Pas ndërprerjes së Covid-19, do të ketë tre vlera të rëndësishme për të cilat duhet kujdesur dhe të cilat duhet ruajtur,
Të dashur Toby, Tara and Tommy,
Po ju shkruaj këtë letër gjatë një krize të rëndë shëndetësore dhe ekonomike.
Ekzistojnë teori të ndryshme rreth asaj se si filloi, por ajo çfarë unë besoj, është se telashet filluan kur dikush në Kinë hëngri mishin e një lakuriqi dhe kapi një virus të kafshëve të egra. Mësimi është: Mos hani mishin e kafshëve të egra.
Virusi është përhapur në të gjithë botën, dhe ka infektuar më shumë se dy milion dhe ka vrarë më shumë se 140,000 njerëz. Kostoja ekonomike është shumë e lartë: miliona njerëz pa punë dhe shumë biznese të shkatërruara.
Kur shikojmë prapa në këtë periudhë të dhimbshme, dua që ju të mbani mend rëndësinë e tre vlerave, të cilat janë edhe kuptimet e tre emrave tuaj: dhembshuria, besimi dhe lavdërimi/falendërimi.
Vlera më e rëndësishme
Toby, emri yt kinez, Shan, do të thotë mirësi dhe dhembshuri. Është virtyti më i rëndësishëm i veçuar nga traditat kryesore fetare dhe etike në botë. Ekziston edhe një kapitull për dhembshurinë, e formuluar në vitin 2009 nga mendimtarët kryesorë të Judaizmit, Krishterimit, Islamit, Hinduizmit, Budizmit dhe Konfucianizmit, e shkruar nga Karen Armstrong, njohëse e njohur e feve.
Mesazhi i kapitullit është që të trajtoni të tjerët ashtu siç dëshironi që të tjerët t’ju trajtojnë. Kjo shpesh quhet rregulli i artë.
Në Singapor pashë shumë shfaqje të mirësisë dhe dhembshurisë gjatë kohës së krizës. Në një rast, katër restorante në pronësi të njerëzve që unë njoh vendosën të bashkëpunojnë për të dërguar ushqim falas, çdo ditë, për punonjësit shëndetësor të një prej spitaleve tona publike. Në një rast tjetër, një grup i singaporeasve me zemër të mirë, duke përfshirë fëmijë, do të nisej çdo natë për të kërkuar punëtorët e Malajzisë që kishin mbetur në Singapor pa strehim. Samaritanët e mirë do t’i çonin ata në bujtina të improvizuara për të siguruar akomodim falas për punëtorë të tillë.
Në qendrën e tregtarëve shetitës, në të cilën Nai Nai (gjyshja) dhe unë shpesh shkojmë, isha i lumtur kur mësova se pronari modest po ofronte kafe dhe çaj falas për pastruesit e qendrës.
Të varfërit shpesh janë më bujarë se të pasurit. Miliarderët e Singaporit qartazi kanë heshtur gjatë kësaj krize. Ne, për fat të keq, nuk kemi bilionerë si Bill Gates dhe Jeff Bezos në mesin e njerëzve tonë super të pasur.
Jam i lumtur që disa nga miqtë e mi kanë përdorur mediat sociale për të nxjerrë në pah gjendjen e tregtarëve tanë bredhës dhe për t’u bërë thirrje netizanëve tanë që t’i mbështesin ata.
Shumë nga tregtarët tanë shetitës bëjnë një jetesë modeste. Ata nuk kanë shumë kursime për të mbajtur familjet për një kohë të gjatë. Nëse klientët e tyre i braktisin, ata nuk do të kenë të ardhura. Pa të ardhura, ata dhe familjet e tyre do të bijnë në një gjendje varfërie. Ata kanë nevojë të madhe për ndihmën tonë.
Vlera e dytë
Tara, emri yt kinez, Shin, do të thotë besim.
Besimi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën në se si Singapori është përballur me krizën.
Besimi duhet të fitohet. Nuk mund të urdhërohet me ligj. Nuk mund të kërkohet nga një person ose institucion. Një mësues, për shembull, nuk mund t’u thotë studentëve të tij, “ju lutem më besoni”, nëse ai është një person i pabesueshëm. Një spital nuk mund të presë që t’i besohet nëse nuk ka një reputacion të mirë për kompetencë dhe ndershmëri. E njëjta gjë vlen për një lider politik. Ai duhet të jetë i sinqertë dhe transparent. Ai duhet të jetë i gatshëm t’u tregojë njerëzve të vërtetën, edhe kur e vërteta është e pakëndshme.
Ne në Singapor kemi fatin të jetojmë në një shoqëri me besim të madh. Ne kemi besim te mjekët, spitalet dhe zyrtarët e qeverisë. Ne u besojmë udhëheqësve tanë politikë. Për shkak se ekziston një lidhje besimi të ndërsjellë midis njerëzve dhe Qeverisë, njerëzit janë të gatshëm t’u binden këshillave dhe rregullave të Qeverisë sonë.
