Dy lloje të testeve janë në dispozicion për COVID-19 sot: testet virale dhe ato për antitrupa.
- Testi viral ju tregon nëse keni aktualisht infeksion.
- Testi i antitrupave mund t’ju tregojë nëse keni pasur një infeksion të kaluar. Testi i antitrupave mund të mos tregojë nëse keni një infeksion aktual, sepse mund të nevojiten 1-2 javë pas infektimit që trupi juaj të prodhojë antitrupa. Prezenca e antitrupave ndaj virusit që shkakton COVID-19 mund të sigurojë mbrojtje nga infektimi i sërishëm me virusin. Nëse kjo ndodh, ne nuk e dimë se çfarë mbrojtje mund të ofrojnë antitrupat ose sa kohë mund të zgjasë kjo mbrojtje.
Si të testoheni për infeksionin aktual COVID-19?
Për të mësuar nëse keni një infeksion aktual, përdoren testet virale. Shumica e njerëzve kanë sëmundje të lehtë dhe mund të shërohen në shtëpi pa kujdes mjekësor. Kontaktoni me ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse simptomat tuaja përkeqësohen ose nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me shëndetin tuaj.
Vendimet për testim merren nga departamentet shëndetësore të institucioneve shtetërore dhe ato lokale ose ofruesit e kujdesit shëndetësor. Ju mund të vizitoni uebfaqen e departamentit të shëndetësisë të institucioneve shtetërore ose lokale, për të kërkuar informacionin më të fundit vendor në lidhje me testimin.
Nëse keni simptoma të COVID-19 dhe doni të testoheni, telefononi paraprakisht institucionin shëndetësor.
Nëse keni simptoma të COVID-19 dhe nuk testoheni, është e rëndësishme që ju të qëndroni në shtëpi.
1. Testet për infeksionin aktual
Testet virale kontrollojnë mostrat nga sistemi juaj respirator, pra përmes një shtupe nga brendia e hundës, për t’ju thënë nëse aktualisht keni një infeksion me SARS-CoV-2, virusin që shkakton COVID-19. Disa teste janë teste të shpejta, që do të thotë se rezultatet mund të jenë të disponueshme në vendin e testimit në më pak se një orë. Testet e tjera duhet të dërgohen në laborator, një proces që zgjat 1-2 ditë pasi të jetë marrë nga laboratori.
Pavarësisht nëse testoheni pozitiv ose negativ për COVID-19 në një test viral ose test për antitrupa, edhe më tutje ju duhet të ndërmerrni masa parandaluese për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Si bëhet testi viral?
Shumica e njerëzve kanë sëmundje të lehtë dhe mund të shërohen në shtëpi pa ndonjë kujdes mjekësor. Kontaktoni me institucionin shëndetësor nëse simptomat tuaja po përkeqësohen ose nëse keni pyetje në lidhje me shëndetin tuaj.
Vendimet për testim merren nga departamentet shëndetësore të institucioneve shtetërore dhe ato lokale ose ofruesit e kujdesit shëndetësor.
Nëse keni simptoma të COVID-19 dhe nuk jeni testuar, është e rëndësishme të qëndroni në shtëpi.
Për momentin, nuk ka asnjë trajtim të aprovuar për njerëzit që janë të infektuar me COVID-19.
Testimi COVID-19 ndryshon varësisht nga vendndodhja. Nëse keni simptoma të COVID-19 dhe doni të testoheni, telefononi paraprakisht institucionin shëndetësor. Ju gjithashtu mund të vizitoni uebfaqen e departamentit shëndetësor të institucioneve shtetërore ose lokale, për të kërkuar informacionin më të fundit vendor në lidhje me testimin.
Çfarë duhet të bëni pas një testi viral
Nëse testoheni pozitiv për COVID-19, informohuni se çfarë hapash mbrojtës duhet të ndërmerrni nëse jeni i infektuar ose kujdeseni për dikë.
Nëse jeni testuar negativ për COVID-19, me siguri nuk jeni infektuar në kohën kur është marrë mostra juaj. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që nuk do të infektoheni. Rezultati i testit vetëm do të thotë se nuk keni pasur COVID-19 në kohën e testimit. Ju mund të testoheni negativ nëse mostra ishte mbledhur në fillim të infeksionit tuaj dhe të testoheni pozitiv më vonë gjatë sëmundjes tuaj. Ju gjithashtu mund të jeni të ekspozuar ndaj COVID-19 pas testimit dhe të infektoheni atëherë. Kjo do të thotë që akoma mund të përhapni virusin. Nëse shfaqni simptoma më vonë, do t’ju duhet një test tjetër për të përcaktuar nëse jeni të infektuar nga virusi që shkakton COVID-19.
