Nga Dr.Ismail Lutolli, Specialist Pediatër, Subspecialist Dietolog-Nutricionist
Bashkautore: Samire Ademi Lutolli – Specialiste Gjinekologji/ Obstetrikë
Foshnja erdhi në jetë e tek nëna e re fillojnë pyetjet e dilemat :
Çka po ndodhë kështu me mua ?
Mos ndoshta nuk isha e gatshme të bëhem nënë ?
Kam frikë se nuk do i’a dalë !!!
Çka po ndodhë me mua, ç’është tërë kjo pasiguri e trishtim që ndjejë ?
Sapo kam lindur një foshnje që e ëndërroja për shumë kohë. Duhet të isha më e gëzuara, më e lumtura por diçka jo e mirë po më ndodhë, në fakt ndihem shumë e dëshpëruar dhe kam shumë frikë, nuk dua të shoh njeri, më pengojnë të gjithë.
Sjellja e një fëmije në jetë, është gjëja më e mrekullueshme, më e dashura për gruan dhe familjen në përgjithësi. Megjithatë pas lindjes së fëmijës, shumë nëna të reja kalojnë përiudhë të vështirë që fillon me rënien e humorit duke vazhduar me paqëndrueshmëri psikologjike dhe emocionale dhe kalojnë në gjendjen që njihet si depresioni i paslindjes. Shpeshherë, nga ngjarja që do duhej të ishte ndër më të lumturat e jetës e që është lindja e fëmijës, shndërrohet në një labirinth që ska fund dhe që në disa raste mund të përfundojë shumë keq. Afërsisht 1 në 10 nëna të reja kalojnë këto ndjenja të cilat fillojnë me lindje, por bëhen gjithnjë e më të theksuara dhe zgjasin më shumë se disa ditë pas lindjes. Ato madje mund të shfaqen edhe disa muaj pas lindjes. Ky mund të jetë një depresion i paslindjes, që ka përparuar mjaft. Ndihma profesionale në këto raste është e domosdoshme.
Cilat janë arsyet e depresionit të paslindjes?
- Arsyet fizike, që lidhen me çrregullimin hormonal
Gjatë 9 muajve të shtatzënisë dhe problemeve që mund të kenë kaluar, po ashtu edhe lindjes së foshnjës me vështirësi, nënat e reja hargjojnë shumë energji fizike. Pra, lodhja e tyre fizike është e skajshme.
- Arsyet psikologjike
Pritjet para lindjes së foshnjës janë shumë të mëdha dhe nënat e reja me depresion të paslindjes, kanë vështirësi të përshtaten me rolin e ri si nënë. Mungesa e institucionit aktiv këshillues për procesin e gjidhënies dhe përkujdesjes ndaj foshnjës, që në momentet e para pas lindjes shkakton presion edhe më të madh. Pyetjet e dilemat e nënës së re janë mjaft dëshpëruese, si : “Unë linda dhe nuk jam e përgatitu, foshnja ime nuk e merr gjirin, ja si qanë, çfarë të bëjë, nuk di as ta mbështjellë si duhet “.
- Arsyet socio-ekonomike
Këtu bëjnë pjesë problemet ekonomike dhe sociale, mungesa e përkrahjes sistematike nga rrethi e në veçanti nga bashkëshorti apo prindërit. Çdo nënë e re ka nevojë për mbështetjen e familjarëve dhe nëse kjo nuk konsiston në masën e duhur, vetëm se i ka hapur rrugë depresionit.
- Stresi i shkaktuar nga mënyra e re e jetesës
Kur një grua sjellë në jetë një qenie të re, jeta e saj kërkon disa ndryshime, si lënia e punës, karrierës apo angazhimet tjera profesionale dhe familjare. I tërë ky ndryshim nuk përballohet lehtë nga një nënë e re.
- Presioni i shkaktuar nga ndryshimi fiziologjik trupit dhe ndjenjave
Për shkak të shtatzënisë dhe lindjes së foshnjës, forma e trupit ka ndryshuar po ashtu edhe gjendja psikologjike. Ndryshimi i stilit të jetesës, zgjimi gjatë natës për të ushqyer foshnjën me gji etj. Nëse lindja ka qenë e vështirë, do duhet kohë për ta rimarrë vehten dhe tërë kjo ndikon edhe më shumë në rëndim të tërë situatës së krijuar.
Si fillon e tëra nga psikozat e paslindjes e deri tek depresioni?
Psikoza e paslindjes fillon zakonisht në fillim nga dita e 2 apo 3-të deri në ditën e 14-të pas lindjes. Fillon me shenja të lehta si pagjumësi ( megjithëse nëna është shumë e lodhur, nuk mund të flejë, ajo mund të vijë vërdallë nëpër shtëpi, duke dëshiruar të flejë ), mungesë oreksi, mungesë dëshire dhe besimi për tu marrë me foshnjën apo edhe vetveten, paaftësi për tu gëzuar dhe humbje e interesit për gjithçka që e rrethon. Nëse nuk ndermirën masa, gjendja shkon duke u përkeqësuar me luhatje të mëdha psikologjike e shpirtërore.
