Shumica prej nesh kemi relaksuar në masë të konsiderueshme kufijtë e mbajtjes së distancës fizike gjatë takimit me miqtë dhe familjen tonë të zgjeruar. Ne madje heqim maskën dhe injorojmë udhëzimin për mbajtjen e distancës prej të paktën një deri dy metra, duke ekspozuar kështu veten dhe më të dashurit tanë ndaj virusit. Është pamje e rëndomtë nëse ulemi në kafiteri me ndonjë mik apo anëtar të familjes së gjërë, të gjithë heqin maskat dhe harrojnë të mbajnë distancën, rekomandimet për mbrojtje dhe parandalim nga virusi Covid 19 sikur pushojnë së vlejturi gjatë kësaj kohe dhe në këtë lloj shoqërie.
Nëse mendoni të takoheni me anëtarët e familjes së gjërë gjatë kohës sa po vazhdon pandemia, atëherë duhet mbajtur mend se në parim, të afërmit tanë janë po aq të prirur të bartin dhe transmetojnë virusin sa edhe të huajt. Asnjëri prej nesh nuk mund të ndihet i sigurt përtej atyre personave me të cilët jetojmë, për arsye se asnjëherë nuk e dimë me siguri se sa të kujdesshëm janë ata, e as të tjerët me të cilët ata mund të kenë qenë në kontakt. E mundësia e infektimit rritet në mënyrë eksponenciale, sa më shumë që vjen e rritet numri i kontakteve tona.
Nëse vendosni të ribashkoheni me familje, ndiqni udhëzimet e IKSHP, që përfshijnë larjen e shpeshtë të duarve, mbajtjen e distancës me ata me të cilët nuk jetoni dhe zbatoni përdorimin e maskës së fytyrës për të mbrojtur të tjerët.
Secili nga ne në fund të fundit është përgjegjës për zgjedhjet tona, pasi jemi ata që mbajmë ekuilibrin mes sigurisë dhe të qenurit me ata që duam. Mos u ndieni të turpëruar nëse kërkoni nga tjerët që të bartin maskën gjatë gjithë kohës sa jeni bashkë, e as mos e vëni veten në siklet që t’ua bëni me dije miqve tuaj se këtë e bëni nga brenga që e keni për sigurinë e të gjithëve, duke mos harruar njëkohësisht t’i falendëroni ata për mirëkuptim.
Me respekt,
Dr Jeton Zenuni/Familjadheshendeti