2. Testi që tregon për një infeksion të kaluar (Test i antitrupave)
Testet e antitrupave në gjakun tuaj bëjnë kërkimin e antitrupave, të cilat mund të tregojnë nëse keni pasur një infeksion të kaluar me virusin që shkakton COVID-19. Antitrupat janë proteina që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve dhe mund të ofrojnë mbrojtje kundër rikthimit të sërishëm të infeksionit (krijimi i imunitetit). Antitrupat janë specifik për sëmundje të caktuar. Për shembull, antitrupat kundër virusit të fruthit do t’ju mbrojnë nga fruthi nëse i ekspozoheni përsëri, por ato nuk do t’ju mbrojnë nga shytat nëse jeni të ekspozuar ndaj virusit të shytave.
Përveç në rastet kur testimi viral vonohet, testet e antitrupave nuk duhet të përdoren për të diagnostikuar një infeksion aktual COVID-19. Testi i antitrupave mund të mos tregojë nëse keni një infeksion aktual COVID-19 sepse mund të zgjasë 1-2 javë pas infektimit që trupi juaj të prodhojë antitrupa. Për të parë nëse jeni aktualisht të infektuar, kryhet testi viral. Testet virale identifikojnë virusin në mostra nga sistemi juaj respirator, përmes një shtupe nga brendia e hundës tuaj.
Pavarësisht nëse testoheni pozitiv ose negativ për COVID-19 përmes testit viral ose me antitrup, ju duhet të ndërmerrni masa parandaluese për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Ne nuk e dimë ende nëse njerëzit që shërohen nga COVID-19 mund të infektohen përsëri. Shkencëtarët po punojnë për të kuptuar këtë.
Si bëhet testi me antitrupa?
Vendimet në lidhje me testimin merren nga departamentet shëndetësore të institucioneve shtetërore ose lokale apo ofruesit e kujdesit shëndetësor.
Testet e antitrupave për COVID-19 janë në dispozicion përmes institucioneve shëndetësore dhe laboratorëve. Kontaktoni me institucionin shëndetësor për të parë nëse ofron teste antitrupash dhe nëse duhet të bëni një të tillë.
Çfarë do të thonë rezultatet?
a) Nëse rezultati del pozitiv:
Rezultati pozitiv i testit tregon se mund të keni antitrupa nga një infeksion me virusin që shkakton COVID-19. Sidoqoftë, ekziston mundësia që rezultati pozitiv të thotë që ju keni antitrupa nga një infeksion me një virus nga e njëjta familje e viruseve (të quajtura koronaviruse), siç është ai që shkakton ftohjen e zakonshme.
Prezenca e antitrupave ndaj virusit që shkakton COVID-19 mund të sigurojë mbrojtje nga infektimi i sërishëm me virusin. Nëse ndodh, ne nuk e dimë se sa mbrojtje mund të ofrojnë antitrupat ose sa kohë mund të zgjasë kjo mbrojtje.
Diskutoni me institucionin shëndetësor lidhur me rezultatin e testit dhe llojin e testit që keni kryer për të kuptuar se çfarë do të thotë rezultati juaj. Ata mund të sugjerojnë të bëni një lloj të dytë të testit të antitrupave për të parë nëse testi i parë ishte i saktë.
Ju duhet të vazhdoni të mbroni veten dhe të tjerët, pasi mund të infektoheni përsëri nga virusi.
Ju mund të testoheni pozitiv për antitrupa edhe nëse nuk keni pasur kurrë simptoma të COVID-19. Kjo mund të ndodhë nëse keni pasur një infeksion pa simptoma, e cila quhet një infeksion asimptomatik.
b) Nëse rezultati del negativ:
Ju mund të mos keni pasur ndonjëherë COVID-19. Diskutoni me institucionin shëndetësor për rezultatin e testit dhe llojin e testit që keni kryer për të kuptuar se çfarë do të thotë rezultati juaj.
Ju mund të keni ende një infeksion aktual.
Testi mund të rezultojë negativ, sepse zakonisht nevojiten 1-2 javë pas infektimit që trupi juaj të zhvillojë antitrupa. Është e mundur që ju përsëri të infektoheni nëse kohët e fundit keni qenë të ekspozuar ndaj virusit. Kjo do të thotë që akoma mund të përhapni virusin.
Disa njerëzve ju nevojitet më shumë kohë për të zhvilluar antitrupa, dhe disa njerëz të infektuar mund të mos zhvillojnë kurrë antitrupa.
Nëse shfaqen simptoma pas testit të antitrupave, mund t’ju duhet një test viral.
Pavarësisht nëse testoheni pozitiv apo negativ, rezultatet nuk konfirmojnë nëse jeni në gjendje të përhapni virusin që shkakton COVID-19. Derisa të dimë më shumë, vazhdoni të ndërmarrni hapat e domosdoshëm për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Përgatiti: Dr Jeton Zenuni
Burimi: CDC