Nga: Dr.spec Lejla Luta
Specialiste e stomatologjisë së fëmijëve
Fluorizimi lokal i dhëmbëve nënkupton aplikimin lokal (topikal) të fluorit vetëm në sipërfaqe të dhëmbit. Fluori ndikon në fortësimin e strukturës së dhëmbit duke ndihmuar në kthimin e mineraleve në sipërfaqe të dhëmbit.
Mënyra më e lehtë dhe më praktike e aplikimit të përditshëm të fluorit është pastrimi i dhëmbëve me pastë me fluor.
Dhëmbët duhet pastruar së paku dy herë në ditë në mënyrë të drejtë dhe preferohet që të mos shpërlahet goja në mbrëmje pas pastrimit. Në mënyrë më efikase veprojnë pastat të cilat kanë mbi 1000ppm fluor në përmbajtje të tyre, mirëpo tek fëmijët përdoren zakonisht pasta me përqëndrim më të ulët të fluorit, për shkak të mundësisë së gëlltitjes së pastës.
Krahas përdorimit të përditshëm të pastës me fluor, ekzistojnë edhe forma shtesë të aplikimit të fluorit të cilat janë shumë efikase sidomos kur aplikohen te fëmijët më përqindje të lartë të kariesit. Kur ekziston qoftë edhe vetëm një dhëmbë i prishur (karioz), apo dhëmbë i restauruar (plombuar) në dy vitet e fundit, atëherë ai fëmijë hyn në grupin e fëmijëve me “rizik” të lartë për shfaqje të kariesit. Në këto raste që fatkeqësisht i hasim në mbi 90% të fëmijë parashkollorë dhe atyre shkollorë vetëm pastrimi i rregullt dy herë në ditë nuk paraqet mbrojtje të mjaftueshme, atëherë duhet aplikuar edhe metoda shtesë mbrojtëse.
Njëra ndër metodat më efikase për mbrojtje shtesë ndaj kariesit është fluorizimi lokal(topikal). Por duhet pasë parasysh që edhe kjo metodë nuk do jetë efikase nëse paralelisht nuk fillohet me eliminimin e shprehive të këqija të cilat kanë shkaktuar prishje të dhëmbëve, si higjiena jo e duhur e gojës dhe ushqimi joadekuat(i pasur me karbohidrare).
Fluorizimi lokal po ashtu është metodë shumë efikase kur dhëmbët kanë defekte të lindura (strukturë më të dobët), duke ndihmuar kështu në fortësimin e strukturës së këtyre dhëmbëve. Poashtu fluorizimi lokal është efikas kur aplikohet në stadet e hershme të fillimit të prishjes së dhëmbit e ashtuquajtura “njollë e bardhë”, kur ende nuk kemi kavitet të formuar. Në këto raste higjiena e rregullt, ushqyerja adekuate dhe fluorizimi mund të ndihmojnë në shërimin e plotë të këtyre defekteve iniciale.
Ekzistojnë metoda të ndryshme të aplikimit lokal të fluorit si përmes tretjeve, llaqeve dhe xhelërave të ndryshëm. Mënyra më efikase dhe e sigurt është gjithësesi aplikimi lokal i fluorit i cili realizohet nga dentisti, ne ç’rast edhe mundësia e gëlltitjes së fluorit është e vogël. Për aplikim profesional zakonisht përdoren llaqet apo edhe tretjet që kanë koncentrim të lartë të fluorit.Është procedurë e lehtë dhe e pranueshme nga fëmiu, ku paraprakisht bëhet pastrimi profesional dhe pastaj bëhet lyerja e të gjithë dhëmbëve me fluor me anë të brushës se vogël (aplikatorit). /Familjadheshendeti.com