencore që përdorimi i tepërt i sheqerit por edhe yndyrnave është një nga shkaktarët e shumë problemeve shëndetësore. Përdorimi i tepërt i sheqerit mund të jetë edhe më i dëmshëm sesa vetë përdorimi i yndyrnave pasi në mënyrë indirekte bëhet shkak për obezitet i cili është bazë i një sërë çrregullimesh me pasoja për shëndetin. Ngjashëm qëndron edhe përdorimi i tepërt i yndyrës pa dyshim.
Teoritë shkencore nga shkencëtarët e mirëfilltë nuk duhet të merren asnjëherë më skepticizëm, ndërsa nga të tjerët në të cilët kanë influencuar interesat e ndryshme kuptohet që duhet kujdes. Mjerisht as mjekët nuk janë të privuar nga influencat e ndryshme ekonomike të klaneve farmaceutike.
Familja dhe Shëndeti: Cila është ndërlidhja në mes të jetëgjatësisë dhe mënyrës së të ushqyerit?
Dr. Ismail Lutolli: Jetëgjatësia varet nga një sërë faktorësh ku rol të rëndësishem ka aspekti gjenetik si dhe mënyra e jetesës. Ushqimi është baza për një jetë të shëndetshme dhe jetëgjatësi. Një ushqim i shëndetshëm dhe një mënyrë jetese e shëndetshme është ajo që sot kemi në duar sa i përket shëndetit dhe jetës sonë.
Familja dhe Shëndeti: Ekziston një obsesionim me fitnesin, trupin, dukjen, imazhin. Për këtë shumë të rinj fitnesin e kombinojnë me suplemente dhe proteina. Si i shpjegoni komponentet artificiale nga perspektiva e nutricionizmit dhe cili është roli i nutricionizmit?
Dr. Ismail Lutolli: Trendet e përgjithshme të dukjes pa dyshim kanë përfshirë edhe vendin tonë. Këtu përfshihen edhe frekuentimi i palestrave sportive apo sallave të fitnesit dhe ngjashëm. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi.
Problemi fillon kur me çdo kusht synohet një pamje “perfekte” dhe drejt këtij synimi nuk zgjedhen mjete ku përfshijnë përdorimin e suplementeve të caktuara të cilat nuk kanë asnjë kontroll apo kriter në përdorimin e tyre.
Suplemente mund të përshkruaj vetëm mjeku dietolog, por jo të merren pasi edhe dikush tjetër po e përdorë dhe ka efekt. Dietologjia është një disiplinë e domosdoshme për perspektivën e shëndetit.
E tëra që kemi në Kosovë sot janë disa mbajtës kursi në fushën e nutricionizmit. Sot në Kosovë këtë drejtim mund të përfundoj edhe një inxhiniere, biologe, kimiste, ekonomiste apo arkitekte. Këtu me të drejtë lind pyetja si do vlerësojnë këto katergori nevojat e një organizmi në fushën dietologjike kur njohuritë e tyre në fushën mjekësore janë larg për t’i quajtur minimale.
Kjo katergori nuk do duhej asnjëherë të kyqej në planet dietologjike pasi rrezikojnë direkt shëndetitn e atyre që marrin përsipër.
Familja dhe Shëndeti: Ju e quani lidhje të ngushtë fushën mjekësore dhe atë dietologjike-nutricionizmit. Sa e ndihmojnë njëra-tjetrën këto fusha e diciplina?
Dr. Ismail Lutolli: Ndërlidhja e këtyre fushave është esenciale dhe me një rol të veçantë. Për mua një pacient fëmijë ose i rritur si fillim trajtohet nga aspekti mjekësor, pra merrem me gjetjen e faktorëve organikë për procesin apo sëmundjen që kalon. Pasi përjashtoj faktorët e tillë apo sjelli diagnostifikimin e faktorëve të tillë, merrem me shërimin e tyre. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishmi. Krahas kësaj, në anën tjetër, merrem ngushtësisht me fushën dietologjike si një proces shumë ndihmues, e në ca raste më rëndësi esenciale, në aspektin e shërimit.
Familja dhe Shëndeti: Mund të na ofroni ndonjë shembull?
Dr. Ismail Lutolli: Marrim shembull një fëmijë apo të rritur me mbipeshë. Ky pacient nuk ka mundësi të shërohet vetëm me këshilla dietologjike siç ndodh tek ne në Kosovë. Ky pacient ka nevojë për trajtim mjekësor dhe dietologjik. Pra ka nevojë për të dy aspektet shumë të rëndësishme. Unë në punën time i kombinoj të dyja këto aspekte dhe rezultatet i kam shumë të kënaqshme. Marrim edhe një shembull tjetër; një e sëmurë me gjëndrën tiroide nuk mund të humbas peshën edhe me 100 plane dietologjike nëse nuk e bëjmë si fillim korigjimin me terapi të mungesës së hormoneve të gjëndrës tiroide. Pra duhet kombinim i dy aspekteve shumë të rëndësishme. Janë të gjitha këto arsye që më kanë shtyrë që pas specializimit tim të bëjë edhe një sub-specializim pikërisht në fushën Dietologji dhe Nutricionizëm.
Duhet të sqaroj që në Kosovë e Shqipëri kemi një problem me perceptimin e termit dietolog dhe nutricionist. Nuk duhet harruar se nutricionisti është një këshillues i thjeshtë i mirëushqyerjes, ndërsa një dietolog është në një shkallë shumë më të lartë në formimin profesional. Një dietolog klinik apo një mjek dietolog nuk bënë vetëm dieta për të humbur apo për të shtuar peshë, përkundrazi, dietologu ka kompetencën e plotë dhe autoritetin profesional për të marrë përsipër përcaktimin e regjimit ushqimor të njeriut në të gjitha fazat e jetës pa përjashtim apo edhe në të gjitha patologjitë e ndryshme. Një dietolog harton dieta për humbjen apo shtimin në peshë, dieta për parandalimin e sëmundjeve kronike, dieta për parandalimin e sëmundjeve malinje apo për shërimin e sukseshëm të tyre, dieta për kontrolle efikase të diabetit, të sëmundjeve inflamatore, reumatizmale, etj. Një dietolog është shtylla kryesore e ndihmës në procesin e shërimit të suksesshëm të sëmundjeve të traktit digjestiv, sëmundjeve malinje, etj. Një dietolog formon plane individuale për sportistët për performancën e tyre drejt suksesit. Këtë mund ta bëjë vetëm një dietolog klinicist e jo një nutricionist.
Pra dietologjia është shkencë që jo vetëm ndihmon por shpeshherë ka rolin kryesor në procesin e ruajtjes e promovimit të shëndetit të mirëfilltë. Unë jam munduar t’i kombinoj disa fusha si pediatri, dietologji – nutricionizëm, hematologji, onkologji e së fundmi edhe gastroenterohepatologji. Të gjitha e ndihmojnë njëra-tjetrën për shërimin efikas të pacientëve që kam.
Familja dhe Shëndeti: Më përkufizoni me pak fjalë si duhet të jetë një mjek i përgjegjshëm?
Dr. Ismail Lutolli: Mjeku duhet te jetë shpresa, mbështetja, kurajoja e një pacienti. Duhet të jetë këshilluesi dhe “miku” besnik i një pacienti, ai që kurrë nuk paragjykon por vazhdimisht ndihmon.
Familja dhe Shëndeti: A ka të drejtë mjeku të përcaktojë ditën e vdekjes së një pacienti ?
Dr. Ismail Lutolli: Janë disa gjendje mjekësore posaqërisht te sëmundjet malinje që mjekët nguten ose më mirë të themi edhe gabojnë në përcaktimin e kohës së vdekjes.
Jo pak raste dëgjojmë se mjeku u ka thënë dërgojeni në shtëpi se nuk ka jetë pos edhe dy ditë, ose nuk shpëtim ose “dërgojeni në shtëpi se ka jetë vetëm edhe pak orë”!
Një bisedë e tillë apo deklarim i mjekut, sidomos duke precizuar saktë ditën e orën e vdekjes është jo profesionale, jo njerëzore, jo etike, jo humane, shkatërruese për pacientin e familjarët.
Nuk ka më e rëndë sesa t’i humbasësh shpresën një pacienti apo familjarëve. Nuk ka më e rëndë dhe më joprofesionale sesa t’i rrënosh optimizmin dhe përpjekjet për shërim te pacienti dhe familjarët.
Mjeku nuk do duhej kurrë të zhvillonte rolin e një të gjithëdituri dhe të përcakton vdekjen dhe orën se kur do të ndodhë dhe në këtë mënyrë të vrasë edhe atë pak shpresë e buzëqeshje që mund të ketë ngelur në jetën e një pacienti e familjarëve apo të dashurve që e rrethojnë.
Është e pafalshme t’i shkatërroni orët, ditët apo edhe javët e mbetura.
E vërteta s’ka nevojë të mos i thuhet, por e vërteta nuk ekziston në përcaktimin e saktë të momentit të vdekjes të cilin moment as mjeku nuk mund të dijë me saktësi të plotë.
Familja dhe Shëndeti: Për fund, si e vlerësoni punën që po bën Grupi ”Familja dhe Shëndeti” në promovimin e vlerave të familjes dhe shëndetit, në informimin e publikut, në vetëdijesimin e tyre, përmes pyetje-përgjigjeve, publikimeve, artikujve, intervistave, storjeve e komenteve të shumta që ju dhe stafi juaj bëni?
Dr. Ismail Lutolli: Nëse sot një familje dëshiron shëndetin për anëtarët e saj, dëshiron rritje dhe zhvillim të shëndetshëm të fëmijëve, gjithashtu dëshiron mirëqenje psikologjike e shpirtërore, ka një emër, ka një portë në të cilën futet dhe i gjenë të gjitha, ajo është ”Familja dhe Shëndeti”. Aty gjenë gjithçka rreth shëndetit duke filluar nga planifikimi i shtatëzanisë e deri te mosha e tretë. Një gamë e tërë këshillash profesionale nga mbi 250 mjekë specialistë e qindra profesionistë të fushave tjera përfshirë: dietologë-nutricionistë, psikologë, artistë, gazetarë, sociologë, punëtorë social, etj.
Familja dhe Shëndeti: Çfarë satisfaksioni ju jep ky grup i cili po bën mrekullinë?
Dr. Ismail Lutolli: ”Familja dhe Shëndeti” sot përbënë grupin më serioz që ka eksistuar ndonjëherë jo vetëm ndër shqiptarë por edhe në rajon. Një platformë e tillë sot shihet me admirim nga tërë kontaktet që kam zhvilluar edhe në shtetet tjera ku kam raporte me mjekë të ndryshëm. Shihet pothuajse e pabesueshme një punë e tillë dhe një përkushtim maksimal dhe e tëra në baza vullnetare. Kurrë nuk kemi dyshuar në humanizmin e njerëzve tanë, të popullit tonë. Është dashur vetëm të fillojmë dhe sot ja ku jemi në mesin e çdo familje dhe qendër referente për shëndetin e tyre. Kjo pa dyshim që më sjellë satisfaksion.
Familja dhe Shëndeti: Ju falenderojmë shumë për këto përgjigje, shpjegime dhe informacione mjaft të dobishme! /Familjadheshendeti.com