Shoqata amerikane e Zemrës (AHA) dhe ajo e Insulteve Trunore (ASA) kanë publikuar bashkërisht udhëzuesin e përditësuar për trajtimin e gjakderdhjes intracerebrale (brendatrunore). Sipas autorëve, pothuajse çdo seksion dhe pjesë e udhëzuesit ka hasur në ndryshime të caktuara, në dritën e zhvillimeve në fushën përkatëse që prej 2015-s kur u patë bërë përditësimi i fundit.
Disa nga rekomandimet e ndryshuara janë këto:
- Nuk rekomandohet përdorimi profilaktik i kortikosteroideve apo terapisë kontinuale hiperosmolare sepse nuk ka dobi
- Nuk rekomandohet përdorimi i transfuzionit të trombociteve sepse e përkeqëson rezultatin
- Përdorimi i çorapeve kompresive nuk ndihmon në parandalimin e trombozës së thellë venoze, në vend të kësaj rekomandohet kompresioni i pneumatik intermitent
- Nuk rekomandohet përdorimi i barnave antiepileptike apo antidepresive, nëse nuk ka dëshmi për sulme epileptike apo depresion
- Në rastin e gjakderdhjeve në kuadër të përdorimit të antikoaguluesve, sugjerohet përdorimi i koncentratit të kompleksit të proteinave për neutralizimin e efektit të varfarinës; i idarucizumabit për inhibitorin e trombinës (dabigatran); i andeksanet alfës për inhibitorët e faktorit Xa (rivaroksaban, apiksaban, edoksaban)
- Kontrollimi gradual i shtypjes së gjakut jep rezultat më të mirë në parandalimin e zgjerimit të hematomës
- Për gjakderdhjet në trurin e vogël, sugjerohet evakuimi kirurgjik i hematomës me ose pa dren ventrikular të jashtëm për vëllimin mbi 15 ml
Dr. Blerim Myftiu
Neurolog