Nga Dr. Jeton Zenuni – Transfuzion i gjakut
Të dashur prindër, unë jam më i rëndësishëm sesa rrjetet sociale, dhe ju dua shumë më tepër se të gjithë ata njerëz me të cilët mbani kontakt virtual.
Të dashur prindër, ma dhuroni kohën tuaj!
Unë jam fëmijë. Pak është e rëndësishme nëse kam një vit, dy ose tre, dëshira ime është e njëjtë, e ajo është koha juaj. Unë kam nevojë për vëmendjen tuaj, përqafimet tuaja, fjalët e ëmbla, kam nevojë për një ndjenjë përkatësie dhe dashurie të pakushtëzuar.
Jam i ri në këtë botë dhe ende nuk i di të gjitha rregullat, madje ato që i di, nuk jam i sigurt nëse i kuptoj drejt, dhe çfarë qëllimi kanë. Ndoshta nuk di se si të vishem, të ha dhe ta rregulloj rrëmujën që krijoj, por kam aftësi të ndiej… zemërimin tuaj, lodhjen tuaj, frikën tuaj, durimin tuaj, gëzimin tuaj dhe dashurinë tuaj. Ndjenja se jam i dashur nga ju është shumë e nevojshme për mua. Për t’u rritur, për t’u zhvilluar, për të mësuar dhe për të përparuar, kam nevojë për dashurinë tuaj. Kam nevojë për të, po aq sa edhe për të gjitha ushqimet e shijshme që përgatit nëna ime.
Ndaluni për një moment dhe më shikoni. Ju përgjëroj. Në trupin tim të vogël ka një oqean dashurie të dedikuar vetëm për ju. Ju jeni qendra e botës time. Dhe në mënyrë shumë egoiste e dua kohën tuaj vetëm për veten time. Mos më privoni nga ajo (kohë).
Më shikoni se si po rritem. Më shikoni ndërsa luaj, ndërsa lëshohem në rrëshqitëse, ndërsa bëj një kullë me jastëkë, ndërsa parkoj veturat, më shikoni dhe kënaquni me mua. Fusni celularin tuaj në çantë. Më besoni, unë jam një mrekulli më e madhe se të gjitha aplikacionet që keni instaluar, jam më interesant se të gjitha rrjetet sociale dhe ju dua më shumë se të gjithë ata njerëz me të cilët po shkruani në Facebook. Vallë do e humbasin lëshimin tim nëpër rrëshqitëse për shkak të viberit? Nëse më nxjerr në park dhe ke vendosur të kalosh një orë me mua, atëherë bëje këtë me të vërtetë. Mos i kalo këto orë në stol pranë parkut të lojërave në telefon, ngrihu ndonjëherë dhe mu afro dhe unë do të jem shumë i lumtur të bëj një tortë me rërë dhe ta ndaj atë me ju. Sepse ju jeni prindërit e mi, dhe unë kam nevojë për ju. Nuk e kam fjalën vetëm për praninë tuaj fizike, kam nevojë edhe për vëmendjen tuaj.
Unë jam vërtetë mirënjohës se më sollët në parkun e lojërave. Faleminderit që ma mundësuat këtë. Faleminderit që ndatë pesëmbëdhjetë minuta dhe më sollët në vendin tim të preferuar. Por unë do të doja sikur të ndanit edhe gjysmë ore dhe të luani me mua brenda. Mos u ulni jashtë duke pirë kafe gjatë gjithë kohës. Ejani brenda, vraponi pas meje, bëni përpjekje të më kapni mua, ngjituni bashkë me mua në labirint, le të zvarritemi së bashku dhe të qeshim me njëri-tjetrin. Vallë, a nuk është kjo më interesante sesa të pini një kafe dhe të lexoni gazetën? Sepse, e dini, nëse pas dhjetë përpjekjeve të pasuksesshme, më në fund arrij të ngjitem në maje të këtyre piramidave të mëdha, dhe ju, prindërit e mi nuk jeni atje për ta parë këtë, unë këtë arritje fantastike do t’ia tregoj vetëm mamit të asaj vajzës së bukur me flokë të zeza kaçurrel. Për shkak se ajo është aty, brenda, po lozë bashkë me vajzën e saj dhe me ëndje do të më thotë mua: “Të lumtë, ia dole!” Por kjo është e tëra. Ajo do të vazhdojë të lozë me vajzën e saj. Dhe unë do të pyes veten se pse nëna ime nuk mund të hyjë brenda? Dhe atëherë me dëshirën e flaktë për vëmendje dhe lavdërim do të thërras: “Mami, babi, ejani dhe shikoni ku u ngjita!” Dhe, ju lutem, mos thërrisni nga tavolina dhe karriga “Bravo, kujdes të mos biesh poshtë!” Ngrihuni nga tavolina, hyni në dhomën e lojërave dhe më përqafoni. Mendoj se e meritoj. Megjithatë, arrita të ngjitem në maje të piramidës. Dhe në mbrëmje, ndërsa jeni duke folur me gjyshen, përse i thoni asaj: “Ishim me fëmijën tonë në parkun e lodrave?” Jo, nuk ishit. Ju vetëm më dërguat në parkun e lojërave. Ju u ulët përjashta dhe shfletuat gazetën gjatë kohës sa po shijonit kafenë. Unë u ngjita vetë në maje të piramidës”.
