Nga Dr. Adriana Perjuci-Begolli – endokrinologe
Duke marr shkas nga koha e pushimeve dhe mundësisë së udhëtimit të ndonjërit, mendova të jap disa këshilla për personat që kanë diabet apo kanë familjar me diabet dhe dëshirojnë të udhëtojnë.
Së pari, diabeti nuk pengon udhëtimin kudo. Por, nëse keni vet apo familjar me diabet, atëherë këshilloheni që të planifikoni përpara se të udhëtoni.
Vizitoni mjekun tuaj dhe sigurohuni që diabetin ta keni nën kontroll.
Nëse keni nevojë për vaksinime për destinacionin tuaj, merrni ato të paktën një muaj para nisjes. Në këtë mënyrë, në qoftë se vaksina ju shkakton ndonjë reagim, do të keni mjaft kohë për t’u rikuperuar.
Do të ju duhet një raport nga mjeku juaj. Raporti duhet të shpjegojë në detaje terapinë që përdorni (qoftë insulinë a medikamente) dhe çdo që tjetër që ju nevojitet për të menaxhuar diabetin tuaj derisa jeni udhëtar, qofshin ato edhe këshilla për ushqim.
Gjithmonë merrni medikamente dhe furnizimet mjekësore që përdorni me ju pranë, në çantë. Mos i vendosni në bagazhin të cilin e dorëzoni (në aeroport) apo në bagazh të veturës/autobusit. Rekomandohet të mbani një qese (a ngjashme) me ju në çdo kohë me artikujt e nevojshëm, si: insulina, anti diabetikët oral, glukometrin (së bashku me bateri shtesë), barnat tjera qofshin ato anti-hipertensiv, ato kundër diarresë, kundër tugës… Përveç këtyre, ta keni edhe ndonjë ushqim (grickinë), p.sh. keksa a djathë të paketuar a frutë a lëng fruti apo ndonjë lloj sheqeri në rast se iu bie sheqeri në gjak.
Është e rëndësishme që të hani në mënyrë të duhur (shikoni postimin Dieta Diabetike) kur udhëtoni. P.sh. kompanitë ajrore ofrojnë ushqim të ulët në sheqer, yndyrë ose kolesterol. Kontaktoni linjën ajrore tuaj dhe bëni kërkesën tuaj për ushqim të paktën 48 orë përpara fluturimit tuaj.
Nëse udhëtoni me aeroplan dhe nëse merrni insulinë, prisni që ta merrni atë kur ju servohet ushqimi. Nëse jeni duke udhëtuar vetëm, keni parasysh se disa udhëtar kanë ankth të ngritur në aeroplan, prandaj është e dobishme për të informuar stjuardesën dhe personin që është ulur pranë jush se jeni diabetik dhe do t’ju duhet të merrni një ilaç (insulinë) me të shtëna para se të hani. Në rast se ushqimi juaj merr një kohë për t’u shërbyer ose nëse porosia juaj është e pasaktë, ju bëjnë dobi njëra nga ato ushqimet që keni pranë në çantë.
Udhëtimi nëpër zona të ndryshme kohore (sidomos me 2 e më shumë orë diferencë) mund të ndikojë në kohën dhe sasinë e dozave të insulinës ditën e udhëtimit. Nëse udhëtoni drejt lindjes, humbni kohën (ora është më para) dhe kështu dita juaj ju shkurtohet dhe mund të keni nevojë për më pak insulinë. Kur udhëtoni në perëndim ju fitoni kohë, pra ju zgjatet dita dhe ndoshta ju duhet më shumë insulinë. Mjeku juaj mund të rekomandojë çdo rregullim që mund t’ju nevojitet për të bërë në regjimin tuaj të insulinës. Mbani orën tuaj të vendosur në kohën e origjinës tuaj të udhëtimit për t’ju ndihmuar të mbani mend kur merrni insulinën tuaj. Rivendosni orën tuaj në orën lokale në mëngjes pas mbërritjes. Kontrolloni nivelin tuaj të sheqerit në gjak kur jeni vendosur në destinacion, sepse ma herët mund të jetë e vështirë të tregoni nëse jeni lodhur nga udhëtimi apo keni nivel të ulët të sheqerit në gjak
Duhet të kontrolloni glukozën e gjakut më shpesh gjatë udhëtimit (të paktën çdo 4-6 orë). Përveç kësaj, kur udhëtoni mund të jeni më aktiv se zakonisht, gjë që mund të çojë në nivele të ulëta të sheqerit në gjak.
Hidratimi është i rëndësishëm gjatë udhëtimit, prandaj sigurohuni që të mbani shumë ujë me ju. Udhëtimi ajror mund të ju dehidroj prandaj shmangni shumë kafe, çaj ose pije të tjera me kafeinë pasi këto kanë veti diuretike dhe mund të kontribuojnë në dehidratim. Kufizoni pijet me sheqer.
Ruani siç duhet furnizimet tuaja mjekësore, veçanërisht insulinën. Ndërsa insulina nuk ka nevojë të jetë në frigorifer, ajo mund të humbasë forcën nëse ekspozohet ndaj nxehtësisë ose të ftohtit ekstrem.
Mbani ushqim rezervë me vete kudo që të shkoni, pavarësisht nëse jeni duke ecur në natyrë apo qytet sepse nuk duhet të supozohet se ushqimi do të jetë në dispozicion. Mbajeni në kontroll sheqerin tuaj në gjak duke qenë gjithmonë i kujdesshëm për atë që hani dhe pini gjatë udhëtimit. Kini kujdes nga ushqimi i panjohur që t’ua vështirësoj kontrollin e diabetit apo mund të ju trazoj stomakun. Pyesni për përbërësit e ushqimeve të panjohura, nëse mundeni.
Në qoftë se pushimet e juaja i kaloni në bregdet preferohet që mos të qëndroni në rreze të diellit prej orës 11 – 17. Konsumoni sa më shumë ujë, ashtu që të mos dehidroheni sepse ju rritet sheqeri në gjak. Noti është i mirëseardhur sepse do të ju ndihmon që të mbani glikeminë (sheqerin) në kuadër të vlerave normale.
Kujdes me këmbët. Merrni të paktën dy palë këpucë të rehatshme, ashtu që mos të ju ngushtojnë. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e paraqitjes së ushlave të cilat mund të infektohen. Merrni çorape dhe nëse ju duhet diçka për të trajtuar plagët e vogla të këmbëve. Mos ecni zbathur. Vishni këpucë të posaçme për plazh apo deti. Mbroni këmbët tuaja gjatë gjithë kohës kur jeni duke ecur pranë pishinës, në park, në plazh, ose duke notuar në det. Mos vishni këpucë të hapura, duke përfshirë sandale dhe papuqe. Nëse këmbët tuaja nuk janë të mbrojtura, e rritni rrezikun e lëndimit të tyre.
Mundohuni të mësoni frazat e dobishme në gjuhën lokale si: “Më ndihmo” ose “Kam diabet, ku është spitali?” ose “Unë kam nevojë për sheqer”, në rast të ndonjë emergjencë e që shpresoj kurrë mos të keni.
Pushime të këndshme./FamiljadheShëndeti