Nga Shkëlzen Rrecaj
“M’fal, a ka mundësi paswordin?”, “Shef, qysh e ke paswordi?”, janë këto shprehjet që posa të ulesh në kafe kamerieri duhet të jetë gati që t’u përgjigjet klientëve që nuk mund ta pinë kafen pa WiFi. Nuk është vetëm në kafene kështu, njëjtë është në shtëpi, në ndeja familjare porsa të ulët mysafiri ai kap telefonin dhe kërkon passwordin për t’u kyçur në internet. E si duket varësia e madhe në internet ndikimi i teknologjisë ka ndikuar në masë të madhe në humbjen e vlerave shoqërore, ndejave familjare, lezetit të kafesë, çajit, etj., vendin e këtyre kënaqësive që dikur kishin në familje e kanë zënë interneti me rrjetet sociale në veçanti.
Edhe pse sot interneti është bërë i domosdoshëm për punë, por që shihet si një rrezik i madh për mundësin e rritjes se analfabetizmit, ku leximi i librave çdo ditë e më shumë është në rënie.
Nga hulumtimet e fundit, personat të cilët kalojnë shumë kohë në internet, janë kualifikuar të varur pas tij dhe është konsideruar si çrregullim mendor. Duke u nisur nga kjo varësia ndaj internetit mund të zhvillohet si një çështje madhore e shëndetit publik në të ardhmen e afërt.
Sociologët ndikimin e madh të internetit e shohin si të dëmshëm në raportet ndër shoqëror në mes të njerëzve, duke krijuar më shumë miq virtual se sa fizik.
Sociologu Ferdi Kamberi, në një prononcim për Familja dhe Shëndeti thotë se “Interneti konsiderohet si një rrjetëzim i cili ka mundësuar që komunikimi si dhe shumë produkte të tij të jenë më afër dhe më të qasshme për njeriun se sa dikur. Ky internet që nga sociologët konsiderohet si ‘shkop magjik’ për shkak se ka bërë mrekulli të cilat dikur as që janë paramenduar, mund të themi se ka dy pole – afërsinë e njerëzve përmes komunikimit dhe shkurtimin e distancave gjeografike e hapësinore dhe varësia ndaj tij, e cila mund të prodhon probleme kronike të konsiderueshme. Në këtë kontekst, përdorimi i tepruar i internetit apo varësia ndikon dukshëm në jetën e njeriut, sidomos gjeneratave të reja. Ky ndikim i cili shpeshherë shndërrohet në varësi ndikon negativisht te ta sidomos në aspektin e socializimit, afërsisë fizike me familjen, miqtë, rrethin social, po ashtu ka ndikim edhe në aspektin shëndetësor, psikologjik dhe social”.
A janë të vetëdijshëm njerëzit për pasojat që shkakton interneti?
Sipas sociologut Kamberi “njerëzit nuk janë edhe aq të vetëdijshëm për pasojat e internetit, sidomos gjeneratat e reja të cilat pothuajse mbi 95 për qind e tyre kanë telefonë të menqur dhe vërehet shumë qartë se si i përdoren dhe se si më shumë fokusohen tek përdorimi i internetit se sa tek komunikimi apo bashkëbisedimi me të tjerët. Ky fakt ndërlidhet me atë që sipas Shoqatës së Informatikës në Kosovë (STIKK) interneti përdoret rreth 110 për qind dhe Kosova si vend prin për nga numri i përdoruesve në rajon dhe se krahasohet me shtetet e zhvilluara sa i përket përdorimit të tij”.
“Sociologët fokusohen sidomos në aspektin e raporteve ndër shoqëror në mes të njerëzve dhe në këtë drejtim, kanë vërejtur se varësia nga interneti ka ndikuar që njerëzit më shumë të krijojnë miq virtual se sa fizik, më shumë të qeshin përmes rrjeteve sociale se sa në ambientet familjare apo miqësore. Aspekt tjetër është edhe ndryshimi i sjelljes së njerëzve të cilët përdorin këtë teknologji informative, pasiviteti i tyre për të dhënë kontribut në familje dhe shoqëri, si dhe një dozë e lartë e agrisivitetit e cila mund të buron nga lojërat e dhunshme dhe sistematike të cilat mund të përdoren nga të rinjtë”, tregon Kamberi.
Po ashtu, ai tregon se si interneti ka ndikuar në familjet tona si me ose pa mysafirë më shumë i kushtohet rëndësi përdorimit të internetit se sa komunikimit në familje apo respektit të më të vjetërve, sidomos pasi që pothuajse e gjithë Kosova është e mbuluar me rrjetëzimin e internetit.
“Individi pa shoqëri padyshim se nuk do të mund të mbijetonte, sepse si i tillë ka nevojë për përkrahje morale, etike, ekonomike, sociale, etj., nga shoqëria. Kështu që sot jemi dëshmitarë të asaj që interneti si produkt i globalizmit ka ndikuar që në familjet tona si me ose pa mysafirë më shumë i kushtohet rëndësi përdorimit të internetit se sa komunikimit në familje apo respektit të më të vjetërve, sidomos pasi që pothuajse e gjithë Kosova është e mbuluar me rrjetëzimin e internetit. Në fakt, raportet shoqërore si rezultat i përdorimit të tepërt të internetit po vuajnë nga një gjendje anomike thënë në fjalorin e Dyrkemit, ato janë shndërruar në një çrregullim i raporteve dhe studimet sot potencojnë se njeriu në vazhdimësi është duke shkuar modeli i ashtuquajtur ‘njeri social’ që ka për qëllim krijimin e një raporti më të mirë me mediat sociale apo rrjetet sociale se sa vetë familjen dhe shoqërinë. Pra, ky fakt ka të bëjë me atë që Eric Fromm e quan konformizëm prej automatike, që njeriu në njëfarë mënyre po shndërrohet në robot të asaj që ka prodhuar vetë”, thotë Kamberi.
