Nga Brikena Hoti Krasniqi, Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapeute

1. A mundet që kolli i thatë me qenë me bazë psikologjike, kur s’ke simptoma tjera?
2. Sa mund të ma dëmtoj stresi e ankthi imunitetin?

Pas ditëve te para të distancimit fizik e social dhe qëndrimit në shtëpi, duket se preokupimi i secilit për shëndetin ka filluar të rritet në intensitet. Është normale që në procesin e manaxhimit të ankthit e stresit, lindin pyetje e dilema, të cilat po nuk i ballafaqove me informacion të saktë, keqinterpretimi është aq i lehtë e i shpejte saqë e ushqen dhe e rrit ankthin, në vend se ta ul intensitetin e tij.

Dy nga pyetjet më të shpeshta që kam marrë unë këto ditë, nga njerëzit që vuajnë nga ankthi janë:
1. A mundet që kolli i thatë me qenë me bazë psikologjike, kur s’ke simptoma tjera?
2. Sa mund të ma dëmtoj stresi e ankthi imunitetin?

Përgjigjet:

1. Është e mundur që një kollë e vazhdueshme të ketë shkaqe psikologjike. Stresi, ankthi dhe brengosja e tepërt, mund të ndikojnë në mënyrën se si marrim frymë, duke irrituar fytin tonë dhe duke kufizuar furnizimin tonë me oksigjen. Për më tepër, një nga simptomat më të zakonshme të stresit ose ankthit është hiperventilimi kur frymëmarrja bëhet shumë e shpejtë dhe e cekët. Parregullsitë në frymëmarrje dhe furnizimi i pamjaftueshëm i oksigjenit irriton fytin tonë , ndërsa ne duke u përpjekur që ta lehtësojmë këtë irritim, kollietmi vazhdimisht, gjë që në fakt e acaron irritimin më shumë. Po ashtu ballafaqimi më situata të ndryshme traumatike, që mund të keni përjetuar në të kaluaren (dhe nuk i keni trajtuar apo tejkaluar), e bëjnë shume të lehtë që në organizmin tuaj të ndryshoj funksionimi i sistemit nervor autonom, dhe të paraqitet kollitja e vazhdueshme, sa here që jeni në stres. Pra, në disa raste, kolli i thatë mund të jetë një përgjigje emocionale, një sinjal që trupi dhe mendja jonë na dërgon dhe të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje, veçanërisht kur ballafaqohemi me një situate që ngjallë pasiguri e frikë ose të vështirë, dhe nuk jemi në gjendje të shprehim nevojat tona emocionale.

POR, kolli mund të jetë më bazë psikologjike, vetëm pasi të jeni konsultuar me mjekun dhe kur nuk janë gjetur shkaktarët patogjen ose ndonjë sëmundje që e shpjegon kollin tuaj. Në këto rrethana që gjendemi, është më rëndësi të informoheni mirë për simptomat e infeksiont me virusin COVID-19 dhe të telefononi në 03820080800 nëse keni edhe simptoma tjera apo keni dyshime. Informacioni më lartë mund të vlejë, nesë simtpma e vetme që keni është kolli i thatë, pra nuk keni asnjë simptomë tjetër dhe aktualisht jeni i stresuar apo në ankth. Dhe mund ta vëreni se sa më shumë rritet intensiteti i ankthit, kollitja shpeshtohet dhe anasjelltas.

2. Imuniteti juaj mund të cënohet dhe të ketë pasoja për organizmin në rastet kur stresi juaj është kronik dhe ankthi është intenziv për një kohë të gjatë. Kur jemi të stresuar, organizmi ynë merr një sinjal që jemi të rrezikuar, pavarësisht nëse rreziku është real apo jo. Gjatë stresit akut që zgjat disa minuta deri në disa ditë, disa lloje qelizash, pra antitrupa, mobilizohen në rrjedhën e gjakut, duke përgatitur potencialisht trupin për mbrojtje gjatë lëndimeve ose infeksioneve përmes reagimi fiziologjik-psikologjik “luftë ose ik”. Stresi akut gjithashtu rrit nivelin e gjakut të citokineve pro-inflamatore, sepse inflamacioni është një përgjigje e domosdoshme afatshkurtër e organizmit për eliminimin e patogjenëve (lexo: eliminimin e rrezikut të përceptuar) dhe fillimin e shërimit të organizmit. Pra kur stresi apo ankthi është afatshkurtër, sistemi i përgjigjes së organizmit tonë ndaj stresit është vetë-kufizues. Pasi të kemi kaluar kërcënimin/rrezikun e perceptuar, niveli i adrenalinës dhe kortizolit bie, rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut kthehen në nivele fillestare, dhe sistemet e tjera rifillojnë aktivitetet e tyre normale. Kjo do të thotë që ndikimi i stresit afatshkurtër në imunitetin tonë është shumë i vogël dhe pa pasoja të mëdha.

3. Sidoqoftë, kur stresi është kronik, ankthi intenziv, në njëfarë mënyrë ndjenjat e të qënit “nën sulm apo i rrezikuar”mbeten konstante, reagimi fiziologjik-psikologjik “luftë ose ik” mbetet i ndezur ose në veprim vazhdimisht, duke e ekspozuar trupin te kortizoli dhe hormonet e tjera të stresit. Pra kur jemi vazhdimisht në ankth dhe stres,që mund të zgjas disa javë, muaj e vite, sistemi juaj imunitar është aktiv vazhdimisht duke e dërmuar atë dhe duke e lënë të paaftë që ai të veproj kur trupi juaj sulmohet nga viruset, patogjenet tjera apo lëndimet tjera të mundshme.

Por, nuk mjafton vetëm stresi që të sëmureni. Ju duhet të jeni në kontakt me mikrobet dhe bakteret apo viruset që kjo të ndodhë. Problemi kryesor është se pasi të sëmureni, trupi juaj do ta ketë më të vështirë rikuperimin, sepse ankthi-stresi juaj po shkatërron forcën e sistemit tuaj imunitar. Pra kur jeni i stresuar, është e rëndësishme që të mbroheni nga infeksioni me patogjene, ndër te tjera viruset, por njëkohësisht gjeni mënyra të shëndetshme për të ulur stresin e ankthin./Familjadheshendeti