Nëse njerëzit nuk do t’i besonin Qeverisë kur e siguronte popullin se ne kemi një furnizim adekuat të ushqimit, do të kishte pasur panik të paparë në tregjet dhe supermarketet tona. Njerëzit kryesisht kanë respektuar këshillat për të mbajtur një distancë të sigurt nga njëri-tjetri dhe për të punuar nga shtëpia, sepse ata e dinë se këshillat bazohen në provat më të mira shkencore dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Njerëzit në disa vende të tjera nuk janë aq me fat. Në ato vende, ata nuk u besojnë udhëheqësve të tyre, sepse udhëheqësit e kanë treguar veten të jenë të pabesueshëm. Disa nga drejtuesit nuk kanë një reputacion të mirë për të vërtetën. Disa drejtues janë joracionalë dhe nuk besojnë në shkencë dhe nuk dëgjojnë këshillat e ekspertëve. Në një situatë të tillë, kur besimi mungon, rezultati shpesh është kaosi.
Vlera e tretë
Tommy, emri yt kinez, Song, do të thotë lavdërim.
Kur mbaron ky makth, nuk duhet të harrojmë të lavdërojmë dhe falenderojmë shumë njerëz që kanë vepruar me guxim, mirësi dhe vetëmohim.
Grupi i parë që duhet të lavdërojmë dhe falendërojmë janë mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor. Siç ishte rasti në 2003, gjatë epidemisë së SARS (sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes), punonjësit tanë shëndetësor janë sjellur si heronj. Arsyeja pse kaq pak pacientë Covid-19 kanë vdekur në Singapor është ndoshta për shkak të mjekëve tanë të shkëlqyer, infermierëve dhe spitaleve.
Dua të theksoj, në këtë drejtim, se infermierëve tanë heroikë u paguhen rreth gjysma e pagave të infermierëve në Hong Kong, Japoni dhe Australi, andaj ne duhet të rrisim pagat e infermierëve tanë.
Grupi i dytë që duhet të lavdërojmë dhe falenderojmë janë zyrtarët, të përbërë nga civilë si dhe policë dhe oficerë të ushtrisë, të cilët kanë intervistuar pacientët Covid-19 dhe duke gjurmuar kontaktet e tyre. Vetëm falë punës së tyre detektive, ne jemi në gjendje të zbatojmë politikën e zbulimit, izolimit dhe mbajtjes.
Grupi i tretë janë punonjësit tanë të frontit të parë, në aeroportet tona, oficerët e policisë dhe individë të tjerë që punojnë gjatë gjithë kohës për të ofruar sigurinë tonë.
Grupi i katërt janë punëtorët që kujdesen për pajisjet tona, të tilla si energjia elektrike, uji, kanalizimet dhe depozitimi i mbeturinave, si dhe shoferët tanë të autobusëve, drejtuesit e trenave dhe taksistët.
Grupi i pestë janë punëtorët në tregje, supermarkete, qendrat e tregtarëve shëtitës, kafene dhe restorante, dhe njerëzit që ofrojnë ushqim në shtëpitë tona. Ata kanë siguruar që të kemi furnizime adekuate të ushqimit të përgatitur.
Grupi i gjashtë i njerëzve që duhet të lavdërojmë janë punëtorët e huaj, siç janë ndihmësit në shtëpitë tona, pastruesit, punëtorët e ndërtimit dhe kantierët, dhe të tjerët që punojnë në punë të cilat banorët e Singaporit nuk janë të gatshëm t’i bëjnë. Ne u kemi borxh punëtorëve të huaj një kërkimndjesë për gjendjen dhe kushtet në konviktet e tyre.
Grupi i shtatë i njerëzve që duhet të lavdërojmë janë anëtarët e Task grupës shumë ministrore, veçanërisht, Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Zhvillimit Kombëtar dhe drejtori i shërbimeve mjekësore në Ministria e Shendetesise. Konferencat e tyre të përditshme për shtyp kanë bërë shumë për të mbajtur njerëzit tanë të informuar dhe të sigurtë.
Dhe në fund, dua të them diçka për qytetarët e Singaporit. Në kohët normale, ata shpesh kanë vepruar në mënyrën që është nën pritjet e mia.
Sidoqoftë, shumica e njerëzve të Singaporit janë treguar më të ngritur me këtë rast. Ata kanë mbetur të qetë, të bashkuar dhe të vendosur.
Fatkeqësisht, ekziston një pakicë e vogël që është përfshirë nga paniku duke blerë rezerva ushqimore dhe nuk ka pranuar të zbatojë rregullin e mbajtjes së distancës.
Shpresoj se një sjellje e këtillë e kësaj pakice nuk do ta detyrojë Qeverinë të marrë masa edhe më të rrepta.
I dashuri juaj Ye Ye,
Profesor Tommy Koh, diplomat veteran, është rektor i Kolegjit Tembusu në Universitetin Kombëtar të Singaporit.
Përktheu dhe përshtati: Jeton Zenuni/Familjadheshendeti