Marrja e lejes nga prindi që fëmija të përdorë mediat sociale është sikur marrja e lejes që ata të përdorin kokainë, alkool dhe cigare të gjitha në të njëjtën kohë, kështu na është thënë. Nëse keni ndjekur raportet e fundit të shtypit në lidhje me efektet e mediave sociale në të rinjtë, mund ta besoni këtë. Por nuk ka prova shkencore për të mbështetur pretendime të tilla ekstreme.
E vërteta është shumë më komplekse. Është shumë e vështirë të parashikohet se si do të ndikojnë mediat sociale te secili individ i veçantë – efekti varet nga gjërat si personaliteti i tyre, lloji i përdorimit të mediave sociale dhe mjedisi shoqëror. Në realitet, media sociale mund të ketë rezultate pozitive dhe negative.
Raportet e shtypit që krahasojnë mediat sociale me përdorimin e drogës po injorojnë provat e efekteve pozitive, duke ekzagjeruar dhe përgjithësuar provat e efekteve negative. Kjo nuk ka ndonjë bazë dhe nuk promovon përdorimin e shëndoshë të mediave sociale. Ne nuk duhet të krahasojmë servimin e ëmbëlsirave fëmijëve me servimin e drogave, edhe pse servimi i ëmbëlsirave për çdo vakt mund të ketë pasoja serioze shëndetësore. Për këtë arsye, ne nuk duhet të krahasojmë median sociale me drogat.
Që një fakt të jetë i provuar shkencërisht, duhet të testohet në mënyrë të plotë dhe të detajuar. Për të konfirmuar plotësisht titullin e të përditshmes britanike THE INDEPENDENT se: “Dhënia e smartfonit fëmijës suaj është si dhënia e një grami të kokainës”, do t’ju duhet t’i jepni fëmijëve një gram kokainë dhe një smartfon dhe tek pastaj të krahasoni efektet, thotë një ekspert i varësisë së lartë. Në mënyrë të ngjashme, ju do të duhet t’u ofroni gjeneratarave të reja mediat sociale, drogën dhe alkoolin për të testuar titullin e mediave në të cilin thuhet se: “Mediat sociale janë poaq të dëmshme sa alkooli dhe droga për gjeneratat e reja.” Por udhëzimet etike në universitete janë vendosur në atë mënyrë që këto studime të mos mund të realizohen ndonjëherë.
Shumëllojshmëria e mediave sociale
Por ndoshta titujt e lajmeve duhet të skontohen, pasi ekzagjerimet shpesh përdoren për të kapur vëmendjen e lexuesve. Por edhe kur shpërfillen këto pretendime të mëdha, mbulimi mediatik i rrjeteve sociale është ende çorientues. Për shembull, raportet që flasin për efektet e mediave shoqërore shpesh pretendojnë që të thjeshtësojnë realitetin. Mediat sociale janë të shumëllojshme-faqe të ndryshme ofrojnë një mori aspektesh të ndryshme. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë përgjithësimin e efekteve të mediave sociale.
Një rishikim i kohëve të fundit i hulumtimeve të kryera në të kaluarën, arriti në përfundimin se efekti i Facebook-ut varet se cilat prej aspekteve të platformës ju përdorni. Bisedat me miqtë në messenger të Facebook-ut mund të rregullojnë disponimin tuaj, ndërsa krahasimi i jetës tuaj me fotot e njerëzve të tjerë në Newsfeed mund të arrijë të kundërtën. Duke trajtuar të gjitha faqet e mediave sociale dhe tiparet e tyre si një koncept, mediat po e teprojnë me thjeshtësimin e diçkaje që në fakt është shumë komplekse.
Fokusi në aspektet negative
Mbulimi i mëhershëm i medias jo vetëm që ka thjeshtuar mediat sociale, por shpesh është fokusuar vetëm në aspektet negative të medias sociale. Por kërkimet shkencore tregojnë se ka rezultate pozitive dhe negative të përdorimit të mediave sociale. Hulumtimet kanë treguar se Facebook rrit vetëvlerësimin dhe nxit ndjenjën e lidhjes me të tjerët. Reaksionet fiziologjike të njerëzve gjithashtu tregojnë se ata reagojnë pozitivisht në përdorimin e Facebook.
Në anën tjetër, është gjetur gjithashtu se mediat sociale mund të ulin mirëqenien dhe të rrisin ankthin social. Një analizë e 57 studimeve shkencore zbuloi se mediat sociale janë të lidhura me nivele pak më të larta të narcizmit. Ky grup provash konfliktuese sugjeron që mediat sociale kanë efekte negative dhe pozitive. Jo vetëm një apo tjetra.
Sasia e përdorimit është me rëndësi
Efekti i mediave sociale varet gjithashtu nga sasia e kohës që shpenzoni duke e përdorur atë. Në një studim të kohëve të fundit të bërë në më shumë se 120.000 adoleshentë të Britanisë së Madhe, është gjetur se përdorimi i moderuar i mediave sociale nuk është i dëmshëm për shëndetin mendor.
Ne e krahasuam lidhjen midis kohës së kaluar para ekranit dhe mirëqenies. Gjetëm se ata që përdorën ekranet në sasi të moderuar – mes një dhe tre orë çdo ditë – raportuan mirëqenie më të lartë krahasuar me ata që nuk përdorin fare mediat sociale dhe ata që e përdorën atë më shumë se tre orë në ditë. Pra, për dallim nga droga, ata që praktikojnë abstinencën nuk duken më mirë.
Raportet e fundit të medias mund t’i kenë bërë prindërit të shqetësuar pa nevojë në lidhje me përdorimin e mediave sociale nga fëmijët e tyre. Një citim ose titull që bie në sy mund të shpërqendrojë shpesh nga sfidat reale të prindërimit. Është koha që media të mbulojë jo vetëm anët e këqija, por edhe ato të dobishme dhe komplekse të mediave sociale. Efektet e mediave sociale nuk mund të përmblidhen duke krahasuar mediat sociale me drogën. Thjesht nuk është aq e thjeshtë.
Marrë nga NEWSWEEK
Përktheu: Jeton Zenuni /FamiljadheShëndeti