Më vonë, ato mund të kalojnë në halucinacione, por edhe mendime tjera rrënuese për psikologjinë e një nëne te re si : frika se do e mbys foshnjën nga pakujdesia apo do e mbysin të tjerët, frika se dikush do i bëj keq asaj si nënë e deri tek më e keqja, konfuzion dhe paaftësi për t’u përkujdesur për foshnjën. Psikoza e paslindjes zhvillohet shumë shpejt, por edhe lehtësohet brenda disa javësh ose pas 2-3 muajsh. Nëse me kohë diagnostikohen dhe kanë përkrahjen e plotë si profesionale dhe familjare, këto nëna në afro 90% të rasteve do të shërohen. Një përqindje shumë e ulët mund të shkojë në keqësim të gjendjes, në mbyllje në vetvete e deri në mendime për vetëvrasje.
Po kaloi në fazë më të gjatë, kemi të bëjmë me depresionin klasik dhe shenjat adekuate janë : probleme të theksuara me përqendrimin, qajnë vazhdimisht pa shkak, janë të pikëlluara, zemëruara, lodhen shpejt, kanë mendime negative. Gjithashtu kanë probleme me memorien afatshkurtër, shqetësime shpirtërore etj. Depresioni i paslindjes tek disa femra zgjat 5 deri 8 muaj.
Cilët janë hapat që duhet ndërmarrë çdo nënë që ka simptomat e depresionit të paslindjes?
Cila është ndihma që bashkëshorti dhe familjarët duhet ti ofrojnë?
Sa të rëndësishme janë këshillat dietologjike në tërë këtë proces?
Si të veproni – ndiqni 8 hapat në vazhdim?
- Si nënë e re, pushimi dhe mbështetja nga ana e familjes mund të jenë gjithçka që ju nevojitet kur simptomat janë të lehta, shenja vendimtare që tregon se ju nevojitet ndihma mjekësore është kur depresioni të pengon të bësh gjërat e zakonshme.
- Përkrahja e bashkëshortit ka rolin më të rëndësishëm në tërë ndodhinë e ardhjes në jetë të foshnjës. Fëmija është i të dy prindërve, prandaj të dy duhet të luajnë rol aktiv për rritjen e tij. Edhe para lindjes duhet të jetë bashkëshorti ai që i jep siguri të mjaftueshme bashkëshortes se do jetë ai që do e përkrahë dhe që bashkërisht do ia dalin. Duhet të jetë ai që në çdo moment duhet të shprehë pa rezervë përkrahjen gjatë tërë procesit, e në veçanti pas lindjes.
- Femrat që vuajnë nga depresioni i paslindjes, kanë tendencë ta fshehin atë për arsye të ndryshme duke u futur në një rreth vicioz. Ju si bashkëshort mos e lejoni diçka të tillë. Mos e lejoni që gruaja të vetmohet në dhomë dhe të fillojë të humbë vetëbesimin edhe ashtu të luhatur. Qëndroni afër dhe bashkërisht në çdo moment sidomos në ditët dhe javët e para pas lindjes.
- Komunikimi është çelësi i suksesit , komunikoni me bashkëshortin, familjarët ose miqtë. Komunikoni hapur dhe shpreheni shqetësimin tuaj. Do kuptoheni më lehtë dhe do të hapni rrugë për t’iu ndihmuar.
- Përkujdesja për foshnjën e porsaardhur në jetë, është obligim i të gjithë familjarëve në veçanti bashkëshortit dhe jo vetëm i nënës së re. Andaj provoni të jeni afër nënës së re duke i ofruar ndihmë praktike e përkrahje, duke e inkurajuar e motivuar, duke i treguar që ka sjellë në jetë një krijesë të mrekullueshme.
- Si bashkëshort dhe familjar, përkraheni nënën e re në procesin e gjidhënies në çdo moment, thuani se do ia dalë, jepni kurajo. Mos guxoni për asnjë moment që të qajturat e foshnjës ti interpretoni se nuk i mjafton qumështi, se nuk u ngopë me qumësht gjiri. Nëna e re ka nevojë për përkrahje për gjidhënje dhe përkraheni fuqishëm, pasi kjo do ishte nisja më e mire për foshnjën por edhe për nënën. Do ishte shtytje e madhe shpirtërore për një nënë të re, kur e sheh se ia doli me gjidhënie.
Gjidhënia ngelet çelës magjik në luftë ndaj depresionit dhe rrugë për rritje të shëndetshme të foshnjës.
- Si nënë e re, mos hezitoni të komunikoni më shpesh me të afërmit dhe miket që keni dhe shpreheni lirshëm shqetësimin tuaj. Ndoshta eksperienca e të afërmve dhe mikeve tuaja do të iu ndihmojë të kaloni më lehtë gjendjen tuaj.
- Bisedoni me bashkëshortin dhe kërkoni ndihmë në të gjitha rreth përkujdesjes për foshnjën tuaj. Planifikoni dhe dilni së bashku si dikur. Ardhja e foshnjës s’ka pse të ndryshojë tërësisht jetën tuaj por duhet ta pasurojë atë.
Këshilla diietologjike për depresionin pas lindjes.
Cilat janë 15 këshillat që duhet ndjekur?
- Provoni të bëni pushim dhe gjumë kur foshnja juaj pushon. Pushimi juaj ka mjaft rëndësi të merrni veten dhe të jeni larg depresionit. Njerëzit tjerë mund të të ndihmojnë, duke marrë përsipër të bëjnë disa nga punët e shtëpisë dhe të përkujdesen për fëmijën derisa ju pushoni. Studimet tregojnë se depresioni i paslindjes ndodhë shumë më rrallë në ato raste kur rrethi familjar i gjendet pranë nënës së re për ta ndihmuar dhe këshilluar.
- Merruni me aktivitete të lehta fizike, sportive, ecje të lehta në natyrë dhe shëtitje të shkurtra kur foshnja juaj ka fjetur.
- Ushqimi i mirë dhe cilësor, dietë e ekuilibruar. Një dietë e ekuilibruar siguron një sistem të fortë dhe të shëndetshëm imun dhe gjendje të mirë shëndetësore. Deficiti nutritiv, mund të shpie tek problemet kronike organike, imunitare dhe të ndikojë direkt në depresionin që mund të zhvillohet. Është e rekomanduar, që në dietën e përditshme, të përfshihen fruta të freskëta, drithërat, arra dhe fara, limoni, grejpfruti, bananet, pjepri, boronica, luleshtrydhe, kajsia, mango. Gjithashtu edhe perimet si : qepë, hudhër, domate, spinaq, brokoli, patate e ëmbël, kungull i njomë, karota, lakër, fasule dhe produkte soje (të gjitha këto ushqime janë shumë të pasura me nivele të larta të vitaminave, mineraleve, enzimave dhe antioksidant gjithashtu.
- Merrni acidet yndyrore esenciale
Burimet ushqimore: peshk salmon, sardele, peshk harengë, algat 3 herë në javë.
- Vitamina D (studimet tregojnë se nivelet e ulëta të serumit të vitaminës D, janë shoqëruar me simptoma depresive. Një mënyrë ideale do të ishte marrja e vitaminë D përmes ekspozimit të diellit, pasi kjo jo gjithmonë është e mundshme, atëherë duhet marrë përmes ushqimit ose edhe suplementeve. Burimet e ushqimit: Peshk yndyror, mëlçi, vezët.
- Merrni ushqime te pasura me vit B pasi ka një ndërlidhje në mes depresionit dhe mungesës së vit B.Burimet ushqimore: Proteina e kafshëve (peshk, vezë, pulat), qumëshi, fasulet, pemët dhe perimet
- Merrni ushqime të pasura me minerale Mangësitë në këto minerale janë shoqëruar me depresion dhe çrregullime të humorit. Disa studime sugjerojnë se plotësimi i këtyre ushqyesve gjatë shtatzënisë mund të jetë një qasje efektive për parandalimin e depresionit pas lindjes. Burimet ushqimore të mineraleve : mishi i kuq (2 here ne jave ) , mëlçia, farat, fasulet, arrat etj
- Mundohuni të mos përdorni kafeinën, dhe sheqerin e bardhë.
- Larg pijeve alkoolike
- Përdorni jogurtin në ushqimet e ngurta që hani, përdoreni disa herë në javë.
- Përdorni çdo ditë bajame nga 3 thelb dhe arra tre herë në javë nga 3 copë.
- Përdorni çajin e gjelbër dy herë në ditë nga një filxhan . Përdorni çaj bliri 30 min para gjumit
- Mund të përdorni çokolatë të zezë nga 40 gr në ditë (nga ato që kanë rreth 70% kakao).
- Përdorni disa herë në javë rrush të thatë
- Shfrytëzoni meditimin ,anën shpirtërore dhe praktiko ritet e lutjeve në qetësi të plotë
Si përfundim:
Ndihmojeni nënën e re me dashuri dhe motivim. Nëna e re ka nevojë që të tjerët ta kuptojnë, ta dëgjojnë, ta përkrahin e jo të kërkojnë logjiken e sjelljes së saj. Mos harroni, depresioni i paslindjes ia bën të vështirë asaj që vuan të mendojë në mënyrë të logjikshme dhe të këtë mendim të qartë për atë që po ndodhë.
Nëse përkundër hapave të ndërmarrë depresioni vazhdon, kërkoni ndihmën e mjekut , psikologut apo edhe psikiatrit .
Sa më shpejtë ta bëni këtë, aq më shpejt mund të shëroheni./FamiljadheShëndeti