Nuk hapet mendja, po nuk u hap zemra. Thënie e Platonit për të mësuarin.


Të menduarit dhe të mësuarit, nuk janë një “gjë” e lehtë. Këtë e dimë të gjithë, pasi përballemi gjatë gjithë kohës, sidomos, kur nuk arrijmë të zgjidhim një problem apo shqetësim apo kur nuk na shkon mëndja si bëhet një gjë dhe kur e thotë tjetri, na vjen “plasja” që nuk na shkoi vetë mëndja te zgjidhja, që në fakt, ishte një gjë e lehtë. Mirpo me fëmijët, sillemi në një mënyrë aspak cilësore, vazhdojmë ti urdhërojmë dhe friksojmë me lloj lloj etiketimesh, sepse nuk arrijnë ti bëjë gjërat kur i kërkojmë ne të rriturit. Edhe pse e dimë që duhet shumë durim nga ana e të rriturit, që duhen gjetur teknika sa më kreative që fëmijët të mund ta kenë sa më të lehtë të menduarin dhe të mësuarin, ne vazhdojmë të përtojmë. Nuk përtojmë të etiketojmë apo të shajmë, por përtojmë të gjejmë teknika dhe mënyra sa më të përshtatshme që fëmija të mund të besojë se ja del dhe ta shijojë të mësuarin dhe të menduarin. As na shkon në mendje se ua vrasim shkollën dhe të mësuarin, duke i etiketuar: “se ky nuk mëson apo nuk përqëndrohet apo ky është dembel apo ky nuk ulet”. Prindër, mësues, dëshira më e madhe që ka një fëmijë, një nxënës, është, që të mësojë e ti di të “gjitha”. Por i vogli nuk e ka të lehtë, sepse të rriturit më shumë e trembin dhe e bëjnë lëmsh, se sa e ndihmojnë. Asnjërit nuk i shkon në mend, se ashtu siç i ndodh edhe të riturve, që kur jenë të tensionuar harrojnë apo bëhen konfuz, po kështu i ndodh edhe fëmijës, madje edhe më keq, pasi ai apo ajo, nuk i dinë ende mirë fjalët si ti përdorin dhe ku e kanë vendin. (Deri në 12 vjeç fëmija edhe pse flet rrjedhshëm dhe di të argumentojë, prap ka nevojë për fjalën dhe aprovimin e të rriturit). As në shkollë e as në shtëpi, të rriturit, nuk ulen pranë fëmijës që ta ndihmojnë, duke i treguar arritjen apo gjënë e re, që ka mësuar, por i mëshojnë gabimeve apo pjesës që nuk ka mësuar. Në vend që ti tregojnë arritjet, i tregojnë gabimet dhe mosarritjet. Pse duam tu mbushim mëndjen fëmijëve që janë të dështuar? Mësues kaq e vështirë është të nxitni një fëmijë të besojë te vetja? Kujtoni veten tuaj, kur ishit në shkollë, se si ndiheshit kur shkonit në provim apo duhet të flisnit për detyrën tuaj dhe mësuesit apo profesorët ju shikonin ftohtë, me pertesë e mosbesim, pse bëni të njëjtën gjë, që ju ka fyer më shumë? Pse u bërtisni apo i etiketoni, kur e dini që ata do të tremben e turpërohen? Ju e dini se frika nuk ndihmon, por përkundrazi, aktivizon harresën. Edhe pse puna juaj është shumë e vështirë dhe ju përballeni me shumë mangësi, nuk justifikohet e bërtitura dhe etiketimi i fëmijëve. Mësues përpiquni të shmangni nga praktika juaj metodën nëpërmjet frikës. Prindër ndihmoini fëmijët të përballojnë “dështimet” e tyre. Tregoini se shkolla është vëndi ku mësohet që të mos dështojmë në jetë. Përpiquni prindër dhe mësues.
Lira Gjika