Nga: Pranvera Nevzadi
Momentet janë ato që e masin kohën time. Momente që zgjasin, momente që kalojnë shpejt, momente që dhembin, momente që më bëjnë të buzëqeshë, momente që më japin frikë, momente që më japin siguri. As nuk besoj më në anatominë time si më parë. Tani kam kuptuar se zemra, gjaku, kockat, mushkritë, lëkura, e tjerat organe nuk të bëjnë njeri. Ato formojnë trupin. Vetëm trupin. Por njeri të bëjnë ndjenjat. Njeri të bëjnë emocionet, njeri të bën ajo çfarë e thua dhe ajo çfarë e fsheh, dashuria që japim dhe dashuria që marrim, njeri të bënë turpi. Njeri të bën ajo që ne nuk e prekim dot me dorë, por ajo di të na prek neve thellë në një mënyrë që në shpesh nuk arrijmë ta përshkruajmë. Unë jam përpjekur gjatë kohë duke mësuar se si të jetoj me dhimbjen, por vetëm tani kam kuptuar, se edhe dhimbjen mund ta shkulesh, ta fusësh në një kavanoz, ta mbyllesh tapen e tij fort dhe ta hudhësh në fundin e oqeanit të injorimit. Ama sa shumë duhet të të ndjesh dhimbje për ta kuptuar këtë. Sa shumë duhet të digjesh për ta kuptuar se jeta neve nuk na ndodhë, por ajo ndodhë me ne. Se ne nuk e shpenzojmë atë, por ajo na shpenzon neve. Sa shumë duhet të rrjepesh për ta kuptuar se zullumqari më i keq është ai që e dëmton veten para të tjerëve. Prandaj, kur e sheh veten të braktisur në një katrahurë nga e cila të gjithë mbledhin supet dhe i lajnë duart nga ti, ti mëson ta falësh veten. Ti kupton se në këtë botë ka vend për ty aq sa ka edhe për tjetrin. Kupton se nuk je kot. Kupton se ke një detyrë, ke nje qëllim, kupton se ekzistenca jote ka një vlerë, sado që rrugën e jetës ta kanë vështirësuar minutat që i ke numruar. Më nuk numëron, por merr frymë dhe lëshon frymë. Jeton. Jeton për veten. Për fletushkat e tua që do të jepen një Ditë, dhe nuk të bëhet vonë për askë dhe asgjë, sepse ti më nuk numëron, por frymon! Dhe zemra të bëhet si hëna, që është gjithmonë aty, bile edhe kur retë zbresin poshtë, ajo vazhdon të jetë aty, e ftoht aq sa duhet, e shndëritshme aq sa duhet, e plotë aq sa duhet dhe e fshehur aq sa duhet pa iu bërë vonë për errësirën që e rrethon, e as për diellin që ia zbeh pamjen. Dhe kështu, përfundon duke kuptuar se mirësia që e bën nuk është për atë që i dhurohet, por për vetveten tënde. E kupton se nuk është akrepi i orës ai që duhet ta mas kohën tënde, por momenti që i dhuron vetes, momenti që i dhuron tjetrit, momenti që pavarësisht çdo gjëje, të bën të buzëqeshesh kur ke vendosur kokën mbi jastëk dhe ke mbyll sytë për të fjetur. /Familjadheshendeti.com