Me tej ai thotë se “Secila varësi ka edhe mjekimin e saj edhe interneti mund të përdoret në disa aspekte pozitive, në mënyrë që të shmangen ato gjërat negative – fëmijët të cilët përdorin internetin në bazë të moshave duhet të kontrollohen/monitorohen nga prindërit, interneti duhet të shfrytëzohet sa më racional dhe për qëllim produktive si edukim, arsimim, marrje të informatave, për ide, koncepte, nocione, etj., pra interneti duhet të shfrytëzohet si ‘hartë kognitive’ për nevojat të cilat i kemi dhe jo si katalizator i çrregullimeve familjare dhe shoqërore”, u shpreh Kamberi për Familja dhe Shëndeti.
Ndërsa, sociologu Labinot Kunushevci, deklaroi se “Në një vend që ka shkallë të lartë të analfabetizmit funksional, si Kosova, pasojat e përdorimit të internetit janë të pashmangshme, të dëmshme dhe mjaft provokative të ekuilibrit mendor dhe kulturor të shoqërisë, duke shtuar se interneti sot po ushtron disa presione mbi psikikën e njerëzve, madje, sipas studiuesit të njohur, Giovanni Sartori, në të ardhmen do të ndikojë edhe në strukturën gjenetike të njeriut”.
“Kosova është një nga vendet më konsumuese të internetit dhe rrjeteve sociale. Varësia ndaj internetit po shkakton problem në identitetin dhe sjelljen e tyre sociale, duke i bërë ata të pavëmendshëm për pasojat nga konsumi i përmbajtjeve mediale që shumë herë sfidojnë rregullat etike dhe njerëzore. Kjo gjithashtu po krijon ‘njeriun virtual’, duke ia humbur sensin e realitetit dhe duke e shndërruar atë në vetëm qenie teknologjike, virtual, që funksionon dhe komunikon vetëm digjitalisht me njerëzit që fizikisht i ka në distancë të largët dhe duke lënë ata që fizikisht i ka afër”, u shpreh Kunushevci.
Për psikologun Adem Shala, zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar botën, e si rezultat ka ndryshuar edhe jetën e përditshme të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Disa studime tregojnë se teknologjia, veçanërisht kur tejkalohet përdorimi i saj, ka efekte të dëmshme tek fëmijët në fusha të ndryshme, ndërsa studime të tjera tregojnë se teknologjia mund të ndikojë pozitivisht tek adoleshentët. Për shembull, vidiolojrat dhe lojërat kompjuterike mund të përmirësojnë kohën e reagimit, koordinimin sy-dorë, shkathtësitë e zgjidhjes së problemeve, etj., mirëpo përdorimi i internetit ka ndikuar jashtëzakonisht tek të rinjtë që të zëvendësojnë edhe aktivitetin fizik dhe rekreacionin në përgjithësi”, thotë ai.
Sipas psikologut Shala, interneti apo rrjetet sociale janë bërë një normë tek të rinjtë tanë.
“Pjesa më të madhe të kohës ata e kalojnë në internet çka e largon vëmendjen tek ajo që është më të vërtetë e rëndësishme në jetë. Ky shqetësim është pothuajse global, por në veçanti atakon vendet që nuk kanë ndonjë traditë të madhe në edukim, si dhe popujt që kanë nivel të ulët shkollimi”, tregon Shala.
Sipas Shalës ndryshimi i kësaj praktike mund të bëhet duke ndërmarrë iniciativa për themelimin e grupeve që do shërbenin si grupe ‘peer consuling’ me çka do ishin edhe model për të rinjtë e tjerë të shkollës dhe mjedisit që i rrethon.
Përdorimi i teknologjisë po shënon vazhdimisht rritje, përdoruesit më të mëdhenj janë fëmijët dhe adoleshentët e për këtë psikologu Shala tregon lidhur me këtë dukuri se janë bërë studime të ndryshme për të parë efektet e tij në arritjet në shkollë.
“Sipas disa studiuesve, ndikimi i teknologjisë në arritjet akademike të nxënësve mund të ndikohet nga faktorë të ndryshëm përfshirë: llojin e teknologjisë që përdoret, frekuencën dhe kohëzgjatjen e përdorimit, statusin socio-ekonomik dhe dallimet individuale”, theksoi ai.
“Rezultatet nga Koivusilta et al. tregojnë se adoleshentët me arritje më të larta shkollore përdorin më pak celularët sesa ata me rezultate më të dobëta. Po ashtu, ka një lidhje shkakore në mes të përdorimit të teknologjisë dhe problemeve me vëmendje. Ekzistojnë lidhje pozitive të vogla në mes të përdorimit të teknologjisë dhe problemeve të lehta me përqendrim në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëv