Foshnjat lidhen me nënën e tyre ndërsa janë akoma në barkun e tyre. Ka disa mënyra që edhe baballarët të rrisin afërsinë me të vegjlit e tyre.
Ndërsa është shumë më e lehtë dhe më e natyrshme për nënat që të lidhen ngushtë me fëmijën e tyre, baballarëve ndonjëherë u duhet pak më shumë përpjekje. Për të krijuar një lidhje më të fortë me anëtarin tuaj të ri të familjes, ju ftojmë që të ndiqni disa këshilla.
Orët e para pas lindjes së foshnjës
Orët e para që baballarët dhe foshnjat kalojnë së bashku, mund të kenë një ndikim të madh në lidhjen që ata zhvillojnë mes vete. Shkencëtarët pohojnë se baballarët që kalojnë shumë më tepër kohë me foshnjat menjëherë pas lindjes, do të kenë një shans më të mirë për t’u lidhur më shpejt. Ata duhet të shikojnë foshnjat në sy, t’i mbajnë në krah dhe t’u këndojnë sa herë që vizitojnë dhomën e spitalit të nënës.
Përkëdhelni fëmijën tuaj
Babai dhe foshnja mund të lidhen përmes prekjes. Në fakt, hulumtimet tregojnë se kjo ndikon në lirimin e oksitocinës në trurin e foshnjës, i njohur si hormoni i dashurisë, gjë që e bën fëmijën të ndjehet më i lumtur. Gjithashtu, foshnja do të ndjehet e mbrojtur dhe e qetë dhe babai do të jetë më afër me fëmijën. Kjo është arsyeja përse është e rëndësishme ta mbani fëmijën në krah, ta përkëdhelni dhe t’i ofroni butësi.
Merrni pjesë aktive në kujdesin e foshnjës
Studimi zbuloi se prindërit që marrin më shumë përgjegjësi për foshnjat e tyre kanë një lidhje më të fortë me fëmijët e tyre sesa ata që nuk e bëjnë këtë. Baballarët duhet të kyçen në mënyrë aktive gjatë banjës, ndërrimit të pelenave, të ushqyerit dhe vënies në gjumë të bebit. Të kujdesesh për foshnjën është punë e vështirë, por nëse nëna dhe babai ndajnë detyrat, tensionet do të ulen dhe kështu fëmija do të lidhet me të dy prindërit. Në anën tjetër, në këtë mënyrë fëmija e kupton se nëna nuk është personi i vetëm i cili plotëson kërkesat dhe nevojat e tij/saj.
Luani me fëmijën tuaj
Luhatja e fëmijës, ndryshimi i toneve të zërit ose bërja e fytyrave qesharake janë ide të shkëlqyera. Kjo mbase mund të jetë arsyeja përse ju do të mund të jeni personi i parë të cilit do t’i buzëqesh fëmija juaj.
Lexoni fëmijës suaj
Fëmijët mbajnë mend gjuhën e prindërve gjatë kohës sa janë në bark dhe ndihen të magjepsur nga zërat e tyre. Ju mund të lexoni një histori të shkurtër në kohën e gjumit. Bebi do të gëzohet me tonin e zërit tuaj dhe kështu do të lidhet lehtësisht me babain. Përveç kësaj, ju mund të bisedoni me fëmijën tuaj ndërsa bebi është ende në barkun e nënës.
Mbajeni fëmijën tuaj
Zbuloni stilin tuaj të preferuar të mbajtjes së fëmijës. Nëse keni dalur me bebin tuaj në shëti, ju sugjerojmë një mbajtëse në të cilin fëmija do të jetë përballë jush, gjoks më gjoks.
Provoni një masazh të lehtë
Foshnjat reagojnë ndaj prekjes, dhe një mënyrë e thjeshtë për t’i qetësuar dhe relaksuar ato është përmes një masazhi. Kur foshnja është e qetë dhe e disponuar (ngase nuk do të doni ta provoni atë në një bebe të bezdisur), bëni një masazhë të lehtë 10-15 minutëshe nëpër këmbët, barkun, krahët dhe qafën e bebit.
Jini pjesë e rutinës së gjumit
Një orar i qëndrueshëm i gjumit është shumë i rëndësishëm për të ndihmuar fëmijën tuaj të fle gjatë natës. Zgjidhni një pjesë të rutinës në të cilën dëshironi të përfshiheni, si koha e banjës. Kjo do të ndihmojë fëmijën të kuptojë se kur babi thotë që është koha e banjës, së shpejti do të jetë edhe koha e gjumit.
Përktheu dhe përshtati Jeton Zenuni /Familjadheshendeti