Prindërit e mi të dashur, e shoh që jeni të lodhur, të pagjumë, duhet të shkoni në punë, duhet të gatuani drekën dhe të lani rrobat, por ju lutem provoni të më kuptoni mua. Unë jam një fëmijë. Kam kërkesat e mia. Ndoshta unë jam egoist, por më besoni, nuk është faji im. Fëmijët janë kështu. Fëmijët kanë etje për dashuri dhe vëmendje. Unë nuk mundem e të mos jem “i mërzitshëm”. Nuk mund ta frenoj veten, të pres derisa nëna ime të hekuros rrobat, unë dua që nëna ime të shoh menjëherë se si kam parkuar kamionët. Mami ishte në punë gjatë gjithë ditës. Më ka munguar shumë. Jam i padurueshëm. Dua gjithë vëmendjen e saj për veten time. Të paktën në një pjesë të vogël të ditës, kur ajo nuk është në punë, kur ajo është në shtëpi dhe kur mund të jetë vetëm nëna ime. Sigurisht që është e vështirë të kryesh të gjitha detyrat dhe obligimet, por ndoshta unë mund të të ndihmoj. Ndoshta mund të pastrojmë së bashku, të përgatisim drekën së bashku, t’i vendosim enët së bashku në tryezë. Kaq mund të bëj, atëherë kur ta ndiej dashurinë dhe vëmendjen tuaj. Dhe mos u hidhëroni në mua nëse gaboj. Unë jam vetëm një fëmijë.
Unë besoj se më keni dëshiruar shumë. Se keni përcjellë me padurim rritjen e barkut të mamit tim, më keni blerë gjëra të ndryshme, keni përgatitur dhomën time dhe keni festuar lindjen time. Dhe tani që jam këtu, mos u ankoni për mungesën e kohës së lirë, për zgjimin tim natën dhe për hiperaktivitetin tim. Unë jam fëmijë dhe ju vetë më keni dëshiruar. Unë kam ardhur në këtë botë si rezultat i dëshirës suaj. Pra, kujdesuni për mua. Mos kërkoni gjithmonë nga gjyshet, tezet dhe hallat që të kujdesen për mua, ju kujdesuni për mua. Ma dhuroni kohën tuaj.
Prindërit e mi të dashur, është në rregull që të shikoni filmin tuaj të preferuar, të shkoni në palestër, të shkoni te floktari, të dilni për një kafe me një mik të cilin nuk keni takuar për katër muaj për shkakun tim. Edhe ju jeni krijesa të gjalla, edhe ju keni nevojat dhe dëshirat tuaja. Keni edhe ju nevojë për relaks. Të mbushni bateritë. Por përpiquni që gjatë ditës të gjeni kohën që më takon vetëm mua.
I dashuri baba, pas ndeshjes së futbollit që sapo e shikove, të lutem më dërgo në sheshin e lojërave prapa ndërtesës sonë dhe më mëso si të shënoj gol!
Nëna ime e dashur, pasi bërë një stil të shkëlqyeshëm të flokëve te floktari, le të dalim për të shëtitur në qendër të qytetit dhe të hamë akulloren time të preferuar!
Unë jam fëmijë dhe gjithë çfarë kam nevojë është një gardërobë e pastër, një drekë e shijshme dhe koha juaj. Ndjehuni të lirë të huazoni një karrocë fëmijësh nga ndonjë mik, ta merrni atë xhaketën me vija nga djali i tezës pasi ai tashmë është rritur, do të më rrijë mirë, më bleni lodra nga kinezët, por…më dhuroni kohën tuaj.
Më regjistroni në çerdhe, angazhoni një dado që do të kujdeset për mua gjatë kohës sa punoni, por mbrëmja le të jetë e jona. Vetëm e jona. Ftoni gjyshen që të kujdeset për mua, dhe ju mund të dilni në darkë, por le të jetë mëngjesi ynë. Më puthni në shtrat, mos nxitoni që të ngriheni. Sepse do të rritem shpejt. Më nuk do të dua të hidhem në shtratin tuaj. Do të nxitoj për në trajnim.
Pra, kënaquni me mua tani, derisa jam i vogël dhe ma dhuroni kohën tuaj që më takon mua. Ky është ushqimi im./FamiljadheShëndeti